Ftesë për reflektim (16 nëntor 1990 -2014)

43

Shfaqet filmimi i ceremonisë së rihapjes së Xhamisë së Plumbit, të premten e 16 nëntorit 1990

“Nuk kisha gajle edhe sikur të bija kurban!” (Hafiz Sabri Koçi, 16.11.1990)

Në një aktivitet special të organizuar nga Myftinia e Shkodrës, më dt.14.11.2014, në orën 17:00 u shfaqën filmimet e ceremonisë së rihapjes së Xhamisë së Plumbit në kinemanë “Milenium” të Shkodrës.

Pas shumë kërkimesh është arritur të sigurohet incizimi i plotë audioviziv i kësaj ceremonie. Prezentë në këtë shfaqje ishin krerë të lartë të të gjithë besimeve fetare, përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore dhe OJF-ve, besimtarë dhe qytetarë të shumtë të qytetit të Shkodrës.

Në këtë eveniment merrte pjesë edhe drejtoresha e shoqatës kulturore “Gruaja”, znj. Ndriçime Zekaj, si dhe përfaqësuese të tjera të kësaj shoqate; znj. Arjeta Pelinku, znj. Armida Plumbi dhe znj. Albana Fisniku.

Fjalën e rastit e mbajti myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari dhe kryetari i KMSH-së, z. Skënder Brucaj.

Më pas të gjithë të pranishmit patën mundësin të ndiqnin pamjet e ceremonisë së rihapjes së Xhamisë së parë në Shqipëri, pas 23 vitesh privimi nga liria e besimit.

Një verset i Kuranit thotë: “Ai (Allahu) ngjall të vdekurin dhe përtërin tokën mbasi të jetë bërë shkrumb”. Na u kujtuan këto fjalë në këto ditë nëntori, kur pas vitesh heshtje, u rihap xhamia e parë, që sinjalizoi rikthimin e besimit në jetën e shqiptarëve të përvuajtur.

Më 16 nëntor 1990 u zhvillua ceremonia e rihapjes së saj në praninë e 50 mijë vetave, të ardhur jo vetëm nga qyteti, po edhe nga fshatrat. Në fjalën e hapjes, i nderuari Haxhi Hafiz Sabri Koçi (Allahu e mëshiroftë), kryetar i Bashkësisë Islame të Shqipërisë, vuri në dukje nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri e në çdo kohë. Ai pasi falënderoi Zotin për mirësitë e Tij të panumërta, vlerësoi lart mundin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që ndihmuan në rikthimin e xhamisë në gjendjen e saj  funksionale.

Hapja e Xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë që dha sinjalin fatlum se Islami jo vetëm që nuk ishte harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e shqiptarëve.