Fëmijë që refuzojnë shkollën. Çfarë fshihet prapa refuzimit?

25

Nga: Marsida Simo (Sociologe)

Ndryshimet që kanë ndodhur, sidomos dy vitet e fundit prej pandemisë me arsimin tonë, kanë sjellë sfida të shtuara për sa i përket nevojës për ringritje të nivelit të mësimdhënies, por edhe për ta bërë shkollën një ambient të ngrohtë dhe të dashur.

Një nga problemet që po hasin një pjesë e prindërve kohët e fundit është mos dëshira e fëmijëve për të ikur në shkollë. Kjo njihet ndryshe si “refuzimi i shkollës”, e cila ka të përfshirë elemente psiko-sociale. Refuzimi i shkollës është një sfidë për fëmijët, familjet dhe stafin e shkollës.

Për ta kuptuar më qartë, refuzimi i shkollës ndodh kur një fëmijë bën përpjekje të vazhdueshme për të mos ikur në shkollë ose përjeton shqetësime lidhur me shkollën. Ka një sërë shkaqesh të mundshme të refuzimit të shkollës te fëmijët, duke përfshirë depresionin, problemet sociale si bullizmi dhe vështirësitë akademike. Megjithatë duhet të theksojmë se refuzimi i shkollës nuk është një diagnozë e Manualit Diagnostifikues dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-5).[1]

Studimet e sjelljeve të refuzimit të shkollës te fëmijët kanë treguar se çrregullimet e ankthit janë shkaku kryesor i sjelljeve të refuzimit të shkollës. Një shumëllojshmëri e gjerë e çrregullimeve të ankthit, nga çrregullimi i ankthit social te çrregullimi obsesiv-kompulsiv, mund t’i bëjë fëmijët të ndihen të shqetësuar kur janë në shkollë. Si përgjigje ndaj këtij shqetësimi, fëmijët mund të përpiqen me çdo kusht të qëndrojnë në shtëpi, si për shembull duke pretenduar se janë sëmurë, ose sajesa të tjera. Edhe pse kjo shpesh e lehtëson ankthin e tyre në një afat të shkurtër, veprime të tilla mund të rezultojnë gjithashtu në humbje të mësimeve, dhe më shumë përgjegjësi të grumbulluara. Nëse zgjat në kohë, kjo shmangie rrit ankthin e fëmijës rreth shkollës, duke e bërë më të vështirë kthimin dhe duke rezultuar në refuzim të mëtejshëm të shkollës.

Frika për të shkuar në shkollë u quajt për herë të parë “fobia e shkollës” në vitin 1941. Më tej studimet kanë qenë të shumta dhe kanë sjellë të tjera të dhëna. Refuzimi i shkollës është më i zakonshëm te fëmijët e moshës 5 deri në 6 vjeç dhe 10 deri në 11 vjeç. Nuk vihet re ndonjë ndryshim midis djemve dhe vajzave apo shtresës ekonomike.[2]

Sipas statistikave të cituara nga organizatat, që mbrojnë rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, tregohet se refuzimi i shkollës prek 2% deri në 5% të të gjithë fëmijëve të moshës shkollore.[3] Faktikisht për vendin tonë këto të dhëna mungojnë për shumë arsye. Së pari prindërit nuk arrijnë të kuptojnë gjendjen duke justifikuar problematikën si thjesht kalimtare ose duke e identifikuar fëmijën si pasiv dhe jo të përshtatshëm për shkollë. Si vijim prindërit nuk konsultohen me një person të shëndetit mendor dhe problemi mbetet në heshtje, i pa trajtuar.

Disa shkaqe të tjera psiko-sociale që mund të ndikojnë në refuzimin e shkollës.

– Nëse fëmija ka qenë në shtëpi për një farë kohe, për shembull gjatë pushimeve verore, ose atyre dimërore.

– Pasi ka qenë pushim pas një sëmundje të gjatë.

– Kur i ndodh një ngjarje stresuese si vdekja e një personi të afërt.

– Zhvendosja në një shtëpi, shkollë të re.

– Ngacmohet nga shokët/ shoqet e klasës, shkollës.

Disa reagime të fëmijëve që refuzojnë shkollën:

  • Ankesat për sëmundje në mëngjes para shkollës, si dhimbje koke ose stomaku.

Rrallëherë fëmija do të shprehë ankthin si arsye për shmangien e shkollës. Në fakt, ankthi mund të shkaktojë shqetësim të përkohshëm si dhimbje koke dhe fëmijët i identifikojnë më lehtë këto.

– Fëmija “zvarrit këmbët” ose i humb shpesh sendet në mëngjes, duke rezultuar në mbërritjen me vonesë në shkollë.

– Fëmija shpesh kontakton njërin ose të dy prindërit duke kërkuar që të merret herët nga shkolla.

-Fëmija paraqitet shpesh në zyrën e mjekut të shkollës gjatë orës së mësimit.

-Fëmija është nervoz kur merret nga shkolla.

-Humori i fëmijës përkeqësohet ndjeshëm të dielën në mbrëmje para fillimit të javës shkollore.

Refuzimi i shkollës, i cili zgjat në kohë ka nevojë të trajtohet nga një psikolog. Refuzimi i shkollës është simptomë, jo diagnozë.[4] Ndaj nuk duhet parë si e frikshme dhe kalimtare, por të shihen ku janë rrënjët. Trajtimet mund të përfshijnë terapinë njohëse të sjelljes, terapinë mbështetëse edukative, si dhe bashkëpunimin prindër-mësues. Në këtë mënyrë fëmijët dhe adoleshentët mësojnë të përballen me ankthin e tyre duke rritur gradualisht përfshirjen e tyre në shkollë, dhe vetëbesimin. Sigurisht do të ishte mirë që edhe prindërit të merrnin pjesë në këto seanca për të bërë një bashkëveprim më të mirë.

[1] MD S. Kawsar; Musa Yilanli; Raman Marwaha. June 11, 2021.

[2] Sewell J. School refusal. Aust Fam Physician. 2008 Jun;37(6):406-8.

[3] Kearney CA, Albano AM. The functional profiles of school refusal behavior. Diagnostic aspects. Behav Modif. 2004 Jan;28(1):147-61.

[4] Sewell J. School refusal. Aust Fam Physician. 2008 Jun;37(6):406-8.

 

Revista “Familja”, Janar 2022