Intervistë me ambasadorin e Shtetit të Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë, Najeeb Abdulrahman Al-Bader

57

Nxitja e investimeve në Shqipëri, prioritet i punës sime!

Për herë të parë në revistën Familja, flet ambasadori i Shtetit të Kuvajtit në Republikën e Shqipërisë, Najeeb Al-Bader në lidhje me prioritet e punës së tij në Shqipëri dhe përshtypjet e deritanishme rreth vendit tonë. Ai thekson shtrirjen e bashkëpunimit dypalësh në shumë fusha.

Për aq kohë sa ndodheni në Shqipëri, ju keni synuar dhe keni arritur vendosjen e marrëdhënieve të frytshme me strukturat e shtetit shqiptar dhe me institucionet përfaqësuese të shoqërisë shqiptare. Në këtë kuadër sa e shihni të rëndësishme hapjen e përfaqësisë tuaj në Tiranë dhe dërgimin e përfaqësuesve shqiptarë në Kuvajt?

Më lejoni të theksoj fillimisht se ndihem shumë mirë dhe i gëzuar, sepse kjo është intervista ime e parë pas ardhjes time në Tiranë. Kjo intervistë do të publikohet edhe në Kuvajt dhe do të jetë një prezantim shumë i mirë që i bëhet Shqipërisë. Përfitoj nga rasti që t’i dërgoj popullit shqiptar përshëndetjet më të mira dhe më të sinqerta nga e gjithë qeveria e Kuvajtit dhe nga të gjithë përfaqësuesit e qeverisë së Kuvajtit. Për sa i përket pyetjes suaj të parë dhe hapjes së ambasadës së Kuvajtit në Tiranë, sigurisht që hapja e kësaj ambasade do të përforcojë edhe më tepër bashkëpunimin dy palësh, duke përfshirë të gjitha fushat, politike, ekonomike, sociale etj. Ambasada është hapur në shtatorin e vitit të kaluar dhe ende është duke u marrë me themelimin e saj, por një nga prioritet e saj është bashkëpunimi dypalësh. Dua të sqaroj diçka, edhe pse ambasada është hapur vetëm disa muaj më parë, kjo nuk do të thotë që marrëdhëniet e mira dypalëshe nisën aty. Do të kthehemi 20 vite para kur erdhi regjimi demokratik në Shqipëri dhe kur ra komunizmi. Përfitoj nga rasti të falënderoj shtetin shqiptar dhe qëndrimin që ai ka mbajtur kur Kuvajti ishte i pushtuar nga Iraku. Mbështetja që Shqipëria i ka dhënë çlirimit të Kuvajtit është falënderuar dhe përshëndetur nga të gjithë qeveritarët e Kuvajtit. Mund t’ju përmend fare mirë që bashkëpunimi është shtrirë edhe në fusha të ndryshme, pikërisht sporti dhe fondi që ka dhënë qeveria e Kuvajtit për ndërtimin e sheshit të Tiranës, ka qenë gjithashtu edhe një fond për rehabilitimin e qytetit të Durrësit, për rrugën e Elbasanit dhe të tjera si këto. Kështu që një nga qëllimet tona është të shtrimë bashkëpunimin në të gjitha fushat për një infrastrukturë më të re.

DSC_0107Si e gjetët Shqipërinë, ashtu siç e imagjinonit, apo diçka ndryshe nga ajo qe mendonit?

Shqipërinë do ta shikoja në dy aspekte, në aspektin e punës time dhe atë ndërkombëtar. Duke e parë në aspektin e punës time kam prekur nga afër bujarinë tuaj, kam prekur nga afër sinqeritetin e këtij populli. Kam parë që është një popull shumë i afrueshëm dhe i hapur për të pritur kultura të ndryshme dhe për të mësuar shumë gjëra të reja. Ndërsa për sa i përket aspektit ndërkombëtar, sigurisht që Shqipëria është një vend në zhvillim dhe për këtë arsye, duhet dhënë një mbështetje shumë e madhe dhe nga ana jonë. Unë jam këtu bashkë me familjen time, me tre fëmijët e mi dhe nuk jam ndjerë për asnjë moment i huaj në këtë vend. Sinqerisht jam ndjerë shumë mirë dhe më është bërë si atdheu im i dytë. Ky është qëndrimi i parë në Ballkan. Kam qenë shumë i interesuar për të njohur diçka më tepër për Ballkanin. Përfitoj nga rasti për të thënë se i jap rëndësi shumë të madhe zhvillimeve në Ballkan dhe gjithçkaje që ka të bëjë me të.

Nga dita që keni ardhur në Shqipëri ne kemi vërejtur gatishmërinë dhe disponibilitetin tuaj për të kontribuuar që dy popujt tanë të njohin më tej historinë dhe kulturat reciproke. A keni projekte konkrete në këtë plan dhe cilat janë institucionet shtetërore dhe ato të shoqërisë civile me të cilat po bashkëpunoni për arritjen e këtij objektivi?

Deri në vitin 2008 shteti i Kuvajtit ka nënshkruar rreth 11 marrëveshje bashkëpunimi me shtetin shqiptarë, në fusha të ndryshme në shkëmbime kulturore, në shkëmbime të tjera të forcës së punës dhe për sa i përket zhvillimit të infrastrukturës në Shqipëri. Sigurisht që do të presim te ketë dhe të tjera projekte në këto fusha dhe ne do i japim mbështetjen tonë. Unë jam takuar me shumë persona përgjegjës për sa i përket përforcimit të gjuhës arabe, ose ringjalljes së gjuhës arabe. Sigurisht që kjo është një nga planet tona fillestare dhe projekti ynë i parë që duam t’i japim një shumë të madhe për ta vënë në jetë. Dua të falënderoj Ministrin e Arsimit, i cili e ka filluar një projekt të tillë për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi pikërisht në këtë fushë. I dërgoj atij përshëndetjet më të mira dhe sinqerisht e vlerësoj dhe nismën që ai ka marrë.

DSC_0124Me 25 Shkurt 2012 Kuvajti feston 51 vjetorin e pavarësisë dhe 21 vjetorin e çlirimit, çfarë përfaqësojnë këto data për popullin e Kuvajtit dhe përse janë të ndryshme në kohë?

Dua të them se ashtu si për të gjithë popujt, edhe për popullin e Kuvajtit dita e pavarësisë përfaqëson një ditë shumë të dashur, përfaqëson sakrificat e të gjithë brezave që kanë kontribuar në zhvillimin e një shteti. Dua t’ju them se dita zyrtare e pavarësisë është pikërisht 25 shkurt. Ndërsa dita që njihet realisht si festa e pavarësisë së Kuvajtit është 19 qershori i vitit 1963. Ndaj ne i kemi përmbledhur këto dy ditë dhe e kemi vendosur ta festojmë më 25 shkurt. Gjithashtu, në këtë ditë ne festojmë dhe festën e çlirimit.

A do të ndikoj më tej hapja e Ambasadës se Kuvajtit në Shqipëri, në intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, në planin politik dhe ekonomik, kulturor etj. Cilat janë prioritetet e bashkëpunimit sipas jush?

Këto janë aspiratat e mia të punës në Shqipëri si ambasador i shtetit të Kuvajtit. Dua të bëj një prezantim shumë të mirë të Shqipërisë sidomos në aspektin e turizmit. Jo vetëm kaq, por edhe shumë fusha të tjera që duam t’i japim prioritet i punës tonë njëkohësisht. Do të jetë një bashkëpunim i gjithanshëm në të gjitha fushat.

Në përparësi qëndron rrafshi politik dhe është pikërisht kjo fushë, që i jep forcë të madhe të punës. Gjithashtu në prioritet kemi edhe fushën e investimeve, ku pse jo shumë biznesmen në Kuvajt të vijnë dhe ta shohin Shqipërinë nga afër dhe të kenë mundësi për të investuar në këtë vend. Nuk do të ngelë pas dore edhe shkëmbimi kulturor, që edhe kjo është një nga prioritetet kryesore.