Intervistë me freelancer, Znj. Armida Plumbi

21

Nga: MSc. Ardela Hyka

Nga medreseja, në Fakultetin e Drejtësisë, nga puna në një organizatë jofitimprurëse në hapjen e një biznesi online dhe deri te fotografia, njihuni me të gjithëanshmen, Znj. Armida Plumbi.

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

A.P. Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën në këtë rubrikë të revistës «Familja». Kënaqësi e veçantë të rikthehem në këtë hapësirë të dashur për mua.

Unë jam Armida Plumbi. Kam lindur dhe jetoj në Tiranë. Vij nga një familje besimtare, e cila më ka rritur me dashurinë për Zotin e Lartësuar dhe më ka edukuar me frymën e punës dhe moralit të lartë. Jam bashkëshorte dhe nënë e dy djemve. Falenderoj Zotin për familjen që kam krijuar.

Kam punuar për afro një dekadë në Shoqatën Kulturore «Gruaja» dhe kam qenë aktive në shumë fusha: kulturore, sociale dhe humanitare. Kam punuar njëkohësisht edhe si gazetare në radio Kontakt dhe kam qenë ideatore e disa reportazheve televizive me tematikë social – kulturore, të pasqyruara në Televizionin Kontakt, në platformën online.

Ndërkohë prej shumë vitesh tashmë jam e angazhuar si freelancer në dizajn, redaktime dhe në fotografi. Më pëlqen shumë të udhëtoj dhe të kap çaste të bukura përmes fotove. Së fundmi kam zbuluar një tjetër pasion, atë të të bërit biznes.

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

A.P.: E them me shumë krenari që kam qenë nxënëse në Medresenë «Mustafa Varoshi» në Durrës. Jam e lumtur që mbart emrin medresiste. Në gjirin e asaj shkolle, e rrethuar me mësuese me vlera, u brumosa me dije dhe besim. Më tej vijova studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, një degë shumë e kërkuar në atë kohë. Edhe pse nuk e kam ushtruar si profesion, nuk jam bërë asnjëherë pishman që e zgjodha si degë, përkundrazi. Po ashtu kam marrë pjesë në shumë kurse trajnuese dhe trajnime të ndryshme profesionale, kryesisht në fushën e gazetarisë dhe fotografisë.

Por ende ndihem studente, pasi çdo ditë që kalon kam dëshirë të marr dije e njohuri të reja.

A.H.:  Cili është angazhimi juaj momental?   

A.P.: Para një viti e gjysmë hapa një biznes të vogël online, nisur edhe nga trendi që u krijua me situatën e pandemisë, ku njerëzit blinin më shumë online.

Një pjesë të mirë të ditës ia dedikoj faqes në Instagram, realizoj foto, komunikoj me klientet. Së fundmi po punoj në departamentin e financës në një biznes privat.

Gjithashtu pjesë e pandashme e imja është dizajni dhe redaktimi.

A.H.: Juve ju pëlqen fotografia. Na trego diçka më shumë rreth saj.

A.P.: Unë realizoj shumë foto, pasi udhëtoj shpesh. Fiksimi i çasteve të bukura, është bërë pjesë e pandarë e imja. Blogu në Instagram me foto nga Shqipëria dhe emri i saj ~Shqipëriaështëebukur nuk është zgjedhje e çastit, por vjen nga dashuria që kam për vendin tim dhe bukuritë natyrore të tij. E dua Shqipërinë dhe e shoh me sytë e zemrës dhe me optimizëm.

Për mua të jesh patriot nuk është vetëm të hedhësh flamurin kombëtar te shpatullat në raste festash, por të kontribuosh çdo ditë nga pak në dobi të vendit tënd e të familjes tënde. Përpjekjet e secilit prej nesh janë sipas mundësive dhe për mua ky blog është një përpjekje modeste për të treguar se vërtet Shqipëria është e bukur, nëse e shohim me sytë e shpirtit. Patriotë të vërtetë janë ata që punojnë fort e me ndershmëri, që edukojnë breza me moral e virtyte, që japin dhe kultivojnë dashurinë. Kështu do të lëmë gjurmë te brezat që vijnë.

A.H.: Ju gjithashtu keni edhe një biznes tuajin online. Si nisi kjo nismë?

A.P.: Ishte një nismë tejet spontane, por gjithsesi e lidhur me natyrën time, pasi e dua të bukurën dhe më pëlqen jashtëzakonisht të bëj dhurata. Faqja në Instagram Ari’s Gift shop.al po bën tashmë një vit e gjysmë që është hapur. Nga vetë emri kuptohet që bëhet fjalë për një dyqan me dhurata, ndërsa Ari është shkurtimi i emrit tim. Është një vitrinë online me një gamë të gjerë modelesh të bizhuterisë (argjendi dhe çeliku), ku spikasin trendet e fundit. Ky dyqan i vogël virtual ka patur një ecuri të mirë, duke qenë se vajzave dhe zonjave u pëlqen të zbukurohen me stoli të ndryshme dhe po ashtu e kanë parë si një alternativë të mirë për të përzgjedhur dhurata për nënat, motrat, mikeshat etj.

Falenderoj Zotin dhe falenderoj familjen tënde që më kanë mbështetur në këtë iniciativë dhe së bashku japim kontribut në të.

A.H.: Në gjithë profilin tuaj të larmishëm, çfarë mund të veçoni nga aktivitetet dhe sa kanë ndikuar ato në formimin e personalitetit tuaj?

A.P.: Puna në një organizatë jofitimprurëse, siç është Shoqata Kulturore «Gruaja», ka qenë një shkollë më vete. Gjatë viteve që kam kontribuar në këtë shoqatë jam rritur si në aspektin profesional, po ashtu edhe në atë personal. Kam punuar e motivuar dhe me shumë energji pozitive. Bashkëpunimet dhe angazhimet më kanë mundësuar të takoj njerëz të shtresave të ndryshme shoqërore dhe më kanë bërë edhe më shumë empatike dhe mendjehapur. Po ashtu në këtë mjedis të përzemërt kam punuar e ndërvepruar me kolege shumë të mira, me të cilat sot ruajmë raporte të ngrohta miqësore.

Nga aktivitetet që më kanë lënë gjurmë do të doja të veçoja Konkursin Kombëtar të Kuranit, Karvanin e Femrës Muslimane, emisionet në radio Kontakt, botimet me karakter edukativ, aktivitetet e ndryshme kulturore me motra besimtare në qytete të ndryshme të Shqipërisë, aktivitetet kulturore e humanitare me fëmijët jetimë etj.

Gjithashtu kam bashkëpunuar me redaksinë e revistës Travel, ku kam kontribuar me artikuj dhe intervista në fushën e turizmit. I jam shumë mirënjohëse zonjës Flora Xhemani Baba, drejtoreshës së kësaj reviste, që më ka vlerësuar dhe ka besuar tek unë.

A.H.: Çfarë ju pëlqen të bëni në kohën tuaj të lirë?

A.P.: Më pëlqen shumë të udhëtoj e të zbuloj vende të reja. Në udhëtimet e mia me familjen dhe me shoqërinë, kam parë vende të bukura, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ama, pas Tiranës të cilën e dua fort, vendi që më tërheq si magnet dhe ku nuk mërzitem asnjëherë që të rikthehem është Pogradeci. E dua shumë si qytet, i dua njerëzit, natyrën, liqenin, shëtitjet me varkë në Drilon, ajrin, ushqimin, çdo gjë. Kam një lidhje speciale me këtë vend, që kur kam kaluar pushimet e para. Mikesha të miat pogradecare më thonë me humor: “Ti e do Pogradecin më shumë se ne.” Por nuk dua ta lë pa përmendur edhe Shkodrën, që është një tjetër qytet i mrekullueshëm, të cilin e vizitoj shpesh. Aty kam mikesha të zemrës.

A.H.: Motoja kryesore në jetën tënde.

A.P.: Që fëmijë jam edukuar nga familja ime të jem e dobishme dhe njeri me vlera, si dhe t’u fal njerëzve mirësi. Motoja ime është hadithi profetik “Njeriu më i mirë është ai që është më i dobishëm për njerëzit.”

Ne kemi lindur në këto troje dhe rrënjët tona i kemi këtu, ndaj le të kontribuojmë së bashku për vendin tonë. Një thënie e urtë thotë: “Nuk e braktis atdheu njeriun, por njeriu atdheun.” Ndaj nuk është Shqipëria që na ka lënë ne, por ne po e braktisim atë dita-ditës. Për sa kohë që kemi shëndet e gjallëri, vizion e qëllime, le të punojmë fort e të përpiqemi për vendin tonë aq sa të mundemi dhe le të jemi optimistë se Shqipëria do të bëhet edhe më mirë. Kanë thënë se, kush nuk i takon atdheut të vet, nuk i takon as njerëzimit. Ndryshimi fillon nga secili prej nesh dhe nga mënyra se si i edukojmë fëmijët tanë.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

A.P.: Mesazhi im për lexuesit është një ndër thëniet e mia të preferuara të një dijetari, Mufti Menk, i cili thotë: “Përderisa në botë njerëzit garojnë me njëri-tjetrin, bëhu nga ata që garojnë me veten e tyre. Bëhu më i mirë seç ke qenë dje. Puno shumë. Kurrë mos i përul të tjerët që të ngresh veten. Njerëzit do të shohin përmes kësaj. Bëhu i sjellshëm me këdo që takon. Njerëzit e duhur do të të vlerësojnë ty!”

Këto parime le të na udhëheqin në raportet tona me veten, me njerëzit, si dhe në aspektin profesional. Faleminderit!

Revista “Familja”, qershor 2022