Homoseksualizmi si sjellje e vullnetshme

57

Nga Justinian Topulli

Ne besojmë me bindje se qenia humane është krijuar nga një qenie absolutisht inteligjente dhe absolutisht e arsyeshme, atribute këto të cilat i mbart në një masë të caktuar edhe kjo krijesë e quajtur njeri, si vepër e këtij Krijuesi të quajtur Zot. Për pasojë, ne nuk besojmë se njeriu është produkt i rastësishëm i natyrës së paarsyeshme që udhëhiqet nga një evolucion i verbër. Nisur nga kjo e vërtetë, që mbështet edhe nga historia e dokumentuar njerëzore, njeriu ka qenë dhe mbetet një krijesë me kufizime biologjike e sociale, kufizime këto të cilat nuk i tejkalon dot pa cënuar më parë natyrën e tij biologjike dhe normalitetin social që i përgjigjet kësaj natyre.

Kështu pra, familja, qeliza bazë e shoqërisë njerëzore, nuk mund të përbëhet në rrethana normale, vetëm se nga mashkulli dhe femra, prindi dhe fëmija dhe është dhurata e Zotit, që i përgjigjet në mënyrë të arsyeshme dhe të natyrshme nevojave biologjike, sociale dhe shpirtërore që ka kjo krijesë, ndaj dhe ajo vetëm në këtë formë është e shenjtë, dhe përbën themelin bazë dhe normativ mbi të cilin ngrihet shoqëria njerëzore kudo dhe kurdoherë. Pikërisht mbi këtë marrëdhënie të natyrshme biologjike dhe normative mbështeten edhe të drejtat dhe detyrimet ndërmjet burrit dhe gruas, prindit dhe fëmijës, të cilat nuk mund të përmbushen në asnjë formë tjetër jonatyrore dhe jobiologjike e për rrjedhojë dhe jonormative.

Homoseksualizmi është një sjellje e vullnetshme preferenciale seksuale, që përpiqet të përmbush epshin njerëzor përtej kufizimeve biologjike dhe normative, si i tillë ai nuk përbën kurrsesi një model normal jetese dhe normativ të sjelljes seksuale për racën humane, ndaj dhe nën asnjë lloj justifikimi ai nuk mund ti imponohet shoqërisë duke iu paraqitur si vlerë dhe normalitet social. Liria e sotme ligjore e individit deri edhe për të tejkaluar caqet biologjike individuale, me anë të kësaj marrëdhënie, nuk mund të shërbej kurrsesi si argument për të cenuar ligjërisht dhe shoqërisht atë që përbën normë morale dhe sociale për mbarë racën humane.

Përjashtimi në këtë rast nuk mund të kthehet në normë, ashtu siç nuk pranohen si normë as forma të tjera të refuzuara shoqërisht të seksualizmit, sepse kjo dhunon vetë shoqërinë njerëzore dhe bazat mbi të cilat ajo ka ekzistuar për mijëra vjet me radhë. Por, natyrisht ne si besimtarë mendojmë se është në nderin dhe përgjegjësinë e shoqërisë njerëzore, të mos jetë e dhunshme dhe as indiferente, për ti trajtuar këta njerëz me përkujdesin e duhur maksimal, për aq sa është e mundur, për të zhbërë këtë anormalitet të krijuar nga pasojat psikologjike, sociale apo edhe të lindura, në të cilat kanë kaluar këta njerëz.

Nisur nga ky këndvështrim moral dhe social, që mbështet jo vetëm në besimin fetar, por edhe mbi logjikën e natyrshmërisë njerëzorë si dhe në traditat dhe virtytet fisnike të popullit tonë, ne e shohim të dënueshme dhe të papërgjegjshme tentativën për të promovuar në sistemin arsimor një deviance të tillë seksuale siç është homoseksualizmi, nën çfarëdo justifikimi.

Rev. Familja, shkurt 2015