Forma dhe funksioni i xhamisë së Profetit (a.s.) në fillimet e saj

129

Brunilda Basha, arkitekte

Në Islam, besimtarët dhe nocioni i xhamisë si qendër e komunitetit janë dy elementë të pandashëm. Xhamia është aq e vjetër sa dhe njeriu në tokë. Jeta e besimtarit nuk mund të paramendohet pa institucionin e xhamisë e cila si një qendër komunitare duhet gjithmonë, sa më shumë të jetë e mundur, të zërë vendodhjen qendrore dhe më strategjike në fshatra, lagje, qytete. Në çdo shtresore të ekzistencës së tyre konceptuale dhe fizike, xhamitë duhet të mishërojnë dinamizmin, pragmatizmin, universalizmin, dhe shkëlqimin e mesazhit islam pasiqë janë pasuria më e madhe e bashkësisë muslimane.

Pasi Profeti Muhamed (a.s.) emigroi nga Meka në Medine, detyra e parë dhe e menjëhershme në lidhje me ndërtimtarinë e komunitetit ishte të ndërtonte xhaminë qëndrore të qytetit (Medines).

Çdo ndërmarrje tjetër, duke përfshirë edhe ndërtimin e shtëpive për emigrantët (muhaxhirët) shumica e të cilëve ishin të varfër dhe praktikisht pastrehë, u shtynë deri sa Xhamia e Profetit ishte përfunduar. Forma e xhamisë ishte jashtëzakonisht e thjeshtë.

Në fillim, Xhamia e Profetit ishte vetëm një skelet. Muret e saj përbëheshin nga tulla balte të vendosura mbi themele guri, pa çati dhe zinte një hapësirë afërsisht 1.200 metra katrorë. Asnjë pjesë e saj nuk ishte e mbuluar me çati. Kishte tre hyrje kyesore, nga jugu, lindja dhe perëndimi. Ndërsa në pjesën veriore ndodhej muri i kibles përballë el-Mesxhid el-Aksa në Jerusalem. Pas 16 ose 17 muaj pas hixhrit (emigrimit), kibles iu ndryshua orientimi nga el-Mesxhid el-Aksa në el-Mesxhid el-Haram, (Kibla e sotme). Pas këtij ndryshimi, muri jugor i xhamisë u mbyll pasi  filloi të funksionojë si anë e re e Kiblas, ndërsa në murin nga ana veriore u hap një hyrje e re.

Forma imagjinare e Xhamisë së Profetit pasi muri i Kiblës u ndryshua nga orientimi nga el-Mesxhid el-Aksa në el-Mesxhid el-Haram.

PhopetMosqueDiagram2__732x444

Në dorëshkrime të shumta mbi specifikat e arkitekturës së xhamisë shënohet se themelet u ndërtuan me materiale guri në një thellësi rreth 1.5 metra, ndërsa muret ishin 75 cm të gjëra. Xhamia ishte e mbuluar me trungje palmash dhe trarë druri, e sipër tyre ishin vendosur gjethe palme. Këto të fundit, siguronin mbrojtje nga shiu dhe krijonin hije për përdoruesit e xhamisë. Në drejtim të Kiblës kishte gjashtë portikë, secili kishte 6 shtylla (trungje palme). Në anën e pasme të xhamisë ka pasur një pjesë të mbuluar ku muhaxhirët e pastrehë (emigrantët) u strehuan. Lartësia e kulmit të xhamisë ishte e barabartë me lartësinë e një njeriu (me duart e ngritura).

Me rritjen e angazhimeve dhe kërkesave të shoqërisë muslimane, u zhvillua dhe forma e xhamisë. Afërsisht tre vjet para vdekjes së Profetit, në vitin e 7-të të hixhretit (629), Profeti (a.s.), iu përgjigj  nevojave të krijuara nga rritja e shpejtë e adhuruesve, dhe e zgjeroi në mënyrë të konsiderueshme hapësirën e xhamisë rreth 2,500 metra katrorë. Kështu, gjatë kohës së Profetit, xhamia u zhvillua nga një strukturë e thjeshtë dhe pa  çati në një institucion relativisht më të ndërlikuar që filloi të trajtonte dhe elemente të tjera arkitektonike; si mbulimin e pjesës së sipërme  në formën e një kolonade, vendosja e kalldrëmave në një nga portat e saj, shtimi i një minberi dhe një vendi specifik për qëllime komunikimi, u vendosën llamba për ndricimin e xhamisë natën, disa ndarje të hapësirave të cilat lehtësuan funksionet e ndryshme të xhamisë, dhe u vendosën disa persona përgjegjës për të mbajtur ambjentin e xhamisë pastër.

medina_diagram_704x719

Në orbitën e arkitekturës, dallojmë tre elementët e pandashëm: nevojat e njerëzve, funksioni dhe forma, që njëkohësisht përbëjnë trinitetin arkitektonik të xhamisë. Në fakt, të gjitha parimet kryesore të Arkitekturës Islame mund të thuhet se frymëzuan pikërisht nga përvoja e Profetit a.s në ngritjen e qytetit Islam të Medines. Principet mund të përmblidhen në;  marrëdhënia funksion-formë, bashkëjetesë paqësore me mjedisin (zhvillim i qëndrueshëm), pastërtia, bashkëveprim social, qasje estetike, konsiderim i ekonomisë, ndikimi i kulturës së vendit dhe përdoruesve të objektit, respektimi i të drejtave të njerëzve duke mos i penguar me zhvillimin urbanistik apo arkitekturor etj.

Meqënëse Xhamia e Profetit ishte qendra e gravitetit në cështjet e komunitetit musliman në Medinë, forca  dhe statura e saj ishte epitet i forcimit të Islamit dhe muslimanëve.

Kjo xhami që në fillim shërbeu si një qendër e mirëfilltë për zhvillimin e komunitetit, dhe shumë shpejt u kthye në një kompleks multifunkional duke u shnëdrruar kështu në një katalizator  dhe standart i ndërtimtarisë nëpër territoret muslimane.

Shkurt 2017