Fate të fotografuara – Dy fjalë mbi romanin “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”

163

Edvin Cami*

Ujërat afronin në brigjet e liqenit shishe të zbrazura shampoje. Fëmijët nguteshin e nganjëherë grindeshin që t’i rrëmbenin, t’i kundronin nga afër e t’u ndienin aromën. E dinin se ato vinin nga ujërat e Jugosllavisë së asaj kohe, nga brigjet e Ohrit a të Strugës. Jo vetëm aroma, por edhe forma dhe ngjyra e ambalazhit linte një mbresë të thellë.

Kam qenë dëshmitar i skenave të tilla në fëmijërinë time, kur jam gjendur ndonjëherë me pushime në brigjet e liqenit të Pogradecit. Edhe unë vetë ruaja në shtëpi kuti çokollatash e çamçakëzësh që m’i dërgonin kushërinj prej shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Pasi përmbajtja konsumohej, ambalazhi, ngjyrat dhe mbi të gjitha aromat ruheshin dhe ndërtonin përfytyrimin e idealizuar për jetën në vendin fqinj. I ndihmonin këtij përfytyrimi edhe pamjet e televizionit të Beogradit; pamje që zhurmuesit e sinjalit televiziv synonin në mos t’i bënin të padukshme, së paku t’ua humbnin shkëlqimin.

Sot, romani i shkrimtares kroato-gjermane Marica Bodrozhiç “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra”, i botuar në shqip nga shtëpia botuese “Dituria”, arrin të ringjallë ndjenja të vjetra e të rikthejë në kujtime të shkuara në veçanti lexuesit shqiptarë që si unë, i përkasin brezit të viteve 80-të. Autorja e lindur në ish-Jugosllavi, në retrospektivën e saj gjysmë-autobiografike, e nis rindërtimin e kujtesës së protagonistes së vet, Arjeta Filipo, pikërisht nga vitet kur aroma e një shisheje të zbrazur shampoje në brigjet e Pogradecit dehte me Jugosllavi fëmijët e varfër të Shqipërisë.

Por shkrimtarja gjendej në anën tjetër të telit me gjemba. Ajo nuk mund ta dinte se si e idealizonim në realitetin e vendit të saj. Si ne edhe ajo, teksa rrëfen në vetën e parë, në lëkurën e personazhit të saj, tregon për një fëmijëri që idealen e shihte jashtë vendit të vet. Arjeta përshkruhet tek ecën në bregdetin e Istrias me dëshirën e brendshme prej fëmije për të mbërritur në këmbë Italinë, ku e përfytyronte qiellin më të kaltër dhe diellin më ndriçues dhe ku kishte dëshirë të emigronte, “te Xhovanët e Xhovanat, larg prej Ivanëve dhe Ivanave”, siç rrëfen ajo.

E ndërsa neve, shqiptarëve të skamur të asaj kohe, të ndryrë kolektivisht në burgosje absolute, do të na dilte e tepronte edhe aq liri relative sa gëzonin qytetarët e ish-Jugosllavisë, “Ivanët e Ivanat”, autorja flet për përndjekjen politike, për Goli Otokun, ishullin e të internuarve të regjimit, e për shumëçka që ne nuk mund ta shihnim, pasi këtë pjesë të realitetit nuk mund të na e sillte ujët e liqenit të Ohrit. Madje as fëmijët e ish-Jugosllavisë, si Arjeta, mund të mos e shihnin për njëfarë kohe atë realitet, sepse prindërit, si zakonisht në situata të tilla, ngjashëm me skenarin e filmit “Jeta është e bukur”, synonin t’i mbanin fëmijët larg telasheve të të rriturve.

Ndaj edhe Arjeta dhe vëllezërit e saj shijonin pushimet në Istria dhe këndonin së bashku në udhëtime këngën e Lepa Brenës “Živela Jugoslavija”, deri në çastin kur fëmijëria kaloi pa u ndier dhe erdhi përballja me një realitet të pavënë re më parë. Fillimisht njerëz të afërt, në sirtarët e të cilëve gjendet ndonjë gazetë sovjetike, zhduken papritmas dhe nuk janë më të pranishëm në jetën e protagonistes. Më pas fundi i utopisë së bashkëjetesës paqësore të kombeve nën ish-Jugosllavi, lufta, të shtënat që mendohej se vinin vetëm prej filmave me partizanë që transmetonte televizioni, tragjeditë familjare, gjenocidi, largimi nga vendi, studimet në Paris, jeta në Berlin, lëndimet e brendshme në kohë paqeje…

Në retrospektivën që ndërton në vetminë e vet, protagonistja e romanit nuk synon thjesht të kujtojë. Ajo ka për qëllim të përzgjedhë mes harresës dhe kujtesës; të mbajë mend e të rikrijojë hollësitë e gjithçkaje që ka qenë e bukur në të shkuarën e vet, por mbi të gjitha të fshijë nga kujtesa gjithçka që e ka lënduar e i ka shkaktuar plagë. Për këtë i vjen në ndihmë nëna, që gjithashtu në përpjekjen e vet për të harruar, ia sjell vazhdimisht të kaluarën Arjetës në shtëpi në formën e qeseve plastike plot me fotografi.

Në kujtesën letrare për gjenocidin dhe çnjerëzoren e luftës në ish-Jugosllavi, shkrimtarja nuk ndalet te fatet e mëdha, te heroizmat e trimave, tek emrat e kriminelëve të njohur e tashmë me famë botërore, apo te pasojat politike të luftës. Ajo mundohet të veçojë njerëzoren, fatet e vogla të njerëzve të zakonshëm që u prekën prej pasojave të një lufte që nuk e kishin pritur e (ndoshta) nuk e kishin dashur. Protagonistja kujton hollësi e emra për çdo shpirt të bukur që lufta e lëndoi sado pak, e shprehur kjo qoftë edhe me identitetin individual, etnik e fetar të një fëmije që mëngjeseve e detyronin të kthehej në shtëpi teksa përpiqej të shkonte në shkollë.

deutsch-israelische_literaturtagePor autorja nuk ka emra për dukuritë negative, nuk e identifikon të keqen përmes lokalizimit në një vend apo identifikimit në një emër të përveçëm. Kështu, ajo flet për “qytetin e rrethuar” që një lexues ballkanas, për shkak të rrethanave, e ka të lehtë ta marrë me mend se është Sarajeva. Por një lexues më i largët dhe/ose më global, që lexon pa u interesuar për rrethanat jashtëletrare dhe mundohet ta kuptojë tekstin në optikën e “vdekjes së autorit”, mund ta gjejë të njëjtin realitet të qytetit të rrethuar më pranë vetes, ndoshta në një tjetër kontinent, në një tjetër vend, në një tjetër qytet, ku qenia njerëzore sillet njëlloj, vret njëlloj, vuan njëlloj.

Një tjetër linjë që përshkon romanin është përpjekja për të ndërtuar, krahas kujtesës, një realitet jete mes Parisit dhe Berlinit. Aty nuk ka luftë, nuk ndihen zhurma artilerie. Por qenia njerëzore, edhe pse gëzon, lëndohet e vuan gjithsesi. Studimet e filozofisë e të arteve, marrëdhëniet e ndërlikuara shoqërore, joshja prej dashurisë, vendimet e papjekura të moshës studentore, pasojat e dorëzimit ndaj ndjenjave dhe shpërfilljes së arsyes, çojnë në ndryshime të papritura të rrugëtimit të jetës, mes vajzash të reja që ndërsa përpiqen të studiojnë e të përballojnë të vetme jetën, detyrohen të rrisin fëmijët e shoqeve pasi frytet e shtatzënive të veta të padëshiruara i kanë dhuruar më herët në të tjera familje.

E në këtë mjedis të përballjes me egoizmin te vetja dhe tek të tjerët, protagonistja gjen gjithmonë në krah miq të mirë, si ornitologu Misha Vajsband, që flet me pasion për zogjtë, për pemët, për bimët. E bashkë me zogjtë, edhe qielli, përskuqja e tij në perëndim, herë pas here edhe valët e detit, janë ato që e ndriçojnë romanin dhe nuk lejojnë që kujtimet e trishta të krijojnë zymtësi.

Së fundi, qeseve plastike me fotografi, të sjella nga nëna, u shtohen albumet e fotografit Arik, që ka fiksuar në polaroid thuajse çdo hollësi prej jetës së Arjetës pasi ajo mbërriti në Paris. Kështu, protagonistja ka mundësinë ta rishikojë, ta rikujtojë e ta ripërjetojë jetën e vet pa humbur asnjë detaj, të shohë fatin e saj të lidhur me fatet e njerëzve që e shoqëruan herë pas here dhe të zgjedhë të ruajë gjithçka të bukur e të shtyjë drejt harresës gjithçka të zymtë.

Mbi të gjitha, tryeza e bërë prej drurit të qershisë, që e shoqëron protagonisten kudo që shkon të jetojë, është më jetëgjata. Arjeta përfytyron kohën kur druri i qershisë gjallonte në oborrin e shtëpisë së familjes së saj dhe bëhej dëshmitar i shumë ngjarjeve. Tashmë, ajo mundet ta prekë drurin e tryezës dhe të presë që ajo t’i flasë e t’i tregojë diçka prej të kaluarës që Arjeta nuk e ka parë. Tryeza nuk flet, por rrëfen gjithsesi në mënyrën e vet, heshtazi e pa zë.

Edvin-Cami-240x300

 

(* Përkthyesi Edvin Cami është aktualisht pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, si dhe fitues i çmimit të parë për përkthimin në shqip të poetit gjerman G. Benn, më 1998 nga shoqata kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwart”.
Në panairin e librit të zhvilluar në 9-13 Nëntor 2016, fitoi çmimin e parë si përkthyes i romanit “Dru qershie dhe ndjenja të vjetra” me autore Marica Bodrožić.)

Revista “Familja”, shkurt 2017