Mbulesa, imazhi i bindjes

84

Nuk ka dyshim se Islami është fe hyjnore e cila e ka burimin nga Allahu, Krijuesi i gjithë universit, është fe universale, në përputhje të plotë me natyrshmërinë e njeriut dhe e përshtatshme për çdo kohë, çdo vend dhe çdo bashkësi. Është fe që e karakterizon aftësia e dhënies zgjidhje për të gjitha problemet dhe që ofron përmbushje të dëshirave dhe nevojave të njeriut konform natyrës dhe të mirës së tij, një fe që jep preventiva dhe mbrojtje për shumë defekte dhe sëmundje me të cilat mund të ballafaqohet njeriu si individ apo shoqëri.Prandaj është e pamundur që kjo fe kaq madhështore të lërë mënjanë një ndër komponentët më kryesor të shoqërisë, “femrën”!
Gruaja në fenë Islame ka një rëndësi të veçantë, aq sa një ndër suret më të gjata në Kuran është e emërtuar me emrin En-Nisa (Gratë).  Jo vetëm kaq, por ka edhe shumë hadithe të cilat mbartin një fisnikëri dhe pozitë të lartë për femrën në Islam, saqë i Dërguari Muhamed (a.s) edhe në momentin e fundit të jetës së tij porositi për faljen e namazit dhe sjelljen e mirë ndaj grave.

Krijuesi Fuqiplotë, i Cili na krijoi, e di më së miri natyrën e krijesës së Tij dhe për çfarë ka nevojë dhe cila është rruga e drejtë që duhet të ndjekë në këtë botë. Të shumta janë ajetet kuranore, ku Allahu i Plotfuqishëm urdhëron barazinë, drejtësinë dhe mbrojtjen ligjore të femrës. Modestia në veshje dhe sjellje sipas përmasave të caktuara është rregull islam, të cilit duhet t’i përmbahen të dyja gjinitë. Në këtë prizëm urtësia në prapavijë e kufizimit në veshje dhe urdhërimit për mbulim nuk është asgjë tjetër vetëm se t’i ofrojë femrës: siguri, nder, dinjitet, pastërti dhe respekt, ndërsa shoqërisë qetësi dhe prosperitet. Prandaj, kur Kurani Famëlartë kërkon nga gruaja që të mbulohet, në të njëjtën kohë ai kërkon edhe nga burrat që t’i ndalin shikimet e tyre dhe t’i mbulojnë pjesët e turpshme dhe në këtë mënyrë t’i ikin sjelljes së padëshiruar dhe të pahijshme. E gjitha kjo tregon se qëllimi i Kuranit është formimi i një shoqërie të shëndoshë njerëzore.

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës)” (Nur 3).

“O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët” (Ahzab 56).

Çfarë kuptimi ka fjala “hixhab”?

Hixhabi si dispozitë ka shumë lidhje mes kuptimit etimologjik të fjalës dhe kuptimit terminologjik të sheriatit. Gjuhësisht, fjala “hixhab” nënkupton mbulesën dhe pengesën për të arritur e keqja deri te diçka. Ndërsa juridikisht, “hixhabi Islam” ëshë mbulesa e femrës myslimane nga shikimet e meshkujve që nuk e kanë të lejuar ta shikojnë.

Historikisht, institucioni i hixhabit ka bazë të fortë, jo vetëm në Islam si shpallje e fundit, por edhe në të gjitha shpalljet e mëparshme ka ekzistuar si dispozitë fetare. Këtë e dëshmojnë shumë citate nga Dhjata e Vjetër dhe e Re, ku ndër të tjera thuhet:

“Nuk u ka hije vajzave të Izraelit që të dalin ndër njerëz pa e mbuluar kokën. Qoftë i mallkuar burri i cili lejon që të duken flokët e gruas së tij…”

Nga këto argumente evidentohet se mbulimin e kokës nuk e ka shpikur Islami, por ai veçse e ka vërtetuar dhe ky fakt i jep mbulesës peshë dhe legjitimitet të pakontestueshëm, dhe këtë e vë në mëdyshje vetëm ai që është i verbër para fakteve dhe argumenteve.

Të gjithë dijetarët myslimanë kanë rënë në konsensus se hixhabi është obligim, ashtu siç është farz namazi, agjërimi etj, pasi është urdhër i prerë nga Allahu (xh.sh), siç edhe u cek më lart në ajetet kuranore të sures Nur dhe Ahzab.

Për ta kuptuar më mirë natyrën e mrekullueshme të mbulesës Islame, duhet hulumtuar për arsyet pse është urdhëruar si dispozitë dhe urtësia që fshihet prapa saj.

Urtësitë e mbulesës

Hixhabi në kuptimin e tij të përgjithshëm është kultivim i vlerave fetare dhe morale. Ai njëkohësisht është stimulim i ndershmërisë dhe parandalues kundër të këqijave dhe të shëmtuarave. Historia e tij dëshmon se nuk vjen kurrsesi në kundërshtim me natyrshmërinë dhe nevojat e qënies njerëzore. Po të meditojmë mbi vlerat dhe urtësitë e hixhabit do të shohim së ato janë shumë dimensionale, si nga ana fizike, psikike, shpirtërore, individuale dhe shoqërore.

Disa prej këtyre urtësive janë:

1. Bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij

2. Manifestim i fortë i Imanit (besimit)

3. Ndershmëri dhe vlerë

4. Mbulesë dhe mbrojtje

5. Pastërti

6. Lartësimi në status, më tepër sesa një simbol fetar

Rëndësia e veshjes dhe e mbulimit të pjesëve të trupit në jetën e njeriut nuk kontestohet nga askush. Veshja, jo vetëm që mbron prej faktorëve të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut (acari, vapa etj.), por shërben edhe për mbulimin e pjesëve të turpshme të trupit, të cilat njeriu nuk ka dëshirë që të tjerët t’ia shohin.

Stimulimi që Islami i ka bërë mbulimit të trupit është shumë i arsyeshëm dhe shprehet në forma të ndryshme, duke filluar nga argumentet e duke përfunduar në meditim. I Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Allahut i vjen turp dhe mbulon, e do turpin dhe mbulesën” (Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ahmedi).

Nga njëra anë hixhabi është një simbol përderisa identifikon nënshtrimin e një gruaje ndaj Krijuesit të saj dhe lidhjen e saj me fenë Islame. Këtë Allahu (xh.sh) e përmend në Kuranin Famëlartë kur i referohet hixhabit: “.. është më i përshtashëm që ata të mund të njihen…”. Kjo do të thotë, që një grua do të njihet se është myslimane.

Por, në realitet hixhabi është shumë më tepër se aq, është një element në një sistem të kuptueshëm që e vendos gruan në një piedestal të respektueshëm dhe të vlerësuar, pasi urdhri për mbulesë e ngre gruan dhe e konsideron atë njeri me vlerë, njeri me ideale dhe që lufton për një kauzë dhe jo thjesht për të bërë diferencë në imazh pa mbështetje ideore dhe pa bindje. Një grua e cila mbulon veten e saj, u tregon të tjerëve se ajo është më tepër sesa trupi i saj dhe pamja e saj. U tregon se ajo ka një mendje, ka zemër, ka personalitet, ka besim, dinjitet dhe nder. Nga ana shpirtërore ajo ka të njëjtat obligime dhe shpërblime që kanë edhe burrat, nga ana sociale ajo është e vlerësuar dhe e nderuar si nënë, vajzë, grua dhe kontribuese në shoqëri, ndërsa ekonomikisht ajo ka pronësinë, pavarësinë dhe aftësinë për vendimmarrje të pakrahasueshme.

Nuk mund të mbyllim sytë përballë realitetit që po jetojmë sot, ku paragjykimet nuk kanë të sosur dhe ku femra me shami konsiderohet si pengesë emancipimi dhe integrimi. Po ku qëndron problemi i një femre me shami? Mos ndoshta shamia e bën atë jo femër?! Apo mos katandiset në një qënie të dhunshme dhe cënon të drejtat e ndokujt?! Mos nuk do të arsimohet dhe me padijen e saj cënon emancipimin shoqëror?!

  • Hixhabi është bindje dhe nënshtrim ndaj Allahut të Madhëruar dhe themel bazë që tregon për besimin e saj dhe nuk është uniformë e imponuar nga individë të caktuar.
  • Hixhabi është pjesë e besimit të cilën myslimanja e mëson nga Libri hyjnor në të cilën Allahu thotë: “E mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes! (Ahzab 33) dhe nuk është traditë e trashëguar.
  • Hixhabi është një program jetik për gruan myslimane, me anë të cilit ajo kontrollon të gjitha veprimet e saj dhe nuk është thjesht një shami me të cilën mbulon kokën.
  • Hixhabi është adhurim dhe mbrojtje për trupin dhe dinjitetin e saj dhe nuk është shtypje dhe presion ndaj femrës dhe marrje e lirisë së saj, pasi ne e praktikojmë fenë jo për të na u vështirësuar jeta, por që të jemi të lumtur.
  • Hixhabi është vlerë dhe dinjitet, pasi mbulesa mbulon kokën dhe jo trurin, tregon karakterin dhe jo trupin. Ajo nuk është prapambetje, pasi veshja nuk është tregues i progresit të ndonjë populli.

Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Kush shikon kënaqësinë e Zotit edhe nëse njerëzit hidhërohen, Zoti do të kënaqet prej tij dhe do bëjë që edhe njerëzit të kënaqen prej tij. Kush kërkon të kënaqë njerëzit me gjërat që e hidhërojnë Zotin, Zoti do zemërohet me të dhe do bëjë që edhe njerëzit të zemërohen me të.”

Nuk mjafton të kesh një përkatësi fetare, por me rëndësi është përjetësimi i programit të kësaj përkatësie në jetë. Psikologët thonë: “Mendja e cila ndjek qëllime praktike është mendja më e fuqishme në botë”.

E lusim Allahun (xh.sh) që të na i hapë zemrat tona dhe të na bëjë si ato gratë ensare për të cilat Aishja (r.a) thotë: “Për Zotin, unë nuk kam parë gra më të virtytshme se gratë ensare, në pikëpamje të besimit në librin e Zotit dhe bindjes se Ai e ka zbritur Kuranin. Kur zbriti ajeti për mbulesën, burrat e tyre erdhën tek ato dhe filluan të lexojnë ajetet që i zbriti Allahu. Të gjitha, pa përjashtim, u mbuluan me mbulesat e veta të leshta ose nga pambuku, duke e respektuar urdhrin e Allahut.”

Maj-qershor, 2014