“Histori e Islamit në Kavajë”, një libër nga Rifat Hoxha

173

Trashëgimia shpirtërore dhe kulturore islame në trevën e Kavajës është boshti i librit “Histori e Islamit në Kavajë” me autor Rifat Hoxha. Kjo monografi ishte një dëshirë e hershme e autorit, nisur nga tradita fetare e familjes, por njëherësh ishte dhe një shqetësim që trashëgimia historike dhe kulturore me sfond islam nuk trajtohet në programet shkollore parauniversitare në Shqipëri. Kështu që ky libër të mund të kontribuojë në plotësimin e këtij boshllëku të krijuar ndër vite dhe të shërbejë si referencë për shkollat e rrethit që të njohin edhe këtë aspekt të historisë së tyre.
Një nga pikat interesante të librit është ajo që trajton kontaktet e para të trevës së Kavajës me Islamin. Sipas autorit, këto kontakte datojnë afro dy shekuj para sundimit osman, nëpërmjet marrëdhënieve me Siçilinë dhe Andaluzinë muslimane. Burimet tregojnë se e gjithë pjesa bregdetare e Shqipërisë nga Ulqini e deri poshtë në Sarandë ka pasur kontakte të tilla, pasi ishin pjesë e pellgut të Mesdheut që rrihej nga anijet mbretërive përreth tij. Autori përmend rastin e familjes Spanjolli të vendosur në trevën e Kavajës. Sipas gojëdhënave, tregohet se ata kanë qenë pjesë e regjimentit saraçen (me arabë të Spanjës dhe të Magrebit) të ushtrisë së Anzhuinëve, në një nga betejat që ajo ka zhvilluar me ushtrinë e Venedikut në këto brigje të Adriatikut.
Në këtë libër përmblidhen karakteristikat e periudhave historike të rrugëtimit të Islamit në Kavajë. Ky rrugëtim shkoi paralel me themelimin e qytetit në vitin 1561 nga Ali Hajdar Beu dhe me zhvillimin e tij urban dhe ekonomik. Familja qeverisëse Alltuni, sipas autorit, është ajo që i dha tonin qytetit, duke e qeverisur atë për 300 vjet. Dhe kulmin qyteti e arriti në fundin e shek. XVIII dhe fillimin e shek. XIX, kur konsujt e huaj e përshkruajnë Kavajën si një nga qytetet më të hijshme dhe më të pasura të Shqipërisë. Ky lulëzim vazhdoi deri në mesin e shek. XIX, kur qyteti u shkatërrua nga luftërat e brendshme mes vilajeteve shqiptare. Gjithsesi gjurmë të këtij zhvillimi ishin Kulla e Sahatit, Xhamia Kubelije me arkadën e saj dhe pazari karakteristik i qytetit. Autori theksoi se kompleksi arkitekturor kullë sahati, xhami dhe arkadë përbën një dukuri unike të bashkimit të tri stileve arkitekturore: evropiane (kulla), islame (xhamia) dhe heleno – romake (arkada e xhamisë, e importuar aty nga rrënoja antike në afërsi të trevës).
Rrugëtimi historik i Islamit në Kavajë, si në mbarë Shqipërinë, ka kaluar përmes një procesi të gjatë historik. Studiues shqiptar e të huaj, në harkun kohor rreth 1000 vjeçar të zgjerimit të Islamit dhe ngritjes së faltoreve muslimane, dallojnë disa periudha historike, që nisin nga shekujt VIII-X e ndalin në fund të shekullit XX. Studimet e tyre serioze, të plota shkencore hedhin dritë të qartë për këto çështje, por ato ndalin deri në fundin e shekullit, që sapo është mbyllur.
Aktualisht, Kavaja numëron 45 xhami në të gjithë rrethin, nga të cilat 7 në qytet.
Libri nxjerr në pah rrënjët e thella të Islamit në trevën e Kavajës. Popullsia e zonës së Kavajës i përbrendësoi të vërtetat e besimit islam, duke i bërë ato më tepër se moral. Kjo mikpritje e besimit që bëri të ndriçojnë në Kavajë figura të tilla fetare e atdhetare si Hafiz Ali Zëmblaku, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Kaduku etj. Autori Rifat Hoxha është vlerësuar ndër të tjera për erudicionin dhe skrupolozitetin e shfrytëzimit të të dhënave arkivore, librore dhe gojore.
Dimensione të tjera të librit përmendim: mesazhi i bashkëjetesës fetare shembullore në trevën e Kavajës, nëpërmjet përmendjes së fakteve historike që e mbështesin këtë mesazh; stili i bukur gjuhësor i të shkruarit që e bën librin të lexueshëm nga të gjitha shtresat dhe jo vetëm nga studiuesit; hapja e rrugës për zhvillimin e më shumë studimeve të tilla enciklopedike, jo vetëm për Kavajën, por edhe për zonat e tjera përreth etj.

Revista “Familja”, mars 2017