Humanisti më i madh i njerëzimit

27

Nga Sherife Kalaja

Me mijëra çaste pikëllimi, mundi e sakrifica ime trokiti në dyer lodhjeje dhe unë mendova me vete, “ç’sakrificë mund të krahasohet me ty, o i ndritur”. Ti ishe profeti i dritës mbarë njerëzore. Ndriçove errësirën e çdo zemre, e pikërisht mbi ty ranë mijëra mundime. Të flasësh për një njeri kaq madhështor është e vështirë, sepse ti e di se ajo që do të thuash është shumë pak, për të mos thënë asgjë, për një njeri që i dha kaq shumë botës nga vetja e tij. Ti ishe edukues mbarë kohor. Në udhën e trazuar të mësimeve të tua tundet djepi i Islamit.

Po e nis shkrimin tim me disa vargje që burojnë prej thesarit të artë të ndjenjave të mia për krijesën më të nderuar që ka ecur ndonjëherë në sipërfaqen e kësaj toke, të mbetur e shkretë pa hapin e tij të paqtë e të bekuar.

Ti erdhe në një botë,

Ku madhështia e Zotit tënd nuk njihej.

Jetove në një tokë,

Ku petalet e trëndafilit detyroheshin të binin,

Në gjuhët e nxehta të flakës së politeizmit.

 

Gjurmët e tua nuk u shuan kurrë,

Nga rëra në të cilën kishin zënë vend.

Çdo gjë e humbi shkëlqimin,

Me mërgimin pakthim tëndin.

 

Ti ishe dielli që ndriçoi tokën e pajetë.

Ti ishe ai që ndezi një qiri në errësirën e pafund.

Ishe ai që mbulove botën me cipën e mëshirës tënde.

 

Errësira mbuloi tokën

Dhe dukej sikur po ia merrte frymën,

Ndërsa rrezet e diellit tënd

Ndriçojnë përgjithmonë qiellin…

Vendin tënd…

 

Madhështore dhe e paharrueshme ishte ajo ditë në të cilën ti linde. Dielli nuk ndriçonte hijshëm ndaj ndriçimit fisnik të fytyrës tënde. Një vello lumturie e pafundme veshi gjithë botën natë ditë.

O pishtar ndriçues! O krijesë e bekuar! O emblema e krijesës njerëzore! Oh, sa dhimbje ndiej kur nuk mund të flas siç duhet, për një njeri që ka bërë kaq shumë për mua edhe pse pa më njohur. Ka bërë vërtet shumë për ne, sepse pa ndihmën e tij do të kishim humbur dynjanë dhe ahiretin. Ne jemi të dashurit e tij të kohërave të largëta.

Mësuesi i njerëzimit ishte ai edhe pse nuk dinte të lexonte. Shpalljet e tij hyjnore bënë jehonë, kur disa shkencëtarë arritën të zbulonin pas dekadave studimi se botën nuk mund ta njohë askush më mirë sesa Krijuesi i mbarë botës. Shkenca hulumton të thënat e 1400 viteve më parë.

A ekziston vallë një mësues kaq i suksesshëm në fushën e tij?! I tillë ishte ai … Vula e profecisë, profeti Muhamed. Sot po flitet me të madhe për humanizmin, si një teori që e përqafojnë vetëm kombet e zhvilluara e të qytetëruara. Por se sa humanistë janë thellë brenda vetes këta përfaqësues të mëdhenj të humanizmit, kjo mbetet për t’u parë në atë se çfarë ato bënë që nga veprimet më të thjeshta. E ku ka më humanizëm se sa të duash për të tjerët atë që do për veten tënde. Profeti i humanizmit, jo vetëm që ishte një përfaqësues i denjë i tij, por na mësoi edhe ne njerëzve të thjeshtë që jetojmë në botët tona të vogla, të jemi humanistë.

Në një thënie të tijën të ndritur ai thotë: “Nuk ka besuar siç duhet ai që nuk do për vëllanë e tij, atë që do për veten e tij”. E ku ka më humanizëm se kaq, sa fatkeqësi do të ishin mënjanuar, sikur ky parim kaq i thjeshtë në dukje, por shumë të vlefshëm në jetë, të ishte zbatuar kudo.

Në labirintet e mendjes mbetesh ti. Më i qeti, më i sprovuari, më fisniku, o krijesë e bekuar! O ti që emri yt është shkruar në ato dyer ku gjithkush ëndërron të futet për të shijuar përjetësinë kaq fort të ëndërruar, në dyert e të amshuarit shpërblim, në dyert e Xhenetit të përjetshëm. Krenohem sot me atë çfarë ti më mësove, sepse ti nuk më mësove vetëm si të sillem, apo si të flas, por ti më mësove mbi të gjitha se si të JETOJ.

Qershor 2017