Ide për shtëpi – mars 2015

58

Nga Deada Hyka

Ide për arredimin e kuzhinave të vogla

Keni një hapësirë tepër të vogël në kuzhinë dhe nuk dini si ta arredoni? Ky artikull ju vjen në ndihmë.
Ndonjëherë jo vetëm hapësirat e mëdha mund t’i arredojmë bukur. Kur përballemi me ambiente shumë të vogla, tashmë nuk duhet të kemi frikën së gabojmë. Ka shumë mënyra për të arreduar shumë bukur një kuzhinë të vogël.
Sekreti qëndron tek ngjyra e mobiljes dhe tek aksesorët e vegjël.
Arreduesit më të suksesshëm në të gjithë botën mendojnë se përdorimi i ngjyrave të forta (por nuk përjashtohet kurrsesi e bardha – e pavdekshme) ndihmojnë në arredimin më të mirë të një ambienti të vogël në përmasa. Gjithashtu nuk duhet të harroni t’i shtoni detaje kuzhinës, duke filluar nga mjetet e punës por edhe vazo, perde, lule, etj.

Organizoni një festë surprizë

tollumace-foto
Të gjithë i kanë qejf surprizat. E ku ka më mirë se të shkosh për të takuar miqtë e tu dhe ata të kenë organizuar një festë surprizë. Nëse dëshironi t’i bëni një surprizë mikut apo familjarit tuaj, ne po ju japim disa këshilla për ta realizuar sa më mirë në çdo detajë surprizën.
1- Mbusheni dhomën me tullumbace.

tollumbase
Tullumbacet janë shpirti i festës. Janë shumëngjyreshe dhe me to mund të luash. Nëse dëshironi që festën ta organizoni në një dhomë, atëherë tullumbacet janë elementi i duhur. Së pari, blini shumë tullumbace. Zgjidhini në ngjyra të ndryshme sepse ngjyrat i japin shumë gjallëri ambientit. (nëse keni një tematikë të caktuar feste, tullumbacet mund të kenë edhe një apo dy ngjyra). Fryjini të gjitha dhe më pas shpërndajini nëpër ambient. E mira e tullumbaceve është se ato mund t’i vendosni kudo. Merrni një spango dhe lidhini nëpër të disa tullumbace dhe varini ku të dëshironi. Mbi kornizën e dritares, në abazhur, mbi krevat apo në çdo vend tjetër që dëshironi. Një tjetër mënyrë është t’i shpërndani ato në tokë. Mbusheni dyshemenë me tullumbace dhe do t’ju duket sikur ecni mbi re. Gjithashtu duam t’ju tregojmë një sekret… Nëse nuk keni tullumbace që rrijnë vetë lart dhe dëshironi një tavan të mbushur me tullumbace, atëherë fryjini si zakonisht dhe fërkojini lehtë në kokën tuaj.. Tullumbacet do të elektrizohen dhe do të ngjiten vetë në tavan.

2- Dekoroni dhomën me elementë të tjerë që varen nëpër mure apo nga tavani.

party

Krijoni shumë thjeshtë zbukurime të ndryshme me detaje feste. Ka një pafundësi zgjedhjesh në varësi se çfarë doni ju të tregoni me këto elemente. Mund të bëni zemra gjigande, të shkruani vitet e atij që feston ditëlindjen apo edhe forma të tjera.
Këto realizohen shumë kollaj me një karton të prerë në formën e asaj që dëshironi ju dhe disa farcoleta të zakonshme. Nëse dëshironi të krijoni një zemër atëherë prisni në një karton të fortë një zemër të madhe. Këtë vendoseni në një vend të rrafshet. Ndërkohë prisni farcoletën në katrore të vogla me përmasa afërsisht 7×7 cm. Kapni mesin e këtij katrori dhe kthejeni në formë luleje. Këtë ngjiteni në kartonin e prerë më parë. Vendosni fillimisht pjesën e jashtme duke kaluar gradualisht për në qendër, duke i vendosur njëra mbi tjetrën. Në përfundim do të përfitoni një zemër me efekt 3D.

3- Krijoni lule prej letre.

zemra

Lulet e letrës janë një ide shumë e bukur dekorative dhe shumë të thjeshta për t’u krijuar. Ato mund të realizohen me farcoleta duarsh të mëdha me ngjyra të njëjta apo të ndryshme, në varësi të tematikës që dëshironi për festën tuaj. Në foton më lart do të shikoni mënyrën se si t’i realizoni këto lule letre dhe ndiqni hapat për të shtuar një element të tillë në festën tuaj. Bëjeni vetë!

Rev. Familja, mars 2015