Hapjani zemrat tuaja Kuranit!

30

Nga Altin Shehu

Në Kuranin Fisnik gjendet një ajet që është përsëritur në katër vende. Ajeti “Allahu është i kënaqur me ta, por dhe ata janë të kënaqur me Atë.”, është përsëritur në suren El – Maide (ajeti 119), në suren Et-Teube (ajeti 100), në suren El-Muxhadele (ajeti 22) dhe në suren El-Bejine (ajeti 8)

“Allahu është i kënaqur me ta, por edhe ata janë të kënaqur me Atë. “

Ky ajet kuranor formohet nga dy pjesë:

Pjesa e parë: “Allahu është i kënaqur me ta “

Kjo është ajo që të gjithë ne e dëshirojmë dhe përpiqemi për ta arritur. Mendoj se kjo pjesë është e kuptueshme për të gjithë ne.

Pjesa e dytë: “por edhe ata janë të kënaqur me Atë. “

Këtu lind pyetja: “A je i kënaqur me Zotin tënd? ”

Është një pyetje e vështirë. A nuk është kështu?

Më lejo ta riformuloj pyetjen përsëri.

A e di ti se çfarë do të thotë që ti të jesh i kënaqur me Zotin tënd?

Të jesh i kënaqur me Zotin është kur ti i dorëzohesh Atij dhe kënaqesh për çdo gjë që Ai të jep, e mirë apo e keqe qoftë.

Të jesh i kënaqur me Allahun do të thotë se kur të vjen një sprovë apo fatkeqësi, zemra te mbushet me bindje e siguri, sepse Zoti yt nëpërmjet saj, ka dëshiruar për ty të mirën.

Të jesh i kënaqur me Allahun do të thotë që ti mos t’u ankohesh njerëzve, por çështjen tënde t’ia lësh në dorë Atij.

Të jesh i kënaqur me Allahun do të thotë që të kënaqesh me Atë kur të jep, kur të privon, kur të pasuron, kur të merr diçka, kur të sëmur dhe kur të shëron; pra të jesh i kënaqur në çfarëdo situate.

Shiko përreth vetes tënde dhe pyete atë:

A je i kënaqur me pamjen tënde, me bashkëshorten/in, me familjen dhe me fatin tënd?!!

Të gjitha këto gjëra, Zoti yt i përzgjodhi për ty. Prandaj, a je i kënaqur me ato gjëra që Allahu t’i ka përzgjedhur ty?!

 

Janë 5 gjëra që ti duhet t’i kuptosh nëpërmjet meditimit tonë rreth këtij vargu kuranor; ato janë:

1—Të jesh i kënaqur me Allahun, nuk bie në kundërshtim me gjendjen (me dhimbjen që ti përjeton ndonjëherë për një arsye apo tjetër) tënde. Ne jemi njerëz në këtë botë, e cila është vend i sprovës prej së cilës askush nga ne nuk shpëton.

2—Ka një ndryshim midis durimit dhe të qenit i kënaqur; kjo e fundit është një shkallë më e lartë se durimi. Të tregohesh i durueshëm do të thotë që ti t’i përballosh dhimbjet, sepse kjo është pjesë e kaderit”; ti nuk ke asgjë në dorë, përveç durimin; të falënderosh Zotin për gjendjen në të cilën ndodhesh, është shprehje se ti je i kënaqur me caktimin e Zotit.

3—Të jesh i kënaqur me Allahun është një pozitë e lartë, të cilën nuk e arrin vetëm se ai person zemra e të cilit i mbushet me dashurinë për Allahun. Rreth nesh gjenden njerëz të cilët kur i godet ndonjë gjë, nuk dëgjon nga gojët e tyre duke thënë vetëm se thënien e të Dërguarit të Allahut: “Radijtu bilahi Raben, ue bil-islami dijnen, ue bi Muhamedin (a.s). nebijen ue resula” (Jam i kënaqur që Zoti im është Allahu; feja ime është Islami dhe Muhamedi (a. s.) është Profet dhe i Dërguari i Allahut.)

4—Dije se Allahu nuk të sprovon ty, vetëm se t’i fal gjynahet, të të lartësoj pozitën në Xhenet. Prandaj, kënaqu me caktimin e Zotit tënd!

5—Kur njeriu nuk është i kënaqur me caktimin e Zotit, madje edhe nëse zotëron të gjithë dynjanë, ai kurrë, nuk ka për t’u kënaqur.

“Kush kënaqet, ka për të gjetur kënaqësinë dhe kush nuk kënaqet, ka për të gjetur pakënaqësinë.” (Hadith)

Pra, njeriu i pakënaqur do të jetojë një jetë të vështirë dhe jo të bereqetshme. Prandaj, duhet të meditojmë rreth këtij vargu kuranor.

—Medito rreth jetës tënde, silli ndërmend çdo gjë që të është privuar apo të është marrë; pyete veten se a je i kënaqur me caktimin e Allahut? Përsërit në vetveten tënde shprehjen: “Unë jam i kënaqur me Ty, o Allah! Prandaj, kënaqu me mua.”

—Kontrolloji fjalët dhe sjelljet e tua. Nëse je prej atyre që nuk rreshtin së ankuari, dije se ti je njeriu më i dëshpëruar.

—Kujto se kënaqësia ndaj caktimit të Zotit, është rruga e fitimit të kënaqësisë së Tij.

—Afroju Zotit me çdo vepër që shton dashurinë ndaj Tij. Kur e do Zotin, do “kadanë dhe kaderin” caktimin e Tij.

Kalofshi momente të mbushura me përkujtimin e Allahut!

 

Qershor 2017