Gjuha e dhunshme në median shqiptare

59

Nga Jolanda Lila

Është pranuar tashmë gjerësisht se funksioni edukues është një nga funksionet më të rëndësishme të medias, që zakonisht, renditet menjëherë pas atij informues. Fatkeqësisht, në median  shqiptar të ditëve të sotme ky funksion është zvetënuar dhe amorfizuar, saqë rallë  mund të gjesh një rubrikë periodike, apo një autor të qëndrueshëm që ushqen shpirtrat e lexuesve shqiptarë me mesazhe shprese, barazie, drejtësie, dashurie, etj.

Në shumë raste, mediat shqiptare kanë rënë në kurthin e shpërfaqjes së gjuhës së urrejtjes, e cila është e ndjeshme veçanërisht në pasqyrimin e ngjarjeve politike, ku gazetarët rreshtojnë pa hezitim replikat denigruese të politikave, duke rënë kështu në grackën e gjuhës propaganduese dhe duke u kthyer në zëdhënës të tyre. Ky riprodhim i panevojshëm i gjuhës së urrejtjes më shumë sesa informon publikun, përcjell tek ata psikozën e pasigurisë për jetën, mungesën e shpresës, besimit, alternativës udhëheqëse dinjitoze dhe prodhon gjendje stresi e mosbesimi tërësor për perspektivën.

Një prej gazetarëve e menaxherëve më të suksesshëm të medieve në Amerikë, arriti të zhvillojë prej faktorit pozitivizëm një filozofi të vërtetë të re për gazetarinë. Themeluesi i së përditshmes amerikane “USA Today”, Allen Neuharth propagandonte me sukses të madh gazetarinë e shpresës “Journalism of hope”. Kështu, për shembull, kur ndodhi rrëzimi i një avioni dhe gjithë gazetat hapeshin me titullin për 57 viktima, titulli, me të vërtetë gjenial i “USA Today” po atë ditë thoshte: “Një mrekulli: 327 shpëtojnë, 57 vdesin”  (Prichard 1987, 293).

Shembuj të tillë të gazetarisë janë domethënës dhe mund të përdoren me sukses edhe nga gazetarët shqiptarë,  sepse nuk duhet të harrojmë se liria dhe përgjegjësia e të shkruarit duhet të jenë në të njëjtin nivel.

Nëse i referohemi pasqyrimeve të gazetave kryesore shqiptare, konstatojmë se skema e ndarjes së hapësirës së pasqyrimit, sipas sferave shoqërore është e organizuar në këtë mënyrë: 5 faqe i përkasin lajmeve të politikës (këtu hyjnë edhe 2 faqe me komentet dhe analizat, të cilat kanë në përmbajtje frymën politike); 6 faqe i dedikohen lajmeve sociale, ose të aktualitetit (rreth 80% e kësaj hapësire mbushet me lajme të kronikës së zezë); 2 faqe pasqyrojnë lajmet e zhvillimet kulturore (recensionet për librin, apo analizat e thelluara mbi artin publikohen vetëm në një ditë të javës si “suplement”, apo shtojcë e posaçme e gazetës); ndërsa nga një faqe u dedikohet lajmeve sportive, lajmeve nga rrethet dhe nga bota dhe pjesa tjetër janë reklama e rubrika me informacione utilitare.

Pa depërtuar në analiza të përthelluara, thjesht duke gjykuar raportin e hapësirës së publikimit mes fushave të veprimtarisë jetësore, konstaton lehtësisht se ushqimi i përditshëm shpirtëror për shqiptarët janë zhvillimet politike (zbardhja e fyerjeve dhe e ligjëratave të politikanëve, plot akuza e kundërakuza), ose ngjarjet shokuese të vrasjeve, vetëvrasjeve, aksidenteve, varfërisë, apo problemeve të tjera të përditshmërisë. Përderisa këto ngjarje ndodhin, detyra e gazetarit është t’i pasqyrojë ato edhe për publikun e gjerë, por problemi qëndron në deformimet dhe në vënien e theksit tek individët (të cilët shpesh maten me forcën, pozitën e tyre dhe nuk shihen objektivisht) dhe jo tek fenomenet, duke e kthyer në këtë mënyrë konformizmin si vlerë mbizotëruese.

Nëse ka një vlerë për të cilën të gjithë njerëzit bien dakord (me përjashtim ndoshta të disa fanatikëve), kjo është mbijetesa e qenies njerëzore. Ky merak duhet t’i shqetësojë të gjithë, pavarësisht ideologjisë dhe besimit, pasi ato nuk kanë qenë asnjëherë më të kërcënuara sesa sot. Armiku i tyre është zbuluar: është vetë njeriu. Të gjithë duhet të ndjehen përgjegjës.

Për fat, ngjet që ata të ndajnë disa vlera mbi të cilat të mbështesin moralin shoqëror dhe këto vlera janë: respekti për jetën njerëzore, kujdesi për të mos e dëmtuar individin, mbrojtja e drejtësisë dhe e të drejtave të njeriut, përmirësimi i jetës së të tjerëve, demokracia, etj.

Rregullat morale, të cilat udhëheqin jetën njerëzore, duhet të jenë kryefjala e gjuhës së gazetave, në mënyrë që shoqëria të ushqehet me modele pozitive dhe edukative e të mos fitojë imunitet, duke i konsideruar “të zakonshme” mesazhet e dhunshme dhe shkrimet ku aludohet mungesa e perspektivës. Gjuha e dhunshme dhe informacionet shokuese shpërfaqin terror psikologjik përshoqërinë shqiptare, prandaj media duhet të luajë rolin që i takon për të informuar dhe jo për të traumatizuar shoqërinë përmes transformimit të realitetit.

Revista Familja, janar 2016