Fjala përshëndetëse e drejtoreshës së SHKG në Konkursin e Kuranit 2015

58

Në emër të Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon vetëm Allahut, që ia shpalli robit të vet Librin dhe në të nuk lejoi ndonjë kundërthënie.

Salavetet janë për Pejgamberin Muhamed (a.s.), bartësit të Fjalës së Zotit, përçuesit të amanetit për mbarë njerëzimin…

Të nderuara motra finaliste të konkursit Kombëtar të Kuranit Famëlartë 2015!

Mike e bashkëpunëtore të Shoqatës Kulturore Gruaja!

Te nderuara mysafire dhe të ftuara!

Të dashura pjesëmarrëse nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia!

Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju!

Kjo është një ditë e veçantë për mua, të jemi sërish së bashku në nderimin e atyre që me mësimin e fjalës së Zotit, konkurruan në më të shtrenjtën fushë të dijeve, në më të dashurin konkurrim për zemrat e muslimanëve, në më të dobishmen garë për jetën e kësaj bote e botës tjetër – garuan në mësimin e fjalës së Zotit, Kuranit Famëlartë.

Jemi së bashku për t’i nderuar pjesëmarrëset në këtë konkurs të mësimit përmendësh të verseteve kuranore, për t’i shpërblyer simbolikisht për një vepër vlera e së cilës i tejkalon kufijtë e pasuritë e kësaj bote, vepër të cilën e shpërblen Zoti i Madhëruar me begatitë e Tij të pafundme, pasi Ai më së miri i nderon hafizët e hafizet me gradat e Tij më të larta.

Motra të nderuara!

Më lejoni të shpreh falënderimet e sinqerta për pjesëmarrjen, përpjekjet dhe mbështetjen tuaj ndaj Fjalës së Zotit, Kuranit Famëlartë. Nëpërmjet mësimit tuaj përmendësh të verseteve të këtij libri që nuk ka të ngjashëm me të mbi tokë, ju po i bëni një shërbim të madh jo vetëm vetes suaj, por gjithë shoqërisë sonë shqiptare dhe më gjerë asaj islame, ku po praktikoni në jetën tuaj të përditshme mësimet hyjnore të zbritura në këtë libër, duke kultivuar në shoqërinë tonë, vlera të cilat kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë gjallë kombin tone dhe racën njerëzore.

Ky konkurs erdhi si një kontribut modestie i shoqatës kulturore “Gruaja” ndaj këtij Libri madhështor, kontribut ku ne, me motrat në fe, përpiqemi të kthejmë vëmëndjen tek burimi i së mirës së përjetshme, t’i tregojmë shoqërisë sonë se shpëtimi gjendet jo në të keqen, smirën, urrejtjen, konfliktin e të ngjashme me to por në burimin e besimit tek Zoti Një e i Vetëm, tek dashuria për tjetrin, drejtësia, respekti e mirëkuptimi, toleranca e kultura e vlera si këto, të cilat iu shpallën njeriut në një Libër të begatë siç është Kurani, Fjala e Zotit.

Libër të cilin Zoti ia zbriti njeriut për të ndërtuar jetën mbi të vërtetën, mbi besimin në njëshmëri e nënshtrim vetëm ndaj Zotit. E zbriti që shpirti njerëzor të mos robërohet ndaj krijesave, të mos ndjekë besëtytni e supersticione, por t’i bëhet rob vetëm Atij që jep jetën, lirinë e mirëqënien e në dorën e të Cilit është çdo gjë.

Kurani, Libër i Zotit, i cili filloi me një mesazh jetik për njerëzimin “Lexo, Studio!”, pasi gjithë prosperiteti njerëzor varet nga dija e arritjet shkencore e vlerat morale të mbështetura mbi besimin e pastër në Zotin.

E ky Libër vazhdon me norma që rregullojnë marrëdhëniet e njeriut me Krijuesin e tij, me familjen e shoqërinë, madje rregullon marrëdhëniet e njeriut me veten e vet. Pavarësisht se sa radhitim në fjalët tona të mirësive të Zotit ndaj nesh e të zbritura në Librin e tij nuk do t’ia arrinim t’i përmendnim të gjitha, e i Lavdishëm është Allahu, Zoti i botëve!

Më shumë se kurrë sot kemi nevojë për zemra që ndizen nga fjalët që kumbuan në errësirën e shpellës së Hiras, e që ndriçuan botën, në lindjen e perëndimin e saj. Fjalë hyjnore, që drithërojnë edhe sot njerëzimin, e i japin atij shpresë, i sigurojnë drejtësi e dinjitet, i ofrojnë paqen në shpirt, familje e shoqëri.

Allahu i Lartmadhërishëm na e obligoi leximin e Kuranit dhe të praktikuarit e tij duke thënë: “Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. E Ai (Allahu) do t’ua plotësojë shpërblimin e tyre, e do t’ua shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është Mëkatfalës dhe Falënderues.” (Fatir, 29-30)

Transmeton Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ai i cili lexon një shkronjë prej librit të Allahut e ka një sevap dhe një sevap shpërblehet dhjetëfish. Nuk po them (Elif –Lam – Mim) një shkronjë, mirëpo Elifi një shkronjë, Lami një shkronjë dhe Mimi një shkronjë.”

Me këtë rast dua t’u bëj thirrje të gjithë motrave tona, që të bëhemi përçuese të mesazheve kuranore nëpërmjet mësimit dhe praktimit në familjet tona e me fëmijët tanë e më gjerë. Të mos humbasim kështu shansin për t’u radhitur ndër më të mirët e umetit musliman:

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Më i miri nga ju (muslimanët) është ai që e meson Kuranin vetë dhe ua mëson atë edhe të tjerëve”.

Duke falënderuar të gjithë ju dhe motrat tona që moret pjesë në këtë konkurs, Bashkësitë Islame të trevave shqiptare, mësueset e Kuranit të gjithë vajzave pjesëmarrëse dhe të gjithe ata që bashkëpunuan për të arritur këtë sukses, e sidomos stafin e ShKG që me përpjekjet e tyre realizuan këtë event fetar e kulturor, ju uroj të gjithëve sa jeni në këtë sallë paqen e Kuranit, dritën e Kuranit, shpëtimin që vjen nga Kurani!

E lus Zotin ta bëjë fjalën e Tij, Kuranin, dritë për shpirtin, begati për trupin, udhëzim e mëshirë për ne e shoqërinë tonë!

Es selamu alejkum ve rahmetullah!

Ndriçime Zekaj

Rev. FAmilja, korrik-gusht 2015