Intervistë me blogeren shqiptare, Znj. Diana Syla.

19

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

D.S.: Jam Diana, 30 vjeç, e martuar dhe nënë e një djali të mrekullueshëm, i cili është 6 vjeç.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

D.S.: Unë kam mbaruar studimet e mia Bachelor për Punë Sociale dhe Masterin në Shkenca Politike.

A.H.:  Çfarë ju shtyu të ndërmerrnit një nismë të tillë?

D.S.: Fotografia ka qenë një prej pasioneve që më ka shoqëruar që në fëmijëri. Më pëlqen të fotografoj të tjerët dhe të realizoj foto të bukura. Gjithashtu, jam shumë e apasionuar pas të veshurit me stil dhe me kombinime të ndryshme, pasi mendoj që veshja tregon se kush jemi pa pasur nevojë të flasim. Pra është pjesë e karakterit dhe personalitetit tonë. Kështu, duke qenë e rrethuar nga dy pasione që janë kushtet elementare të të pasurit një blog mendova të hap një të tillë. Tashmë bëj një vit dhe jam e kënaqur me çdo rezultat që kam arritur edhe pse do shumë punë dhe impenjim.

A.H.:  Çfarë do të thotë për ty të jesh blogere në Shqipëri?

D.S. Të jesh blogere do të thotë të ndash pasionin tënd dhe idetë e tua kreative me ndjekësit e tu. Fakti që jam me mbulesë e bën më të veçantë blogun, pasi nuk ka shumë blogere me shami në Shqipëri.

A.H.: Si ka qenë reagimi i rrethit familjar apo shoqërisë së ngushtë?

D.S.: Ka ardhur shumë gradualisht ecuria ime dhe si shoqëria ashtu dhe familja duke njohur tipin tim e kanë mirëpritur dhe e dinë që është fusha që unë e bëj me shumë dashuri dhe pasion. Jam përpjekur vazhdimisht të ruaj vlerat e mia dhe kufijtë që i kam përcaktuar vetes, duke e demostruar të bukurën brenda disa kufijve të modestisë dhe minimalizmit.

A.H.: Jeni e kënaqur me ecurinë deri më tani?

D.S.: Jam shumë e kënaqur, por plotësisht do kënaqem kur të kem arritur objektivat që kam. Kjo kërkon punë dhe impenjim dhe mbi të gjitha mbështetje nga njerëzit që të rrethojnë.

A.H.: Cilat janë planet e tua për të ardhmen? Çfarë objektivi doni të arrini?

D.S.: Tashmë të kesh një blog do të thotë të kesh një punë të cilën ti e menaxhon vetë dhe vendos më cilat brande do bashkëpunosh. Qëllimi është të rritem sa më shumë, të punoj shumë, të jem kreative dhe të sjell gjëra që njerëzit i pëlqejnë. Sa më shumë rritem unë aq më shumë rriten bashkëpunimet dhe padyshim dhe puna.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e revistës “Familja”?

D.S.: Njeriu është mëkëmbësi i Zotit në tokë. Secili prej nesh është unik dhe duhet ta zbulojë misionin e tij pse është krijuar, sepse ne nuk vijmë rastësisht në këtë botë. Në momentin që zbulojmë misionin dhe njohim veten duhet ti vendosim vetes objektiva dhe synime që duhet ti realizojmë. Suksesi nuk është diçka e paarritshme. Nëse ne punojmë çdo ditë me përkushtim dhe e dimë fundin e rrugës se ku duam të arrijmë, patjetër që do jemi prej atyre që do kemi sukses. Nuk duhet të harrojmë që muslimani më i dashur tek Zoti është ai që është më i dobishëm për njerëzit. Me pasivitet dhe përtaci ne nuk i bëjmë dobi vetes tonë dhe as atyre që na rrethojnë. Kështu që shumë punë dhe padyshim mbështetje te Zoti.

  • Revista “Familja”, dhjetor 2020