Haxhi, histori feje dhe qytetërimi

59

Alban Kodra

 Miliona muslimanë nga e gjithë bota mësyjnë çdo vit drejt vendeve të shenjta në Arabinë Saudite, për të kryer detyrimin fetar të haxhit. Është ky një udhëtim që angazhon tërë qenien e muslimanit në përmbushjen e njërës prej pesë shtyllave kryesore të Islamit. Për shekuj me radhë rruga për në Mekë ka mbetur e mbushur me mall dhe shpresë. Kryerja e ritualit të haxhit, së paku një herë në jetë, është për muslimanin kurorëzim i dëshirave dhe i ëndrrave të tij, një kalim përmes rrugës së vështirësive, për të kënaqur shpirtin dhe zemrën me shikimin e Shtëpisë së Lashtë, puthjen e Gurit të Zi, e më pas me përshëndetjen e Profetit të dashur gjatë vizitës së varrit të tij në Medine. Nga ajo ndërtesë kubike e veshur me të zezë, besimtari kthen kraharorin dhe fytyrën e tij pesë herë në ditë, duke e pasur drejtimin e namazit të tij. Dhe kështu qëndron me shpresën se do të vijë dita kur do ta plotësojë fenë e tij, duke udhëtuar drejt këtij vendi të shenjtë, për të rilindur nga e para.

Është pikërisht ky mall që e ka kthyer udhëtimin e haxhit në një sezon të shpirtit e të mendimit e jo vetëm kaq, por edhe sezon tregtie dhe mirësie. Në memorien e njerëzimit haxhillëku në Mekë konsiderohet si sezoni më i madh në histori. Të gjitha rrugët të çojnë drejt Mekës. Historikisht haxhilerët kanë përshkuar me mijëra kilometra në këmbë apo hipur mbi kafshë, duke sfiduar stuhitë dhe rreziqet e shkretëtirës, ose i janë afruar Mekës nëpërmjet portit të Xhedës, duke sfiduar dallgët dhe rreziqet e detit. Në përshkrimin e këtij udhëtimi janë shkruar me mijëra vargje e rreshta nga poetë, shkrimtarë, dijetarë, aventurierë, princër e princesha. Prandaj dhe qyteti i Mekës ka bashkuar dhe ende vazhdon të bashkojë të gjitha ngjyrat dhe racat njerëzore, që i kanë sjellë asaj pasuri të vazhdueshme, si vërtetim i lutjes së atit të profetëve, Ibrahimit (a.s.): “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” (Kuran, 2:126)

Në këtë panoramë edhe muslimanët shqiptarë kanë lënë gjurmët e tyre. Historia përmend se si disa nga valinjtë e Shamit dhe të Hixhazit gjatë sundimit osman, të cilët ishin me orgjinë shqiptare,  kanë ndërtuar rrugës nga Siria për në Mekë fortesa dhe komplekse për të mbrojtur dhe për të pritur karvanët e haxhilerëve që drejtoheshin nga Ballkani e Anadolli për në Mekë. Rruga e haxhilerëve shqiptarë ishte ajo e “Haxhit të Shamit”, e cila kalonte përmes Anadollit në Damasak e më tej në jug: Jordani, Hixhaz. Kjo ishte rruga ku puqeshin popuj dhe qytetërime të ndryshme. Në Damask takoheshin haxhilerët nga tokat e Rumelisë, haxhilerët nga Halebi dhe haxhilerët nga tokat e Persisë.

1438375963765

Para se të niseshin, haxhilerët kthenin borxhet dhe kërkonin i hallallëkun njerëzve të rrethit familjar e shoqëror, me qëllim që të mos lënin pas detyrime. Duke qenë se udhëtimi i haxhit zgjaste shumë, pothuaj një vit për haxhilerët e këtyre trojeve, shumë prej tyre merrnin me vete mallra, me qëllim që rrugës të bënin tregti në qytetet e mëdha ku kalonin e qëndronin, veçanërisht në Stamboll dhe në Damask. Ky i fundit shndërrohej në një panair të madh tregtar kur karvanët e haxhit mblidheshin aty dhe bëheshin gati për t’u nisur drejt Mekës nën komandën e Emirit të Haxhit, të emëruar prej shtetit osman, në shenjë kujdesi për sigurinë dhe mirëqenien e haxhilerëve.

Lidhjet e shqiptarëve me haxhin vazhduan edhe pas Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe grupet e haxhilerëve udhëhiqeshin nga drejtuesit e Komunitetit Musliman të themeluar në vitin 1923. Ata mblidheshin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë në Tiranë, për të vijuar rrugën drejt jugut, nëpërmjet Elbasanit, derisa të dilnin në Greqi, Turqi e më pas Siri, Jordani dhe Arabi Saudite. Në qytetet shqiptare karvani i haxhilerëve përcillej nga myftinjtë dhe besimtarët vendas, me lutjet dhe urimet më të mira. Fjalimet përshëndetëse rreth rëndësisë së haxhit dhe vlerave të tij ishin të shpeshta dhe mbaheshin nga krerët fetarë apo nga nxënësit e shquar të medreseve.

Kjo situatë vazhdoi kështu deri në vitin 1938, kur u ndërprenë lidhjet me botën islame. Pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri erdhi në fuqi sistemi komunist, i cili gradualisht e reduktoi deri në ndalim veprimtarinë fetare. Në këtë kuadër, edhe udhëtimi i haxhit nuk e krye më gjatë kësaj kohe, deri në vitin 1991, kur sistemi u ndërrua. Prej atëherë, grupet e haxhilerëve nga Shqipëria iu rikthyen me mall vendeve të shenjta. Tanimë, pavarësisht shtrenjtimit të vazhdueshëm të haxhit dhe kushteve të vështira ekonomike në Shqipëri, kërkesat janë gjithnjë në rritje, çka dëshmon dashurinë që Zoti i Madhërishëm ka vënë në zemrën e çdo besimtari  për këto vende të shenjta.

img_0263

Revista “Familja”,  tetor 2016