Fjolla Spanca: “Jeta ime përtej letërsisë, mes Tiranës dhe Mitrovicës!”

864

Intervistë me Fjolla Spanca, fituese e vendit të parë në Edicionin e 9-të të Çmimit AIITC për krijimtarinë më të mirë

Fjolla Spanca u lind dhe u rrit në Mitrovicë. Shkollën fillore e mbaroi me rezultate të shkëlqyera dhe po njësoj edhe gjimnazin. Nota e 12 viteve i siguroi bursë ekselence në Universitetin Europian të Tiranës, ku studioi për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe aktualisht po specializohet si ekselente në “Studime Strategjike”.

Që ditën që shkeli brenda kampusit të universitetit, jeta e saj studentore ka qenë e mbushur me dhjetëra aktivitete. UET i ka hapur një dritare të çmuar në mendje dhe zemër. Falë punës, angazhimit, kurajos e shembujve të mirë, që atëherë veç bursës për studime ka fituar bursë për shkollë verore në “George Washington University” nga Ambasada Amerikane në Kosovë, si dhe bursë për vizitë studimore në “Georgia Southern University”.

Pas pak kohe fitoi dy bursa të tjera të rëndësishme nga instituti “ILEM” dhe “BISAV” në Stamboll, Turqi ku pati fatin të prezantojë mbi çështjen e ndërhyrjes humanitare në Kosovë dhe pozitë në gruas në shoqëritë post-socialiste. Më vonë është përfshirë në programin “Justice Without Reconciliation” që mbahej në Paris, si dhe pjesëmarrja në “Akademinë për Dialog” organizuar nga OSCE dhe mbajtur në Universitetin e Paqes, Austri.

Pjesëmarrja në programe e projekte ndërkombëtare, ka qenë tregues se puna dhe mundi në UET, ndërthurur me mësimdhënien dhe metodologjinë e shkollës e të profesorëve, ishte kurorëzuar me vullnet për t’u thelluar në dije dhe për të shërbyer në komunitet.

Aktualisht ju jeni shumë aktive në artikuj dhe analiza. Si ka lindur tek ju pasioni për të shkruar?

Shkrimi është dashuri e vjetër. Kurse dashuria është privilegj i madh, sepse kur është e vërtetë e pasuron jetën e atij/asaj që e përjeton. Ka qenë dimër. Isha vetëm 14 vjeçe. Më 31 dhjetor e panë dritën e botimit dy shkrimet e para, në revistën multi-etnike “MMagazine”. Habi e madhe për mua, ndoshta prej njomësisë së moshës dhe frikës që vjen natyrshëm, nga ideja se do të përballesh me lexuesin dhe kritikën.

Ndërkohë, poezi kisha shkruar që në klasën e parë. Në atë kohë, shkrimi ishte portë për ta kapërcyer frikën që më ishte ngjit në trup prej situatës politike. Ishte një lloj mënyre për ta trimëruar veten.

Megjithatë, artikujt e analizat i nisa më vonë, e shtyer prej ëndrrës për të ndryshuar qytetin. Shqetësimet vinin prej sfidave të kohës, kurse shkrimet sa priteshin mirë, po aq kishin kosto. Kërcënimet në fillim të trazojnë, por më pas bëhen krejtësisht normale, sidomos kur nis me të dalë kundër sistemit të instaluar prej shqiptarëve dhe përkrahur nga ndërkombëtarët.

Pra, me pak fjalë, dashuria për të shkruajtur më ka ardhur rrufe, si dhuratë, thirrje dhe përgjegjësi.

Çfarë ju frymëzon më shumë?

International Graduate Conference on the Balkans, Stamboll

Kur shkruaj, përpiqem të miqësohem me fjalën. Fjala ka peshë. Ndaj i peshoj vazhdimisht fjalët, i krasis mendimet dhe sërish e shtyej veten për t’u këshilluar me kuptimin e fjalës së shkruar.

Frymëzohem lehtë dhe zorshëm. Kur çelet qielli në agim më drithëron magjia e hapjes së një dite të re. Rënia e territ, më fut nëpër labirinthe krejt mistike, nëpër të cilat kërkoj përgjigjie në heshtje.

Më frymëzon qielli, deti, ngjyrat e vjeshtës dhe bora e parë. Ngacmohem lehtë prej një bisede të përshpirtshme ose prej buzëqeshjeve të njerëzve, që kalimthi mundem me i pa.

Ndërsa kur shkarravis opinione, mendohem akoma më gjatë, lodhëm më tepër. Shpesh mbasi kam shkruar, ndihem bosh. Fare bosh. Është ajo ndjesia që të krijon qetësia kur nxjerrë gjërat që do. Dhe ai boshllëku të falë ca ndjesi të çuditshme, për të cilat përherë ja vlen të stërmundohesh.

Ku e gjeni më shumë veten, në poezi apo në prozë?

Kur shkruaj, më duket sikur e kthjelloj konceptin tim personal të dashurisë, marrëdhënien me të dhe raportin ndjenjë-veprim. Poezia dhe proza tek unë, kanë aftësinë për ta mbuluar pafundësisht padrejtësinë e një bote kaotike.

Lidhja e krijesës me Krijuesin, përtej kohës dhe hapësirës është ai momenti fillestar kur ngjizet balta në poçarin tim. Për rrjedhojë, ka pak rëndësi së në ç’formë më del zëri, për aq kohë sa përjetimi është si ai avulli i kafes që ngjitet në xhamat e ngrirë, në një pasdite dimri.

Sipas mendimit tuaj, si gërshetohet krijimtaria letrare me besimin islam?

Gjate leksioneve ne George Washington University

Pyetje si kjo duhen drejtuar tek të urtët, tek ata që jetën e kanë njohur në imtësi kurse lidhjen me Zotin e kanë të brendshme deri në vetmohim. Sepse të tillë poetë a shkrimtarë i dijnë më mirë se unë nyjet e Islamit me krijimtarinë letrare. Megjithkëtë, le të themi se fjala është udha për tek Përjetësia. Nëpërmjet fjalës, shkruesi e nxjerr prushin që e ka djeg në shpirt. Ose hirin, fundja.  Fjalët janë shkronja që lundrojnë qiejve për t’u takuar me Zotin tonë të Lartësuar, i cili ka merak të madh për peshën dhe rëndësinë e fjalës.

Njeriu nuk krijon asgjë. Të gjitha janë krijuar bashkë me njeriun. Fjalët e bukura janë thënë nëpërmjet të dërguarve, përmes të butëve dhe stinëve që ndërrohen bashkë me ditën e natën. Për mua nuk ka shpirt të ndarë nga shkrimi. Të shkruash dhe të kërkosh është po e njëjta gjë. Njerëzit shkruajnë sepse kësisoj fluturojnë më lehtë prej trupit për tek vetja e tyre. Shkrimi është vet-njohje, reflektim dhe studim. Që të gjitha, janë të obliguara për njeriun që ka mend dhe shikon.

Në fillim të muajit nëntor 2016, ju u vlerësuat me çmimin e parë në Edicionin e 9-të të Çmimit AIITC për vëllimin tuaj poetik, me tematikë “E bukura në shpirt dhe në jetë”? Çfarë simbolizon ky çmim për ju?

Çmimi AIITC ka si motiv qendror të stimulojë shkrimtarët shqiptarë për të sjellë prurje artistike e shkencore të niveleve të larta, me qëllim pasurimin e fondit të artë të kulturës shqiptare. Për mua ky çmim është më tepër se sa medalje. Në fakt, lajmi më erdhi prej një intelektuali si Alban Bala, i cili frymëzon. Vlerësimi i prozës qe kryer me mjeshtëri nga Agron Tufa. Motivacioni i çmimit ishte i rrallë dhe i thellë. “Për një krijimtari premtuese, një qasje origjinale, për lëvrim të guximshëm të gjuhës shqipe brenda modelit vetjak poetik dhe për strukturën tërësore të veprës së paraqitur.”

Sinqerisht, të tilla moment në jetë të shkundin. Të vendosin para përgjegjësive dhe të nxisin. Është komplekse ndjenja kur shkrimi yt kuptohet prej disa mendjeve e penave që ti dikur i ke lexuar me kureshtje të madhe. Ata që unë i lexoja me ëndje, më kishin lexuar nëpër poezi e prozë. E bukur dhe e ngrohtë, kjo ndjesi.

Cili është raporti i Fjollës me vendlindjen, Mitrovicën?

15540951_1364770730209261_3900298508985873015_o
Mitrovica, qyteti i lindjes

Mitrovica është mistike për mua. Ka thellësi, frymë, kujtime. Në Mitrovicë kam parë e jetuar momente sublime, aty njerëzit akoma kanë fisnikëri dhe humanizëm të papërshkrueshëm. Mëngjesi në lagjet e qytetit është përrallë më vete. Sa herë vijnë miq nga larg kënaqen me mikpritjen e mitrovicasëve. Çaji i zi me limon, perecat, “djathi i boshnjakëve’, fasulet me mish, qoftet, kajmaku, turshitë e llokumat me ajvar, janë qerasje tipike.

Në Mitrovicë kam familjen time, gjyshen, tezet e dajat me të cilët kam një lidhje të pakrahasueshme. Kam miqtë e fëmijërisë, shokët e shkollës fillore dhe të gjimnazit. Aty janë kolegët më të cilët kam punuar e udhëtuar që kur isha 12 vjeç. Kam dhe mësuesit e profesorët, të cilëve u detyrohem shumë. Ndonjëherë, kur më zë malli, vë këngët që më kujtojnë fëmijërinë, gjithë ëndrra e hare.

Që kur kam ikur për studime, më duket se i jam përvjedhur pak qytetit. Shpërngulja në Tiranë dhe udhëtimet e vazhdueshme më kanë mbajtur peng. Por përtej ­çdo kufizimi kohor e hapësinor, Mitrovica është gjithnjë shtëpia ime. Shkruaj shpesh për të, edhe pse miqtë me kritikojnë së jam ngjitur fort pas qytetit. Por, në zemër thellë-thellë ruaj lidhjen intime që kam me çdo grimcë të Mitrovicës.

Si e shihni në optikën tuaj realitetin e shoqërisë kosovare?

E kam parë me lente optimiste deri vonë. Isha tepër optimiste. Por gjërat ndërruan avash-avash.

Kosova e viteve 2000 ishte një valixhe e mbushur përplot me pritshmëri. Vitet e pasluftës janë karakteristike sepse populli tej dhimbjes dhe humbjeve, korri shpresën për atdheun e lirë; të shqiptarëve dhe me shqiptarët.  E si për ironi, qytetarët u ndeshën me zhgënjimin e madh kur pak më vonë kuptuan se liria kishte ardhur me kosto të lartë sociale, ekonomike, politike e kulturore. Edhe sot që flasim, kompromisi me ndërkombëtaret është kryefjala e politikës shqiptare në Kosovë. Qeveritë që vijnë e shkojnë promovojne liderët, që u formuan gjatë përmbysjes së rendit kulturor e politik.  Në thelb këta nuk janë intelektualë të mirëfilltë, por sajime të dala prej boshllëkut që kishte lënë pushtimi serb.

Nuk mund të mohohet ndihma e të huajve karshi shqiptarëve. Por shqetësim i patjetërsueshëm mbetet mentaliteti neo-kolonialist që u instalua në Kosovën e rrënuar e të djegur. Administrimi i papërgjegjshëm i ndërkombëtareve gërshetuar me uzurpimin e vendorëve, i solli Kosovës është punuar për formën sesa për substancën e problemeve. Si në çdo shtet tjetër të Ballkanit, edhe një kulturë politike që as duhej e as nuk ishte e dobishme për zhvillimin e saj.

Ç’mund të na thoni për realitetin e gruas sot dhe veçanërisht të gruas muslimane? Cilat janë sfidat me të cilat përballet ajo sot?

Me miq, Stamboll

Më pëlqen shumë kjo pyetje! Për të parën herë dikush nuk më pyet për rolin e gruas, por për realitetin me të cilin përplasemi përditë. Gruaja është krijim i përsosur dhe bartëse e krijimit. Në qenien e saj ngjizen elementet më të veçanta të universit, ngjyrosur me cilësi hyjnore. Sublimja për gjithësecilin prej nesh, jeton në qenien e nënës, në prehërin e saj. Për disa aty nis raporti i çiltër me gruan, kurse për ca të tjerë, ajo s’është më tepër se sa një mëkatare që përmbys parajsën e burrit.

Në Ballkan dhe më gjerë, gratë akoma portretizohen si qenie pasive, pa autoritet, të viktimizuara dhe jo mjaftueshëm të afta. Atyre nuk u mohohet rëndësia kur bie fjala tek riprodhimi, edhe pse këto “nëna heroina” që garantojnë të ardhmen e shtetit nëpërmjet biologjisë së tyre, përherë nënvlerësohen për punën brenda ose jashtë mureve të shtëpisë. Dhe në lindje madje, ato janë imperative vetëm kur sjellin në jetë foshnjën djalë. Këto përzierje keqkuptimesh e keqperceptimesh vijnë si pasojë e shkallës së ulët të vetëdijes, mosedukimit, zhvillimit të vakët ekonomik, mendësisë misogjenike, mungesës së mbështetjes kolektive dhe mbi çdo gjë si pasojë e një sistemi të instaluar kaherë, i cili papushim paralizon rrjedhën e jetës duke i sforcuar njerëzit të shkëputen nga të menduarit me shpirt.

Nga një anë, gratë moderne janë të mashtruara me nocione false dhe kërcënohen vazhdimisht nga çmenduria. Janë të pakta ato gra që e krijojnë vet jetën e tyre, e bashkë me të edhe lirinë. Goditjet kundër tradicionales për hir të vëmendjes publike janë shenja të shpërlarjes së trurit në periudha të gjata kohore. Ka tendencë të habitshme për një lloj “neutraliteti gjinor” i cili në vete është i padrejtë dhe nuk promovon as barazi, as qetësi e as bashkëjetesë të frytshme. Ne shohim çdo ditë gra në Parlament, në Gjykatë, nëpër Ministri, ushtri, polici, arsim, shëndetësi etj. Duket se është rritur numri i grave nëpër pozita e institucione. Paralelisht janë shtuar dozat e avazit të vjetër “le te jenë gratë në institucione, sa për sy e faqe. Për hir të kuotave. Për hatër të ndërkombëtarëve”. Janë shtuar organizatat jo-qeveritare me (pseudo) projekte, zëra të heshtur për luftë kundër padrejtësive. Ka ca lëvizje feministe që ngushtohen nga mungesa e fondeve prej “jashtë” dhe tek- tuk naj iniciativë individuale për të ndihmuar gratë në nevojë.

Në anën tjetër, gruaja muslimane është e predispozuar për t’u përballur me më shumë sfida se sa gratë e tjera, sepse asaj i duhet të luftojë me padrejtësitë e sistemit që i cungojnë përditë feminitetin; ajo është e detyruar të vetëmbrohet sidomos në kohët tona kur imazhi i saj është projektuar si “tjetri” në mendjen e një qytetari modern kurse brenda komunitetit ajo shtypet prej interpretimeve të ftohta që bëhen prej disa teologëve apo prijësve fetarë. Gratë muslimane sfidën më të madhe kanë shkëputjen prej mësimeve të Kuranit dhe traditës së Profetit Muhamed. E them këtë sepse në leximet dhe studimet e mia modeste, kam gjetur dimensionin më të çmueshëm, më unik dhe më të papërkufizueshëm (për shkak të mrekullisë që e karakterizon) për gruan, si mishërim i mëshirës, ndër të tjera. Mosnjohja e së kaluarës dhe pozitës së saj në Islam, ka bërë që gruaja të gjendet përballë sfidave të mëdha që e shpallin të pavlefshme.

Unë habitem nga tërbimi i disa feministëve kur vihet theksi tek gratë e mbuluara, ndërkohë që ato heshtin edhe pse trupi i prostituuar i gruas gjendet kudo, pornografia lulëzon, vajzat ekspozohen si mallra dhe ato akoma nuk kanë guxim me lëviz lirshëm rrugëve të qytetit. Dua të them se, mungesa e një mbështetjeje kolektive, mungesa e përkrahjes së grave prej grave është më e rëndë se sa kërcënimet e tjera. Sado flasim me fjalë të mëdha, gratë mbetën të ngujuara prej këtij sistemi, të sulmuara dhe pa mundësi të barabarta edukimi e punësimi.

Justice without reconciliation. France

Në tri pika, si mund të bëhet më e mirë kjo botë sipas Fjollës?

Kjo botë ka qenë më e mirë kaherë por egoja njerëzore, lufta për pushtet dhe zbehja e dashurisë e ka trazuar. Le të themi se mund të ndreqet:

  • Duke u vetëdijësuar për mrekullinë që Zoti ka krijuar brenda nesh
  • Duke fal dashuri pa kushte
  • Duke e edukuar veten nëpërmjet leximit, reflektimit, shoqërimit me njerëz të mirë.

Sa e lidhur është Fjolla me familjen?

Familja është forca dhe dobësia ime. Si fëmija i parë, më ra për hise që herët kujdesi i shtuar ndaj familjes. Babi është krahu mbështetës më i forti për mua. Mami është personifikimi i Dashurisë së Përtejme dhe Urtësisë së Bekuar. Mbushem me gaz e krenari kur shoh motrën e vëllanë teksa bëhen qytetarë të shëndoshë, me parime e integritet të pacënueshëm. Ne flasim e konsultohemi me njëri-tjetrin vazhdimisht, edhe pse secili ka pasione e punë të ndryshme. Jemi rritur dhe edukuar prej dy prindërve që na kanë mësuar me kohë se njeriu mbi të gjitha duhet të jetë njeri, kurse dija duhet korrur e kërkuar, qoftë edhe përtej oqeanit. Në anën tjetër, lidhja që kam me të fejuarin është udhë e pandërprerë për tek Bukuria e Pafundme.

Po me shoqërinë?

Shoqëria është dhurata e tejçmueshme që Zoti më ka fal në rrugëtimin tim mbi Tokë. Prej punës dhe udhëtimeve jam ndeshur e kam takuar shpirtëra fisnikë e të rrallë, prej të cilëve kam mësuar pafund. Në Tiranë kam gjetur shoqe që më janë bërë motra e prej të cilave kam mësuar shumë për dashurinë dhe jetën. Në Mitrovicë kam shoqërinë e fëmijërisë, mbretërisë sime. Me kalimin e viteve, e kuptoj se gjërat më të mira në jetë, njeriut i vijnë si lehtësim dhe përkujtim. Pra, shoqëria ime e shpirtit është e tillë!

Cilat janë disa nga angazhimet tuaja aktuale?

Momentalisht jam e përqëndruar në studime dhe hulumtime. Udhëheq projektin “Gratë dhe Paqja” ku ndër të tjera, pjesë e programit janë edhe ligjëratat lidhur mbi metodat e hulumtimit dhe mendimin kritik.  Prej më shumë se një viti punoj si këshilltare politike për deputetet e reja në Kuvenin e Kosovës. Në të njejtën kohë, shkruaj e publikoj artikuj, hulumtime në revista e portale brenda dhe jashtë vendit.

Cili është raporti juaj me dijen dhe librin në veçanti?

Washington

Mbaj mend vitin 1999. Ditën që do lëviznim prej shtëpisë, unë po hapja një gropë në tokë. Aty do fusja librat e klasës së parë, meqë në çantën time të krahut babi tha se do fusnim ilaçe për t’i patur me vete, në rast nevoje. Dija është hallkë e lartë e lidhjes me jetën dhe rrethin ku jetojmë. Dija është ura mes nesh e të tjerëve. Jam përpjekur të shpenzoj një pjesë të madhe të jetës dhe kohës duke lexuar, duke shkruar dhe duke e edukuar veten time, sepse nxënia e dijes për mua mbetet amaneti i parë.

Si fëmijë kam qenë lexues grabitqar. Rrija me orë të tëra në bibliotekën e shkollës dhe atë të qytetit. Gërmoja nëpër raftet e librave kur më lejonin punonjësit. Vetëm t’u mbaja erë librave më mjaftonte. Leximi ka qenë zanati im i parë.

A mund të na zbuloni disa nga planet tuaja të ardhshme?

Fryma jonë është e falur. Fuqia jonë për të punuar e për të lexuar është në duar të sigurta, ama sërish unë s’jam njeri i planeve të mëdha. Vetëm për një gjë mund të flas me siguri: mbetem nxënëse shembullore e dijes. Pra, s’do pushoj së studiuari. Projekti për gratë e Mitrovicës po vazhdon dhe uroj që të ketë begati për qytetin e qytetarët. Me sa shoh, do vazhdoj punën edhe si këshilltare politike. Paralelisht do shkruaj. Krijimtaria është më tepër se ngjarje apo ndjenjë. Dhe, s’do rresht së ndihmuari gratë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Të shkruash dhe të japësh nga vetja, është çlirim dhe lehtësim.

Mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Familja”?

Shëndeti mendor dhe fizik është begati e madhe! Koha e lirë është përgjegjësi! Leximi është rruga për me tejkaluar vetenn dhe botën e vogël të shqiptarëve. Reflektimi i rrit në shpirt njerëzit. Ndaj, uroj që lexuesit e “Familjes” të kenë gjithë çfarë është më e mira për ta, të falin shumë, të kultivojnë durimin dhe t’i thyejnë kutitë brenda së cilave u kanë thënë të tjerët se duhet jetuar. Puna e ndershme është çelësi i jetës së bardhë. Edhe të mos përtojnë të falin dashuri dhe të kujdesen për njëri-tjetrin!

Revista “Familja”, janar 2017