Individi, viktimë e mediave

161

Nga Fjona Çela

Media elektronike është kthyer në një forcë dominante kohët e fundit. Teknologjia po ecën me hapa të mëdha, me një hov të lartë zhvillimi e për pasojë ka marrë nën zotërim mendjet njerëzore. Kjo dukuri ka ndikuar në minimizimin e leximit të medias së shkruar, por jo vetëm kaq. Sigurisht që janë të pranishme edhe pasoja të tjera…

Një ndër to është që individët po krijonë një perceptim të gabuar mbi veten duke u ndikuar gjithnjë e më shumë nga mendimet dhe gjykimet e të tjerëve rreth tyre. Për të dalluar këtë është mjaft e thjeshtë. Mjafton të shohim sesi ditë pas dite njerëzit “pasurojnë” profilet e tyre në rrjetet sociale. Deri këtu duket sikur nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo, vlen të përmendet një detaj i rëndësishëm: Nuk është me rëndësi sa shumë postohet, por çfarë cilësie ka materiali i postuar. Natyrshëm lindin pyetje të tilla: A i kushton rëndësi çdo individ një fakti të tillë? A jemi të kujdesshëm që materiali ynë të jetë cilësor, edukativ e kulturor?  Në shumicën e rasteve jo. Pjesa dërrmuese e shoqërisë mjaftohet me postimin e fotove të bukura, ku nxjerrin në pah aftësitë e tyre fotozhenike dhe janë gjithmonë në pritje të atyre komplimenteve false që vijnë nga komentet apo like-t e shumëpritura.

Brezat e mëparshëm nuk kanë arritur të jenë kaq të avancuar sa jemi ne sot. Kurrë më parë individi nuk ka qenë kaq i ekspozuar ndaj të tjerëve dhe nuk ka mundur të komunikojë kaq lirisht në çdo cep të botës duke sfiduar largësitë. Rrjetet sociale i ftojnë njerëzit të bëjnë gjithnjë dhe më publike jetët personale, duke humbur në këtë mënyrë sensin e privatësisë.

Kjo “axhendë” e ngjeshur po konkurron vëmendjen dhe kohën e cdo individi që është prekur nga një dukuri e tillë. Qeniet njerëzore e kanë në natyrë të jenë në përpjekje të vazhdueshme për të kënaqur nevojat e tyre. Pikërisht nevoja për të qenë përdorues të medias në ditët e sotme konsiderohet aq thelbësore saqë mund të krahasohet me nevojat që ka cdo gjallesë për të konsumuar ushqim. Ashtu siç ushqimi kënaq urinë tonë, kështu priremi të bëjmë zgjedhjet edhe në përdorimin e mediave, në mënyrë që të bazohet tek kënaqësia që duam të arrijmë përmes tyre. Nisur nga kjo, konkludohet se përdorimi dhe kënaqësia që marrim prej tyre lidhen ngushtësisht me njëra – tjetrën.

Pyetje që shtrohet vazhdimisht është se përse njerëzit zgjedhin media të ndryshme për t’u informuar ose për të kaluar kohën. Çdo ditë na serviren shumëllojshmëri mënyrash për të zgjedhur atë që na përshtatet më tepër. Fillimisht është e rëndësishme të të njihen nevojat e fshehta që motivojnë sjelljet tona, për të kuptuar më mirë zgjedhjet mediatike. Një mënyrë që të kuptohet eventualisht zgjedhja që bën individi është ideja se media konkurron për vëmendje dhe kohë.

Njerëzit e përdorin median për të arritur qëllimet e tyre. Duke u bazuar në angazhimet e ndryshme të gjithësecilit, ky përdorim është relativ. Zgjedhjet e ndryshme mediatike të individëve kanë të bëjnë me marrjen e informacioneve, emocioneve, kënaqësive apo thjesht për të kaluar kohën. Por vetëm kur merret doza e duhur e informacioneve, feedback-u që arrihet është i dobishëm.

Krahas kësaj ekziston edhe një tjetër anë e medaljes. Pjesën më të madhe të ditës e kalojmë duke “vrarë” shumë orë të çmuara nga koha jonë, gjatë së cilave mund të merreshim me gjëra më të dobishme e të frytshme. Kontaktojmë vazhdimisht me anë të mesazheve me të njohurit tanë, në vend që të takohemi e të flasim më konkrëtisht me ta. Sidoqoftë, ekziston një hendek i thellë që bën dallimin ndërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe atij online.  Detyrimisht këto veprime kanë çuar edhe në zbehjen e marrëdhënieve që kanë individët mes tyre.

Nisur nga faktorët e sipërpërmendur, a mund të thuhet se jemi viktima të mediave dhe kemi krijuar varësi ndaj tyre?

Studime të shumta janë kryer për të specifikuar efektet që ka sjellë ndryshimi i shpejtë i teknologjisë së mediave. Ndoshta gjendemi të pavetëdijshëm përballë një fakti të tillë, por duhet të ndërgjegjësohemi se media po i krijon individit një gjendje pasive dhe një varësi aq të madhe, saqë është e vështirë të bëhet një shkëputje.  Megjithatë, jemi ende në kohë për ta marrë situatën nën kontroll!

Maj 2017