Intervistë me Edukatoren e Lindjes, Znj. Romina Cani

11

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër tuajin për lexuesit.

R.C.: Es Selamu Alejkum, pikësëpari të falenderoj për ftesën. Është kënaqësi e imja të kem mundësinë të shpreh edhe të flas për pasionin, arritjet, edhe punën që unë bëj.

Për të gjithë lexuesit, unë jam Romina Cani, e lindur në Shqipëri, por që jetoj prej gati 4 vite në Arabinë Saudite. Jam nënë e një djali 2 vjeçar dhe themeluese e Kursit Përgatitor të Lindjes (Fascinating Birth) online edhe në person.

A.H.: Cili është backgroundi  i juaj akademik?

R.C.: Pasioni im për mjekësinë më bëri që të vazhdoj studimet e larta për Infermieri-Mami në qytetin e Elbasanit, por për shkak se u zhvendosa në Arabinë Saudite nuk e përfundova dot vitin e tretë të universitetit. Këtu në Arabi jam e certifikuar si AMANI Childbirth Educator (edukatore për lindjen e fëmijëve), Konsulente e Gjidhënies, Konsulente VBAC në trajnim   (lindje natyrale mbas një lindje cezariane) dhe tashmë së fundi kam themeluar Kursin Përgatitor të lindjes edhe në gjuhën shqipe për të bërë të mundur që çdo femër të edukohet rreth lindjes, të ndihet e fuqizuar dhe të marrë vendime mbi lindjen dhe trupin e saj.

A.H.: Cili është angazhimi juaj momentalisht?

R.C.: Prej një viti edukoj çifte që janë në pritje të ëmbël të huaj edhe shqiptarë për procesin e lindjes, shtatzanisë, postpartum dhe gjidhënies. Kursi online është në dy gjuhe (anglisht dhe shqip).

Një angazhim tjetër i imi është media sociale, në specifikë instagrami ku njihem me emrin ‘Fascinating Birth’ që përkthehet një Lindje Mbresëlënëse. Në instagram edhe facebook jam shumë aktive ku shpërndaj informacione të dobishme për gratë shtatzëna ose në postpartum (fazat mbas lindjes), për gjidhënien dhe procesin e lindjes. Tashmë në faqen time ndodhet edhe një pjesë e jetës sime këtu në Arabinë Saudite (kultura, ushqimi, vendi, udhëtimet etj.), ku një pjesë shumë e madhe e ndjekëseve e shijojnë dhe mësojnë më shumë reth vendit ku jetoj.

A.H.: Cila është përshtypja e femrave shtatzëna apo gjidhënëse që bëhen pjesë e kurseve tuaja përgatitore ?

R.C.: Prej një viti tashmë kam pasur mundësinë që njohuritë e mia ti ndaj me gratë që janë në pritjë të ëmbël dhe gjithashtu, nënat gjidhënëse dhe duke qenë diçka e re në Shqipëri është pritur me aq shumë entuziazëm dhe ka sjellë shumë dobi. Disa nga përshtypjet e nënave që morën pjesë në kursin përgatitor ishin: «Kam mësuar mbi të gjitha ti besoj trupit tim.»; «Pata mundësinë të shijoj procesin e lindjes.»; «Nuk ndihem më e frikësuar ndaj procesit të lindjes.»; «Ndihem e përgatitur për fazën e paslindjes.»; «Ia arrita të kem një gjidhënie të suksesshme edhe e shijova.» Një përshtypje tjetër që dua ta ndaj me ju është nga një baba në pritje, i cili u bë pjesëë e kursit përgatitor: «Njohuritë që mora ishin shumë të dobishme për mua. Me informacionet që mora u ndjeva gati për t’i dhënë ndihmën time bashkëshortes time në këtë rrugëtim! Ne duam të ndihmojmë, por shumë gjëra nuk i dimë. Te Romina mësova si ta ndihmoj bashkëshorten time para dhe pas lindjes dhe disa informacione të dobishme për bebin tim.»

A.H.:  Pse mendoni që një femër duhet të përgatitet për procesin e lindjes?

R.C.: Jam shumë e lumtur që do mundem ti përgjigjem kësaj pyetje për vetë faktin që shumë femra ose  meshkuj mendojnë që të lindësh nuk është e nevojshme të marrësh një kurs të tillë, ose ndoshta ndonjëherë e konsiderojnë humbje kohe. Arsyeja pse një femër duhet të përgatitet është që të ketë mundësinë të përjetojë një lindje, ku ndihet e dëgjuar, e pyetur. Është  ajo që merr vendimet mbi trupin e saj edhe lindjen e fëmijës. Dhe ku, gjithashtu, bebi përjeton një tranzicion të butë në botën jashtë mitrës; dhe ti si një nënë e re e di se çfarë të pret dhe si të veprosh. Më e rëndësishmja, është që të jetë një fillim i  mirë i mëmësisë, e që të gjitha këto arrrihen me anë të infomimit dhe të kuptuarit se si trupi ynë funksionon. Me anë të kursit përgatitor ti merr një infomacion të plotë rreth lindjes, postpartum-it, dhe gjidhënies.

A.H.: Si është për një grua shqiptare të punojë në një shtet të huaj si Saudia?

R.C.: Padyshim ka sfidat e veta duke pëmendur gjuhën së pari. Por në vitet e fundit është përhapur ideja e përgatitjes për lindje edhe shumë e më shumë femra po kanë mundësi të përjetojnë procesin e lindjes në një dimension tjetër. Arabia Saudite është një vend shumë i zhvilluar, por që mban një përqindje të lartë të lindjes cezeriane me 30%  dhe një nga arsyet pse femrat përzgjedhin  një lindje cezariane janë dhimbjet e lindjes, ku kanë krijuar frikë nga historitë e treguara nga të tjerët që kanë lindur, nga media, nga filmat, ose nga dikush që ka pasur një lindje traumatike. Si një edukatore e lindjes këtu në Arabinë Saudite, po bëj kërkime rreth hypnoBirthing, që të kem mundësinë ti ofroj nënave shtatzëne një metodë natyrale si t’i përballojnë këto dhimbje edhe ndoshta të kenë një lindje pa dhimbje edhe pa metoda analgjezike.

A.H.: Jeni e kënaqur me arritjet e tuaja deri me tani?

R.C.: Unë mendoj që arritja ime më e madhe është që bëj atë që unë e dëshiroj me gjithë zemër, më bën të ndihem e lumtur dhe marr kaq shumë kënaqësi kur ndryshoj ose përmirësoj jetën e dikujt, e në këtë rast të femrave shtatzëne. Jam shumë e kënaqur që kam mundësinë të përmirësoj eksperiencat e lindjes apo të gjidhënies.

A.H.: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?  

R.C.: Dua që në të ardhmen të ndyshoj mënyrën se si femrat lindin, ose më saktë përgjithësimin e bërë që çdo femër është e njëjtë prandaj po ashtu duhet të jetë edhe eksperienca e lindjes. Një nga qëllimet e mia është edukimi i çifteve shtatzëna në lidhje me lindjen, ku gjithashtu e gërshetoj me ajetet Kuranore, duke pasur shembull Merjem-in, paqja qoftë me të. Aspiroj që çdo femër të ketë mundësinë ose arritjen e një lindje pa intervencione mjekësore, ku ajo vendos për trupin e saj; ku pyetet; merr vendime për lindjen; suportohet nga stafi mjekësor; ndihet e lumtur; beson në trupin e saj; ka taaëakul në Allah; edukohet edhe informohet për fazat e lindjes, si hormonet veprojnë në trup, dhe se si mund të përballojë kontaksionet e lindjes në mënyrë natyrale. Dua që partneri (bashkëshorti) të bëhet pjesë e procesit të lindjes, ku të mbështesë gruan e tij, dhe gjithashtu të jetë pjesë e lindjes së fëmijës së tij. Aspiroj që çdo femre t’i jepet mbështetja dhe suporti në këtë fazë të jetës së saj, kur ajo ka më shumë nevojë.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e revistës “Familja”?

R.C.: Unë i them çdo femre që të informohet, edukohet për trupin e saj, organet gjenitale, shëndetin mental, lindjen dhe fazën mbas lindjes. Besoj që mëmësia është një fillim i ri dhe të gjithë meritojmë një fillim të lumtur.

  • Revista “Familja”, qershor 2021