Individualizmi dhe përgjegjësia për tjetrin

118

Nga Marsida Simo, sociologe
Në ditët e sotme ku rrjedha e jetës kërkon vendime të njëpasnjëshme dhe përgjegjësi të lartë, ankthi dhe pasiguria janë gjithmonë bashkë shoqëruese. Dikur njerëzit ecnin me moton “Një për të gjithë dhe të gjithë për një”. Në këtë mënyrë shumë ngjarje dhe vendime ishin po aq personale dhe njëkohësisht i përkisnin rrethit shoqëror ku njerëzit jetonin. Mjete të tilla ishin një formë e mbijetesës ndaj vështirësive që paraqiteshin gjatë jetës. Nëse dikush kishte probleme financiare apo familjare, shoqëria i vinte në ndihmë dhe e përkrahte pothuajse gjithmonë. Faktikisht, sociologu Emilie Durkheim e shihte evolucionin shoqëror si një lëvizje nga solidariteti mekanik i shoqërive fisnore, në solidaritetin organik karakteristik për shoqëritë industriale. Ai argumentonte se shoqëritë primitive karakterizoheshin nga një vetëdije e fuqishme kolektive, të cilën ai e përcaktoi si tërësi e besimeve dhe ndjenjave të përbashkëta të qytetarëve mesatar të së njëjtës shoqëri. Me rritjen e ndarjes së punës, rritet edhe dukuria e individualizmit, e cila është shfaqur edhe në shoqërinë shqiptare, kryesisht pas viteve 1992. Individualizmi solli konkurencën që më parë nuk njihej nga shoqëria jonë. Gjithashtu, kjo dukuri mbarti me vete lirinë personale, hapi portat e të menduarit në mënyrë të ndryshme, të gjitha këto drejt rrugës së pashmangshme të një epoke të re jetese. Raporti që kanë njerëzit me veten dhe tjetrin nuk është më si më parë. Koncepti i hapësirës publike dhe private sot kanë marrë një kuptim më të plotë. Nëse më parë hapësirë private konsiderohej pronësia e të mirave materiale të fituara nga vetë individi, në ditët e sotme ky koncept është zgjeruar deri në kufirin shpirtëror. Shoqëria shqiptare ka kaluar vite të gjata tranzicioni politik ekonomik dhe shoqëror. Në aspektin shoqëror ndryshimet janë krijuar në varësi të përshtatjes që kanë mundur të bëjnë njerëzit, pasi disa nga vlerat kulturore ende janë të injektuara në mënyrën e jetesës sonë. Megjithatë ndikimet nga kulturat e huaja kanë arritur të heqin disa pjesë të traditës. Jo vetëm kaq, por edhe kërkesat e jetës kanë ndryshuar. Të gjendur përpara zhvillimeve dhe rikonceptimeve të shumë dukurive jetësore, njerëzve i është dashur të zmadhojnë hapësirën ndarëse me shoqërinë. Tjetri si pjesë përbërëse e shoqërisë është domosdoshmërisht i nevojshëm për njohjen e vetes dhe anasjelltas. Madje bashkëjetesa me tjetrin vjen në mënyrë të natyrshme dhe të pashmangshme. Njeriu është një qenie që gjithmonë është në kërkim të më të mirave. Këto kërkesa janë të pafundme dhe të vazhdueshme. Të gjitha këto dëshira ai duhet t’i balancojë në peshoren e mundesivë që ai ka. Shpesh herë individi gjendet në dilemën, për të bërë atë që do apo atë që duhet. Këto janë dy elemente që jo gjithmonë përputhen më së miri me njëra-tjetrën. Lufta me vetveten është bërë më e vështirë, pasi dihet se vendimet e sotme do të jëne tullat e shtëpisë që do të ngihen nesër. Kuptohet se përmbushja e interesave vetjake lidhet ngushtë me egon që ka në vetvete individi. Më pas, në varësi të mirë përdorimit apo keq përdorimit të egos, krijohen ambiciet personale për realizimin e objektivave. Nevoja për tjetrin duket se sa vjen e po zbehet.
Nuk kam kohë të mendoj për të tjerët, shprehen njerëzit me një siguri të plotë. Më duhet të kujdesem për familjen time, të fitoj sa më tepër para se jeta është bërë e vështirë. Askush nuk të ndihmon, se secili ka preokupimet e tij. Nëse më parë kushërinjtë mund të më gjendeshin në çdo vështirësi, sot mund të mbështetem vetëm te kreditë bankare.
Këto fjalë tregojnë më së miri se individualizmi ka hyrë gjerësisht në jetën tonë. Të lodhur nga orët e gjata të punës, të etur për më shumë të mira materiale, koha që i kushtohet tjetrit apo shoqërisë sa vjen e zvogëlohet. Marrëdhëniet fqinjësore që dikur kanë qenë të rëndësishme, sot kanë një tjetër kuptim. Fqinji sot është thjesht dikushi që banon afër nesh. Sot të rinjtë kanë më pak vetëdije për përgjegjshmëri të hapësirës publike, më pak vullnet për solidaritet dhe zbehje të dëshirës për të ndihmuar tjetrin. Përgjithsisht, marrëdhëniet shoqërore janë të ndërtuara në rrethin e punës ku njerëzit punojnë. Të rrethuar nga katër muret e shtëpisë, me dëshirën për të patur mobilje moderne dhe oriendi të çmuara, njerëzve nuk iu intereson se çfarë ndodh jashtë saj. Individualizmi shpesh herë merr ngjyresa indiferentizmi aq sa mendohet se hapësira publike i përket gjithmonë tjetrit. Por nuk duhet harruar se njeriu është dy herë përgjegjës për veprimet e tij ndaj vetes, po aq dhe ndaj të tjerëve të cilët mund ta pësojnë pa shkak. Kjo do të thotë se njeriu është një qenie sociale që ka nevojë për socializim dhe njëkohësisht i duhet të japë kontributin e tij shoqërisë. Njeriu nuk mund të jetojë si një qenie e izoluar apo e vetmuar. Ai ka nevojë të ofrojë e të kërkojë, pra të shkëmbejë me të tjerët. Njeriu jeton brenda një shoqërie të caktuar, i përgjigjet rregullave të saj, ndajnë vlera kulturore të përbashkëta, ndaj çdo zgjedhje vetjake nuk mund të jetë aq vetjake në mënyrën më absolute. Shumë nga vendimarrjet duhen parë në një aspekt më të gjerë. Duke qenë se bashkëjetojmë brenda një shoqërie, shumë nga veprimet tona mund të ndikojnë direkt ose indirekt tek ajo. Kujdesi qëndron se çdo vendimarrje, nuk duhet të prekë të drejtat ose liritë e tjetrit. Ashtu si nuk do të donim të na prekeshin të drejtat tona, as ne nuk duhet të marrim përsipër veprime që ndikojnë negativisht tek të tjerët. Në një shoqëri ku bëjmë pjesë duhet të ndërgjegjësohemi se kemi më shumë përgjegjësi. Individualizëm nuk do të thotë papërgjegjësi për komunitetin, pasi mospërfshirja është e barabartë me shkatërrim të hapësirës publike që i përket çdokujt. Me këto që u përmendën më lart nuk nënkuptohet që njerëzit duhet të kenë marrëdhënie detyrimisht të mira me fqinjët e tyre, por të kontribuojnë për mirëmbajtjen e terrenit ku jetojnë, ose së paku mos ta dëmtojnë atë. Nga njëra anë, hapësira private përfshin një territor personal po dhe aq intim që i përket gjithsecilit të vendosë. Nga ana tjetër është hapësira publike ku të gjithë duhet të marrin pjesë. Ndaj nuk duhet lejuar që individualizmi të shtrembërohet nga kuptimi i tij i vërtetë duke i bërë njerëzit më pak përgjegjës për tjetrin dhe komunitetin. Nëse do të vazhdojmë më rritjen e dozës të moskujdesit dhe mungesës së solidaritetit, rrjedhimisht do të kthehemi në një shoqëri jo të shëndetshme.

Shkurt 2018