Fëmijë me nevoja speciale

59

Të lindësh si një njeri i shëndetshëm, duke mos pasur të meta mendore apo cene fizike, është dhurata më e madhe që i bëhet qenies njerëzore në fillesat e ekzistencës së tij. Sigurisht që ky fenomen nuk i prek të gjithë, por shumë prindër rrisin në gjirin e tyre fëmijë me aftësi të kufizuara apo me nevoja speciale, të cilët kanë nevojë për përkrahje jo vetëm të familjes, por edhe të mbarë shoqërisë. Natyrshëm lind pyetja, se a janë stigmatizuar këta fëmijë gjatë rrjedhës së kohës dhe a vazhdojnë ata të stigmatizohen në ditët e sotme, ku shkenca dhe teknologjia kanë arritur kulminacione zhvillimi?

Mënyra se si perceptoheshin fëmijët me të meta mendore apo cene fizike në të shkuarën është e lidhur ngushtë me kulturën dhe etnologjinë e vendeve te ndryshme të botës. Etnologjia ndryshe definohet nga profesionsit si antropologji kulturore, e cila në vetvete është një nga katër degëzimet e Antropologjisë. Etnologjia është shkenca sociale, e cila shtjellon dhe analizon në detaje kulturat në formën e tyre tradicionale dhe përshtatjen e këtyre kulturave në bazë të ndryshimit të kushteve në botën e ditëve të sotme. Një degë shumë e rëndësishme e etnologjisë është etnografia, e cila në vetvete përdor metodën e observimit, duke e studiuar çdo kulturë edhe në bazë të adaptimeve gjuhësore të produkteve material, të cilat prodhohen nga një kulturë e caktuar apo edhe të karakteristikave fizike të njerëzve edhe e traditave të tyre sociale. Nëse njerëz të një kulture jetojnë në grup apo tribu, ajo çka bëjnë etnografët është të jetojnë me këta njerëz për njëfarë kohe për të studiuar nga afër zakonet dhe mënyrën e tyre të jetesës dhe më pas për ta dokumentuar atë.

Special-needs-child-tryin-006Fëmijët me problemet e sipërpërmendura janë parë nga shoqëria si njerëz, paaftësia e të cilëve është e shkaktuar nga forca okulte të djallit. Në kohët e hershme ata janë paragjykuar si njerëz të magjepsur nga shtrigat, të cilët posedojnë brenda vetes shpirtra të së keqes. Edhe reformatori fetar i madh i kohës së tij, Martin Luteri u mposht nga pikëpamja se në mënyrë sinjifikative fëmijët me aftësi të kufizuara ishin të poseduar nga djalli dhe me rastin e parë, këta njerëz duhet të mbyteshin (Luter, 1652). Aristoteli në librin e tij “Politika” shkruan: “Sa për ekspozimin dhe rritjen e fëmijëve, le të jetë një ligj që fëmija i deformuar të mos mbijetojë” (Sunders, 1999). Megjithatë gjatë shekujve të hershëm ka pasur edhe përkrahje nga traditat fetare të krishterëve, të cilët në pika të ndryshme të historisë e kanë ndaluar vrasjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara apo me nevoja speciale.

Në ditët e sotme shoqëria është sensibilizuar në mënyrë të kënaqshme ndaj problematikave të sipërpërmendura dhe shteti ka miratuar ligje të posaçme për t’i përkrahur këto shtresa sociale, jo vetëm nga ana financiare, por edhe nga ana e suprotit psikologjik. Tashmë bota, në të cilën jetojmë është e vetëdijëshme për mbartjen e çështjeve që kanë të bëjnë me fëmijët me aftësi të kufizuara apo me fëmijë me nevoja speciale dhe jo vetëm kaq, por është e përgatitur që në gjirin e saj të integrohen plotësisht në shoqëri fëmijë të tillë. Prindërit, të cilët janë sprovuar nga Zoti me një fëmijë me aftësi të kufizuara apo me një fëmijë me nevoja speciale, përjetojnë një stres të shumëfishtë pasi janë të frikësuar nëse do të arrijnë t’i japin fëmijës së tyre mbështetjen dhe përkrahjen e nevojshme për t’u integruar sadopak në shoqëri. Ky stres, i cili vesh mendjen dhe shpirtin e tyre, i bënë ata më të ndjeshëm dhe më të mobilizuar njëkohësisht, për të përballuar çdo vështirësi që hasin në rrugën për një edukim dhe rritje sa më adekuate ndaj problemit që kanë. E megjithatë ka shumë familje, të cilat në mungesë të një situate ekonomike të favorshme nuk janë në gjendje t’u blejnë fëmijëve të tyre pajisjet e duhura që t’ua lehtësojnë fëmijëve me aftësi të kufizuara jetën apo nuk kanë mundësi që fëmijët me nevoja speciale t’i çojnë tek një psikolog, i cili do t’i pajiste fëmijët e tyre me një edukim shkollor dhe fiziologjik në bazë të shkallës së problemit që fëmija ka lindur.

images(2)Një proces shumë i rëndësishëm që kontribuon në aftësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shoqëri është rehabilitimi. Rehabilitimi në vetvete përfaqëson çdo program me ushtrime përmirësuese fizike të udhëzuara nga një specialist ose ushtrime psikologjike të instruktura përsëri nga një profesionist sipas nevojës së pacientit. Në qendrat sociale apo në spitalet shtetërore të programuara për kësilloj ndihmash ndodhet një kategori e caktuar njerëzish, të cilët mund të përfitojnë nga rehabilitimi duke përfshirë konvaleshentët, shurdh-memecët ose të verbërit, të amputuarit apo paralitikët, njerëzit me shqetësime emocionale, alkoolikët, kriminelët dhe adoleshentët me probleme kriminale. Rehabilitimi ka si qëllim kryesor aftësimin fizik dhe psikologjik të cilësive dhe aftësive të një personi, duke e bërë atë më kometent për t’u integruar dhe bërë pjesë e shoqërisë, por gjithashtu duke i mundësuar të zhvillojë një jetë sa më normale dhe të pavarur nga familja.

Disa nga problemet kryesore që hasin fëmijët me nevoja speciale në procesin e tyre të shkollimit janë aftësia për të kuptuar apo shprehur ide në gjuhën e tyre, duke i shkaktuar këtyre fëmijëve vështirësi në të mësuarit e disa veprimeve, siç janë: leximi, shqiptimi i fjalëve apo vetë shkrimi. Ky fenomen varet dhe nga shkalla e nevojave speciale të lindura me vetë fëmijën, të cilat zbulohen nga psikologu apo mësuesi i specializuar për të ndihmuar këta nxënës (Enkarta Enciklopedia).

Një tjetër kufizim, me të cilin janë të predispozuar të lindin fëmijët me nevoja speciale, është aftësia e tyre për t’u përqëndruar. Kjo kategori fëmijësh hasë vështirësi të mëdha gjatë dëgjimit të mësimit në të kushtuarit vëmendje dhe në përthithje të informacionit që ata dëgjojnë. Ndryshe ky çrregullim etiketohet nga shkolla e psikologëve si mangësi dhe çrregullim në vëmendje. Mënyrat se si trajtohen fëmijët nga psikologët shkollor për t’u integruar në procesin mësimor edhe me bashkëmoshatarët e tyre, të cilët nuk kanë probleme me vëmendjen, janë nga më të ndryshmet. Zakonisht, fëmijët me çrregullime të tilla, një pjesë të mësimit e dëgjojnë njëlloj me nxënësit e tjerë të klasës dhe pjesa tjetër përpunohet nga psikologu në mënyrë që fëmija të përqëndrohet dhe të marrë shumicën e informacionit të ri të ofruar nga mësuesja. Ajo çka vlen për t’u theksuar është se në ditët e sotme vendet e ndryshme të botës kanë profesionist të vërtetë në fushën e psikologjisë, të cilët arrijnë të bëjnë mrekullira me këta fëmijë, duke i shkolluar dhe duke i punësuar në sektor të ndryshëm, po natyrshën lind pyetja: po populli shqiptar kur do të arrijë që një ditë të ketë edhe ai specialist të fushës, të cilët do jenë të aftë ta integrojnë këtë kategori fëmijësh në shoqëri, duke i ofruar një pavarësi sado të vogël nga familja?!