Imazhe të së ardhmes

63

Nga Razo Sadushi

Lajme tronditëse dëgjojmë çdo ditë dhe viktima e radhës mund të jemi ne, fëmijët tanë, të afërmit tanë. Shpesh dëgjojmë: pedofili, abuzim me të miturit, dhunim i fëmijëve, vrasje, vetëvrasje etj. etj. Edhe pse këto janë bërë lajmet e ditës dhe tashmë mund të quhen dhe lajme “të zakonshme”, kjo nuk duhet të lejojë që morale të tilla të cenojnë fëmijët tanë, të ardhmen tonë dhe zhvillimin normal dhe të shëndoshë të vlerave që ne si komb kemi trashëguar e duhet t’i ruajmë.

Media promovon antivlera, e kjo vetëm për të fituar sa më tepër audiencë. Media që “i demaskon” këta kriminelë në mëngjes, në mbrëmje shfaq skena dhe më reale dhe më “mbresëlënse” për shikuesit e saj që ngelen pasivë dhe kanë gjetur rehati ashtu, të jenë vetëm vëzhgues të papërfshirë, madje dhe imitues të denjë. Media që nuk censurohet, e jo më të vetëcensurohet.

Këtu pa vlerësuar mediat shqiptare, të cilat as më pak e as më shumë janë thjeshtë duke punuar për disa shikues më tepër dhe nuk e vlerësojnë pushtetin që kanë, në mënyrë që të ndikojnë në përmirësimin e moralit të shoqërisë dhe jo në denigrimin e mëtejshëm të saj dhe në humbjen e autenticitetit që ne duhet ta ruajmë me fanatizëm. Disa emisione kanë përmbajtje arrogante, të tjera fyese e ca të tjera, akoma më keq, cenuese e çedukuese bashkë.

A ndikon bota e televizionit në shtrembërimin e realitetit të botës? Për problematikën e ndikimit të medias në sjelljen e shikueseve dhe sidomos të fëmijëve janë bërë shumë studime. Xhorxh Gebner dhe kolegët e tij të Universitetit të Pensilvanisë, supozojnë se pikërisht shtrembërimi i realitetit është ndikimi më i madh i televizionit. Anketat e tyre me fëmijët tregojnë se ata që shohin më tepër televizion kanë prirje më të madhe se ata që shohin më pak, që të ekzagjerojnë me sasinë e dhunës në botën që i rrethon.

Po cili duhet të jetë roli ynë?! Po ne, që na ndërtohet një e ardhme e tmerrshme para syve tanë, një e ardhme që në fakt nën projektorët e famës duket tunduese, çfarë na ngelet për të bërë për këtë të ardhme të frikshme që parashikohet për ne?!

Natyrisht që hapi i parë për zgjidhjen e një problem është identifikimi i tij, dhe për sa kohë ngelemi shikues pa zë dhe ndoshta imitues të zellshëm të imazheve që na përcjell në çdo moment, qoftë media vizive, qoftë rrjetet sociale, atëherë s’do të bëjmë asgjë tjetër veçse do bëhemi ndihmës besnik të shoqërisë që duan të tjerët të krijojnë. Po ashtu duhet që të jemi kritik ndaj informacioneve që na serviren neve, por sidomos ndaj atyre që ekspozohen fëmijët tanë. Efekti manipulues i imazhit tashmë është njohur botërisht dhe kjo duhet të na bëjë më vigjilentë për atë se çfarë ne konsumojmë në çfarëdolloj medie qoftë.

Padyshim që media ka mjaft anë pozitive dhe në qoftë se do e përdorim atë në mënyrë të zgjuar, atëherë mund t’i shmangim efektet anësore, por që janë shumë të dëmshme për të ardhmen e fëmijëve tanë.

MAJ-QERSHOR 2013