Heroina të heshtura

16

Nga: Lumnika Triest-Kaceli

Çdo vit kur afron dita e nënës, njerëzit nxitojnë të vizitojnë nënat e tyre. Është pikërisht momenti për t’i vënë edhe njeherë në pah atyre dashurinë për to, si edhe për t’i gëzuar me ndonjë dhuratë. Sigurisht edhe media e tregtarët bëjnë më të mirën e mundshme për t’i informuar njerëzit me këshilla e truke se si t’i kënaqim nënat sa më mirë. Çdokush e ka apo e ka pas një nënë, e cila zë një vend të veçantë në zemrën e tij apo të saj, një nënë që kur mendon për të një ndjenjë e ngrohte i përshkon trupin e zemrën. Me të vërtetë është nëna ajo që e lind fëmijën, ajo që me sa mundim e durim e rrit atë nga në foshnje, një krijesë plotësisht e varur deri te një të rritur krejtësisht të pavarur. Pikërisht në sferën e kësaj dite, kujtimet e mia u shtynë thellë në vite e mu kujtua papritmas një nënë e veçantë. Nuk është fjala për nënën time, të cilën unë vazhdimisht e kam ndërmend dhe e kujtoj me mall e dashuri.  Nuk është fjala as edhe për nënë Terezën, shqiptaren e famshme, e cila u quajt nëna e të varfërve dhe mori nderimin e konsideratën nga bota mbarë për arritjet e saj. Në një moment të caktuar, unë u ndala te kujtimi i një nëne anonime, e cila nuk pati kurrë fatin të përkundi në krahë fëmijë të saj, në sensin biologjik nuk la pas pasardhës…

Non Ismetja nuk pati fëmijë kurrë. Ajo jetonte në kushte të vështira jetese. Regjimi komunist i instaluar në Shqipërinë e shekullit të kaluar nuk kurseu as familjen e saj duke u marrë shtëpinë e tyre. Bashke me burrin e saj e me vjehrrën e sëmurë i u desh të kalonin jetën në një banesë të vogël. Burri i saj ishte këpucar e ajo rrobaqepëse. E vogël në trup, me një palë gjyslyke të mëdha, natë e ditë e mbaj mend të përkulur mbi makinën qepëse të saj. Non Ismetja punonte fort për të siguruar ndershmërisht jetesën e familjes. Si fëmijë shkoja shpesh atje me nënën time. Gjithmonë e qeshur, gjithmonë mikpritëse, gjithmonë e gatshme për të të ndihmuar. Kurre nuk e dëgjova të qahej për padrejtësitë që u ishin bëre. Kurrë nuk e pashë të dëshpëruar për kushtet e jetesës. Kurrë nuk e dëgjova të ankohej për mos pasjen fëmije. Ajo kishte paqe me fatin e saj, e merrte jetën ashtu si i kishte ardhë, e pranonte atë si i kishte rënë për pjesë. Në anën tjetër kjo grua e vogël, por me zemër të madhe nuk i ishte dorëzuar fatalitetit. Me mënyrën e saj ajo donte të bënte diçka pozitive në jetë, të linte pas gjurmë të mira. Herë pas here merrte në shtëpinë e saj vajza të reja jetime për t’i rritur, në kushte jetese edhe më të vështira se ajo e kujdesej për to si një nënë e vërtetë. U mësonte atyre profesionin e rrobaqepsisë e gjithçka që një nënë e mirë u jep femijëve të saj. U ndihmonte atyre të martoheshin e ato vajza të reja vazhdonin jetën e tyre me tej si bashkëshorte, si nëna, si bija. E nuk ishin një e dy raste. Nuk mund t’i kujtoj sa vajza kam parë të rriten në shtëpinë e saj. Ajo shtëpi e vogël ishte kthyer në një vatër dashurie e ngrohtësie. Vërtetë nuk u dëgjua atje ndonjëherë qarja e një të porsalinduri, por përsëri shtëpia kishte gjithmonë gaz e hare. Vërtetë kishte varfëri e vështirësi, por mikpritja ishte e sinqertë. Pati vërtetë padrejtësi, por kurrë dëshpërim. Ditët e fundit të jetës non Ismetja i kaloi te një nga “bijat” e saj, te Benia, e cila me dashuri e përkushtimin shembullor u kujdes për non Ismeten deri në frymën e saj të fundit.

Nganjëherë i kërkojmë njerëzit e mëdhenj në “re”, por shpesh i kemi ata mes nesh e nuk i shquajmë dot. Janë pikërisht njerëz të tillë që nuk bien në sy, sepse ata janë tepër modest. Ata bëjnë në heshtje më të mirën e mundshme për të tjerët, ashtu thjesht, si zemra e tyre e mirë ua dikton. Dhe kështu janë nënat në përgjithësi. Ato janë heroina të heshtura. Non Ismetja, edhe pse nuk pati fëmijën e saj, ajo u bë nënë. Ajo dha dashuri të pakushtëzuar dhe mori në kthim shumëfishin e saj, jo vetëm nga bijat e saj e fëmijët e tyre, por edhe nga kushdo që e njohu non Ismeten. Jam e sigurt që ajo do të kujtohet gjithmonë si një nënë e dhembshur.