Intervistë me Znj. Fikrije Dumani-Krasniqi

16

 

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.Hyka: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

F.Dumani-Krasniqi: Po e nderuar, unë quhem Fikrije Dumani Krasniqi e lindur me 18.06.1986. Vij nga fshati Miradi e Poshtme komuna Fushë Kosovë, ku edhe banoj aktualisht. Jam e martuar  dhe falë Zotit kam 3 fëmijë, 1 djalë dhe dy vajza.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

F.D.: Shkollën fillore e përfundova në vendlindje ndërsa të mesmën në Prishtinë në Medresen e Mesme Alaud-din. Në vitin 2005 kam ndjekur kursin e Gjuhës Arabe në Damask, Siri, për të vazhduar edhe studimet universitare po atje deri në vitin e tretë akademik, ku për shkak të trazirave që filluan në Lindjen e Mesme u detyruam të largoheshim nga Damasku për në Amman, Jordani, gjatë asaj periudhe isha e martuar dhe kisha një fëmijë. Në Universitetin e Jordanisë jam regjistruar në vitin akademik 2011-2012 në Fakultetin e Sheriatit, dega e Bazave të Fesë – Usuluddin. Në Qershor të vitit 2015 u diplomova dhe menjëherë u ktheva në Kosovë. Nga Shtatori i vitit 2015 fillova punë si mësuese e lëndës së Besimit/ Akides në Medresen e Mesme Alaud-din në Prishtinë.

A.H.: Përgjatë viteve të shkollimit e deri tani, çfarë mund të veçoni nga aktivitetet tuaja dhe sa kanë ndikuar ato në formimin e personalitetit tuaj?

F.K.: Që nga shkolla e mesme kam pasur shumë vullnet në aktivitetet e dhënies së asaj çfarë mësonim. Kështu që gjatë pushimeve verore mësoja fëmijët në xhami pastaj edhe në pushimet gjatë studimeve u ftoja nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës (BIRK) të ligjëroja ligjërata Islame për femra nëpër xhami të ndryshme të Kosovës. Në vitin 2017-2018 jam emëruar udhëheqëse e departamentit të femrave në kuadër të Këshillit të BIK-ut në Fushë Kosovë. Vlenë të përmendet se edhe gjatë studimeve në Jordani kam pas aktivitete të ndryshme:

– kam qenë e ftuar në një nga televizionet e Jordanisë “El-Hakikah,”

– kam qenë e ftuar në radion më të dëgjuar në Jordani “Radio Hajat FM”,

– kam pasur aktivitete të ndryshme me studentet shqiptarë atje,

– po ashtu në Ramazanin e vitit 2019 isha e ftuar në Bashkësinë Kulturore Fetare Shqiptare në Norvegji ku kam mbajtur takime, ligjerata dhe vizita të ndryshme.

Është shumë e vërtetë se studimet jashtë vendit, ndryshimet e vendeve që kam pas fatin të shkoj, vizita e vendeve të shenjta, Mekka dhe Medina, aktivitetet e ndryshme dhe puna në institucionin e BIRK padyshim që kanë ndikuar në ndërtimin dhe formimin tim kulturoro-edukativ duke më dhënë një përvojë të vlefshme në jetë.

A.H.:  Çfarë ju shtyu të ndryshonit nga profili juaj i mëparshëm i studimeve?

F.D.: Realisht nuk do ta kosideroja ndryshim profili, por do thoja zgjerim i aktivitetit edhe në profile të tjera, gjë që tregon se çështja e Thirrjes Islame është mision dhe jo profil dhe këtë mision e kemi amanet nga Zoti xhsh. që ta dërgojmë tek njerëzit përmes profileve që zgjedhim për vete në jetë si, gazetare, biologe, gjeografe, politikane, punëtore administrative, etj. Pra me çdo profil ne mund t’i shërbejmë shoqërisë sonë duke e bërë punën me sinqeritet dhe në emër të Zotit, në mënyrë që të konsiderohet se misionin po mundohemi ta dërgojmë në vend.

Unë në vitin 2020 në kuadër të Kolegjit  dhe Autoshkollës Tempulli jam  licensuar  nga Ministria e Infrastrukturës, Instruktore për shofer ku dhe aktualisht punoj në këtë Kolegj e ndihem e priveligjuar që jam pjesë e tij. Aftësia për vozitje tek unë është dalluar që nga mosha 18 vjeçare, dhe që atëherë kisha ëndërr të isha instruktore e tua mësoj femrave ngarjen e automjetit pasi femra shqiptare në Kosovë nuk është shumë e integruar në sferat e jetës ashtu siç janë meshkujt. Kjo ishte edhe arsyeja që vendosa të realizoj këtë ëndërr dhe të jem edhe unë një nga mundësitë e përzgjedhjes për të gjitha ato gra shqiptare që preferojnë një instruktore femër kur të pajisen me patentë.

A.H.: Jeni e kënaqur me vendimin tuaj?

F.D.: Njeriu në fillim të formimit të tij edukativo-arsimor përveç dëshirave e ambicjeve, duhet, gjithashtu, të ketë dikë afër tij që ta ndihmojë në zgjedhjen e profesionit apo profilit që mendon se i përshtatet. Nga ajo kohë kur nxënësi zgjedh profilin ai duhet të jetë i kënaqur me atë profil dhe duhet të lodhet që të korrë sukses. Kur dikush e do profesionin e vet ai mund të mos fitojë materialisht aq shumë, mund ndonjëherë edhe të dështojë në ndonjë projekt, por kurrsesi s’mund t’i largohet asaj që me vetëdëshirë e zgjodhi. Unë vërtet ndihem komode dhe e bëj me shumë dëshirë punën e instruktores. E dua këtë lëmi dhe nuk më pengon nga fusha e misionit.

A.H.: A të paragjykojnë për shkak të shamisë?

F.D.: Pikërisht një nga arsyet e mia për t’u bërë instruktore ishte edhe çështja e shamisë –mbulesës Islame. Pse të mos integrohen edhe vajzat me mbulesë në çdo vend ku është ambient i pranuar për to?! Pse të mos integrohet femra me mbulesë në autoshkolla, spitale, komuna, shkolla, qeveri, gjë që tashmë ka filluar. Vërtet që ndonjëherë paragjykohem dhe ndonjëherë kandidatja kur më shikon për herë të parë shokohet për pak çaste; “si ka mundësi që instruktorja të jetë me mbulesë?!” Më pas fillon të qetësohet dhe të thotë “pse çfarë ka të keqe dhe pse të mos punojë vajza me mbulesë” dhe fjali të ndryshme që mendojnë e që ndonjëherë edhe e shprehin. Kur kalojmë disa ditë së bashku mësimi, bisedat e lira, çiltërsia, thjeshtësia që tregoj me kandidaten bën që të ndërrojë totalisht mendim mbi vajzat që mbajnë mbulesën.

A.H.: Si e menaxhoni kohën me gjithë angazhimet që keni?

F.D.: Ardela, është e vërtetë që kur dikush ka më shumë se një aktivitet në jetë dhe më shumë se një detyrë, nuk e ka të lehtë menaxhimin e kohës, sidomos për një nënë me 3 fëmijë që jeton edhe me familjen e burrit në një shtëpi. Fillimisht duhet të ekzistojë vullneti, pastaj lutja dhe mbështetja e vazhdueshme në Allahun Fuqiplotë, I Cili lehtëson vështirësitë. Më pas duhet të kesh edhe përkrahjen maksimale nga bashkëshorti, pasi ai duhet të pranojë se fëmijët dhe disa punë të shtëpisë duhet t’i ndajë me bashkëshortën e vet; pra duhet të ndahen rolet dhe të kontribuojmë së bashku në rregullimin dhe mirëmbajtjen e shtëpisë. Kemi një gjuhë të përbashkët me bashkëshortin dhe ndajmë rolet sipas nevojës që kemi. Në këtë formë kemi ecur deri tani dhe e lusim Zotin të na jap sukses në vazhdimësi.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

F.D.: Revista Familja vërtetë është nga revistat e kompletuara e cila rreh tematika shumë të nevojshme për shoqërinë dhe prek aspekte sociale, kulturore dhe me interes për lexuesit. Ajo çfarë e dallon dhe e bënë të veçantë këtë revistë është vizioni i gjerë dhe i thellë i saj në promovimin dhe mbjelljen e vlerave kombëtare dhe fetare, gjë e cila vërehet qartë edhe me këto lloj intervistash që po i realizoni me personalitete të ndryshme. E gjithë kjo është falë punës suaj të palodhshme dhe e lus Zotin e Madhëruar t’ju japë sukses. Faleminderit juve!

  • Revista “Familja”, tetor 2020 – Nga: MSc. Ardela Hyka