Intervistë me Inxh. Sobhi Batterjee – Kryetar i Korporatës së Spitaleve Saudito-Gjermane

170

Gazetari: Themelimi i spitalit të parë arabo-gjerman ishte një rastësi dhe jo në bazë të një plani paraprak. Pasi keni njohur sukses në punën tuaj erdhi pa planifikim një projekt i tillë. Është me interes për të gjithë të njihen me këtë histori që bart në vetvete shume emocion…

Batterjee: Në realitet familja ime merret prej kohësh me tregtinë e ilaçeve dhe është e njohur për aktivitetet e saj në fushën e mjekësisë. Gjyshi im ishte importues ilaçesh drejt Mbretërisë së Arabisë Saudite që në vitet ’40. Pra, kjo fushë nuk është e panjohur për ne, pavarësisht se unë udhëtova drejt SHBA-së, ku kam studiuar për inxhinieri elektrike, pas kthimit të vëllait Halid nga Gjermania dhe unë kisha ngritur një biznes në fushën e ndërtimeve, nëna ime dëshironte që të hapnim një spital.

Full-4Gazetari: Të gjithë vëllezërit dhe motrat u bënë mjekë përveç teje…

Batterjee: Po, të gjithë, mjekë në Egjipt, Liban ndërsa unë vendosa t`ia plotësoj kërkesën nënës time, pavarësisht se ishte një periudhë reçesioni, pasi çmimi i naftës kishte rënë ndjeshëm. Ishte një moment i papërshtatshëm. Kështu vendosa ta ndihmoj vëllain tim. Në fillim mendova se puna ime në këtë fushë do mbaronte me finalizimin e projektit të ndërtimit në një ose dy vjet, por pastaj vura re se veprimtaria spitalore ishte shumë e rëndësishme dhe vendosa të vazhdoj. Madje tani e ndjej sikur jam krijuar për këtë punë.

Gazetari: Na thatë se filluat thjesht për të plotësuar dëshirën e nënës suaj (Zoti e mëshiroftë) dhe ndërtuat një spital, jo thjesht një klinikë, e kur? Në një moment krize. Na e përshkruani pak se çfarë bëtë me të vendosur gurin e parë për ngritjen e spitalit?

Batterjee: Nënshkruam një marrëveshje me një kompani gjermane, pasi edhe vëllai kishte studiuar atje dhe ditën e parë, kur paparitur ditën e dytë na njoftojnë se ndërtuesi kërkonte ndryshime. U detyruam të gjenim një nënkontraktor tjetër. Ishte një periudhë e vështirë, pasi të gjithë ndërtuesit këkronin fillimisht, garanci monetare nga pronarët. Banka Ehli dhe drejtuesi i saj i atëhershëm, i nderuari Muhamed bin Mabud (Zoti e mëshiroftë) na ofroi shumë lehtësira. Spitali u ndërtua për dy vjet e gjysëm pasi i qëndruam mbi kokë kësaj pune ditë e natë. Kur e hapëm për herë të parë kishim rreth 350 punonjës ndërsa tani kemi 6000 të tillë.

Gazetari: Në fillimet e juaja keni punuar si nënpunës në shtet, në disa qytete?

Batterjee: Po, dhe aty merrja një rrogë prej 2200 rijalësh (monedha e Arabisë Saudite), por në fakt e dija që s’isha i përshtatshëm si nënpunës por e bëja për të fituar përvojë pune. Edhe pse kam punuar në fushën time në Rabja në Xhubejl e në vende të tjera, ku kam realizuar gjatë asaj periudhe projekte instalimesh elektrike, në rreth 35 mijë shtëpi e vila. Unë jam diplomuar në Universitetin e Kanzasit me gradën Bachelor dhe kam mbaruar magjistraturën në Universitetin Koal. Magjistraturën e kam mbaruan në një vit, pasi doja të kthehesha.

frontGazetari: Di që ju ngriheni shumë herët dhe kërkoni të jeni përherë i pari në punë…

Batterjee: Kjo është natyra ime, s`dua të jem asnjëherë i dyti. Unë prej 40 vitesh ngrihem dhe fal namazin e sabahut në kohën e vet dhe pres duke përkujtuar Allahun deri sa lind dielli. Kjo është prej mirësive të Zotit ndaj meje.

Gazetari: Historia e spitaleve është e mbushur me suksese, a keni pasur dështime në punën tuaj?

Batterjee:  Dështimi ka të bëjë me të suksesshmit, janë ata që kanë patur besim se do të arrijnë sukses, ndërsa ata që dështojnë, dështimi i tyre konsiston në dështimin e tyre për të patur besim se do të arrijnë sukses.

Gazetari: A keni pasur ndonjë moment kur jeni përballuar me vështirësi të pakapërcyeshme?

Batterjee: Asnjëherë nuk kam menduar që ky është fundi, pavarësisht sa të mëdha kanë qenë problemet me të cilat jemi përballuar. Sa herë kam patur vështirësi kam marr abdes, kam kërkuar xhaminë më të afërt, jam falur, i jam lutur Zotit dhe njëkohësisht kam praktikuar edhe vrapimin çdo ditë, 5 km apo 10 km, që të shkarkoj stresin dhe gjithmonë kam gjetur zgjidhje.

Gazetari: Është folur shumë për ju dhe sukseset tuaja, madje ka një libër që i kushtohet punës suaj “Rruga e Suksesit” ku autori – dr. Muhamed Muferrih shprehet se i janë dashur 8 vjet për ta përfunduar këtë libër?

Batterjee: Me z. Muferrih kemi miqësi tashmë. Mbaj mend në fillim, kur u takuam në një seminar a konferencë, kërkonte prej meje një intervistë. Unë u ktheva dhe e pyeta atë: “Çfarë synon të bëhesh në jetë?” Ai mu përgjigj se shpresonte të bëhej drejtues i një kompanie. “Po e zhgënjen ëndrrën tënde” – i thashë, “pasi që të bëhesh i tillë duhet patjetër të fillosh një biznes tëndin e jo të punosh për dikë tjetër kundrejt një rroge”.

Gazetari: I nderuar po na flisje mbi “Rrugën e Suksesit”, një libër i cili të është kushtuar ty dhe punës tënde, ku autori kishte ardhur për një intervistë dhe me fjalët e juaja ishte mërzitur dhe pas dy vjetësh u kthye sërish tek ty…

Batterjee:  Po, por pas dy vjetësh kur u kthye më tha që fjala jote më shtyu të bëhem biznesmen i njohur andaj do të të kushtoj një libër, për mënyrat e arritjes së suksesit. Ky libër nuk shpjegon për lexuesin si ndërtohet një spital por tregon se si arrihet suksesi pavarësisht fushës që ke zgjedhur. E kemi provuar që nga gjyshi, babai edhe djali im, ky i fundit shkoi në Amerikë dhe u kthye se s’mund të vazhdonte. Këtë libër ua kemi kushtuar të rinjve, që duan të punojnë për të gjetur rrugën e tyre në jetë. Unë ofroj eksperiencën time se si kam ndërtuar jetën, pasi nuk jam pinjoll mbretërish e as sheikësh, por kam arritur majat e suksesit me punën time.  I thashë një motre gazetare, kur më tha se dua të bëj një intervistë me ju – Çfarë dëshiron të bëhesh në jetë? Ajo më tha se dëshironte të bëhej kryeredaktore e gazetës në të cilën punonte. Para pak vitesh më telefonoi dhe më tha që, jo vetëm ia kam arritur të drejtoj këtë gazetë por e kam blerë atë.

Gazetari: Familja Biterxhi është e njohur në të kaluarën. Madje me sa mbaj mend ka mbajtur numrin 2 të postës. Kjo famë a ju ka ndihmuar apo ka qenë faktor negativ në aktivitetin tuaj të ri?

Batterjee:  Numri 2 i postës … në të kaluarën nuk kishte çdo shtëpi një llogari të veçantë poste por kompanitë identifikoheshin jashtë Arabisë Saudite përmes një numri të caktuar në postë. Ndërsa brenda vendit kjo nuk ka ekzistuar pasi në qytete çdo kush njihte tjetrin.

Çdo njeri punon atë për të cilën është krijuar… Ne na e ka lënë amanet gjyshi që të mos punojmë asnjëherë tek dikush tjetër. Ne jemi familje tregtare, pra ne s’ kemi punë as me politikë e as ndonjë fushë tjetër, na thoshte ne nuk punojmë tek dikush tjetër as për dikë. Edhe mua më thonin të ndiqja një degë në studime që do më ndihmonte të bëhesha ministër a ambasador ose ndonjë post të rëndësishëm tjetër… Unë gjithmonë përgjigjesha që ne nuk punojmë tek dikush tjetër.

Gazetari:  Puna e biznesit është një punë e vështirë, i dëgjon tregtarët që synojnë të importojnë këtë apo atë markë dhe hasin pengesa…

Batterjee: Unë e ndjej që e kam gjetur vetveten në punën që bëj tani. Këtë punë e shikoj si rruga ime për në Xhenet. Unë gjendem gjithandej siç na mëson Profeti (a.s.) prandaj kam vendosur numrat privatë e mi të telefonit dhe jam lehtësisht i arritshëm. Qoftë në spitalet tona në Rijad, në Medinë e gjithandej. Mjafton të më telefonosh çdo orë dhe unë përgjigjem dhe ky s`është një numër vetëm për të zgjedhurit por për çdo njeri. Unë e dua këtë punë që të jetë një mënyrë për të hyrë në Xhenet.  Më intereson të di problemin e secilit, edhe të punonjësve edhe të klientëve.

Prandaj ti i dëgjon ata duke folur për jetën e tyre familjet e tyre e jo nëse shitën një makinë apo u shijon pepsi e gjëra të tilla. Ajo që dëgjon vlen pasi ti mund të ndihmosh njerëzit dhe unë besoj tek puna jonë që t`i ndihmojmë të tjerët por për t’a bërë këtë duhet të jesh i arritshëm nga të gjithë. Sapo ngrihem nga gjumi, u telefonoj numrave që më kanë telefonuar gjatë kohës që kam qenë në gjumë, ose lexoj e kthej mesazhet e lëna. Edhe gjatë ditës, asnjëherë nuk vë në punë sekretarinë elektronike kur jam në ndonjë mbledhje, por lë dikë që të përgjigjet dhe të më raportojë në detaje si dhe të përcaktojë kohën kur unë do mbaroj që të flas me ta. Nuk preferoj të kontaktoj me të tjerët përmes vartësve të mi. Një rast isha në Gjermani dhe më thërret një pacient dhe më thotë që mbi karrike në dhomën e lindjes ku ishte shtruar ka njolla gjaku – po po deri në këtë shkallë. Kështu edhe punonjësit e spitaleve e kanë të qartë që çdo neglizhencë e tyre mund të më paraqitet mua në formën e një ankese në çdo kohë. Në fillim nuk e kisha menduar këtë pasi numrin personal e kisha vënë thjesht për t’u shërbyer njerëzve. Ne thërrasim: “O Zot Xhenetin tënd!” Por Xheneti vjen duke u shërbyer njerëzve.

Gazetari:  Ne shohim tek ju, i nderuar, gjëra të çuditshme qoftë edhe në administrim, askush nuk pret më shumë, tek zyra jote, se sa një çerek ore, për t’u takuar me ju.

Batterjee: Kur unë jam në zyrë, ua kam bërë të ditur që brenda 15 minutash duhet të takoj atë që kërkon takim. Puna jonë ka të bëjë me jetën e njerëzve. Nuk mund të thuash “më vonë se jam në mbledhje”.  Kjo është kultura që kam vendosur edhe tek punonjësit. Nuk ndodh të vijë një pacient dhe t’i thonë prit pavarësisht se nga çfarë vuan. Me anë të kësaj mënyre kam evituar edhe presionin e punës pasi punonjësit janë në dispozicion dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë unë jam prezent.

Kjo është kultura jonë në spitalin arabo-gjerman. Nëse dikujt nuk i pëlqen shërbimi edhe pse ka paguar, mjafton t’a thotë këtë dhe në i kthejmë lekët pavarësisht shumës. Më kuptoni drejt, kjo ndodh me shërbimin dhe jo për produktet. Mundet dikush të thotë, produkti kishte ambalazhin e prishur apo ku di unë. Ne nuk kthejmë shuma për produktet, por për shërbimin ne jemi gati. Më ka ndodhur një rast. Dikush më erdhi dhe më tha ju bëni haram, spitali juaj vjedh… I thashë: “Pse o njeri i mirë?” Tha: “Hyra për t’u vizituar tek otorinolaringologu pasi pagova 100 rijalë por më vizitoi vetëm hundën”. Mendonte që atij duhej t’i ktheheshin 66 rijalë pasi mjeku nuk i ishte përmbajtur emrit që mbante dhe sipas pacientit duhej ta kishte vizituar edhe nga veshët edhe nga laringu. Sipas tij mjeku i veshëve, hundës dhe laringut – ORL duhej ta vizitonte në të gjitha ato që përshkruheshin në derën e mjekut. (qesh). Një tjetër, kishte bërë një ndërhyrje kurirgjikale në spitalin tonë, ndërhyrje në kocka. Më tha gjatë inspektimit: “A e keni kryer realisht ndërhyrjen?” I thashë: “Sigurisht, po pse thua kështu?” Më tha që dua t’i shoh çfarë është hequr. I tregova që mbetjet spitalore futen në një proces që është e pamundur të kthehen. Janë mësuar disa me metodën e vjetër, ku pacientit i jepnin në dorë apendiksin e hequr apo pjesë të tjera pas operacioneve. Ja një rast tjetër. Po vizitoja spitalin dhe në korridor takoj një pacient. E pyes se çfarë priste. Më tha që ka dy orë dhe s’më pret nejri. Çudi pasi tek ne, me të hyrë të thonë “Mirësevini nga çfarë ankoheni etj.” Ndërsa ky njeri kishte dy orë në pritje sipas tij. Vini re! Kjo nuk ka të bëjë me injorancën por me këndvështrimin e secilit.

Gazetari: Në punën tuaj, jo rrallë i keni hyrë rreziqeve. Hapja e qëndrave spitalore në vende të pasura është e justifikueshme, por ju keni hapur një spital, në Sana, në vendin më të varfër të Gjirit në Jemen. Çfarë ju shtyu ta bëni këtë?

Batterjee: Asnjëherë nuk duhet të shohësh për një përfitim të çastit. Ne shkuam në Jemen për të shërbyer dhe ndihmuar njerëzit. Kështu vendosëm me vëllain tim që të hynim atje dhe të shërbenim. Na ka mësuar Profeti (a.s.) që të shkojmë dhe të jemi në ndihmë të vëllezërve tanë. Specialistët më rekomandonin të hapja një klinikë të thjeshtë me disa shërbime spitalore bazë. U thashë që kjo nuk mund të bëhet. Këta janë vëllezërit tanë dhe do të ndërtojmë spital me të gjitha shërbimet e tij. Ne në Islam duhet të kujdesemi për fqinjin, andaj ndërtuam në Jemen një spital që ua kalon në shumë aspekte spitaleve të tjera që kemi hapur. Është një spital në të cilin ofrohet çdo shërbim spitalor që ofrohet deri më sot, pajisjet janë ndër më modernet. E them me kënaqësi që nëse Zoti më ka nderuar me diçka, më e madhja e nderimeve është që na dha mundësinë për të realizuar këtë spital në Jemen. Nëpërmjet këtij spitali u kemi shërbyer rreth 400 mijë vetave. Lavdërimi i takon Allahut!

Gazetari: Çfarë ju kanë thënë në fillimet tuaja?

Batterjee: Nuk ka asnjë punë, që unë kam realizuar, të më kenë thënë njerëzit para saj, se do të kishte sukses. Mendoje se ti pyet njerëzit që të duan dhe ata kanë frikë se mos t`i humbet. Andaj tregohen të përmbajtur në parashikimet e tyre. Ndershmëria në punën tënde është pika më e fortë për të arritur tek suksesi. Edhe Allahu e krijoi njeriun me Duart e Tij. Ai krijoi qiejt e tokën, kështu edhe njeriu nuk duhet të thyhet por të përpiqet edhe kur bien gurë gjatë ngjitjes. Nuk ka vetëm ” për hatër të Allahut” e të ulem e të mos bëj asgjë. Nuk mund të jesh i sukseshëm që ditën e parë të punës. Do kesh problem me nënkontraktorë, ndërtues, punëtorë, konkurentë, etj. Pra nuk është e lehtë.  Ti shkon për të nxjerr leje ose regjistron biznes a të ngjashme. Nuk duhet të tërhiqesh por të punosh deri në finalizim të punës sepse pas asaj që heq, qëndron suksesi.

E thashë edhe më parë që punën time, në fushën e spitaleve, e shoh si rrugën time drejt Xhenetit, prandaj shoh në shërbimin e ndihmën ndaj njerëzve si një nder të madh që më bëhet mua duke u shërbyer atyre. Kësaj i jam përmbajtur. Prandaj jam i kënaqur që kemi ndërtuar spitalin në Sana, por sinqerisht kam gjetur përkrahje të madhe në mesin e jemenasve të cilët me të parë përkushtimin dhe sinqeritetin tim, na kanë ndihmuar për të realizuar këtë projekt. Mos harro se në këtë spital janë realizuar 1 mijë ndërhyrje në zemër, po flas këtu vetëm për operacionet me hapje. Kur ti dëgjon që për pamundësi të një operacioni në zemër vdesin famijë, detyrohesh t’i përgjigjesh nevojës së atyre njerëzve dhe të bën të ofrosh të gjitha shërbimet spitalore. E them pa modesti që me punën tonë jemi bërë shkak të shpëtojmë jo më pak se 50 mijë jetë njerëzish, duke filluar punën tonë nga hiçi. Ky është qëllimi i jetës sonë. Jo lekë e pasuri, por përderisa ka Xhenet e Xhehenem, për këtë punojmë ne.

Gazetari: Dita më e pikëlluar që ke përjetuar në punën tënde?

Batterjee: Një ditë kur vdiqën 7 fëmijë jemenas, shpëtuan 3 prej atij grupi por vdiqën shtatë. Atë ditë kalova pikëllim të thellë.  U them të gjithë arabëve, se do dalim para Allahut dhe do na pyesë Zoti i botërave çfarë kemi bërë për vëllezërit tanë në Jemen, Somali apo kudo gjetkë.  Ne jetojmë në mirësi prej Allahut, por e kemi detyrim islam të ndihmojmë fqinjët, në Siri, Jemen, Egjipt a Irak. Të gjithë po kalojnë probleme të mëdha. Vetëm vendet tona janë në qetësi, andaj duhet të ndihmojmë të tjerët. Arabia Saudite jeton në begati të mëdha por duhet të ndihmojë të tjerët.

Gazetari: Inxh. Subhi Biterxhi, ju keni një program të posaçëm për të rinjtë: “Shembulli i Mirë”. Pse keni zgjedhur pikërisht këtë program?

Batterjee: Ju e dini se myslimani është i obliguar të paguajë zekatin e parave, të pasurisë dhe këtë e konsideroj nga llojet e zekatit.  Ne kemi shumë të rinj, të përgatitur, të cilët synojnë suksesin dhe janë bij të njerëzve të sukseshëm në fushat e tyre, pilotim, inxhinjeri, a mësimdhënie, por në fushën e biznesit kanë nevojë për dikë që t’i orientojë. Unë jam aktivizuar vullnetarisht në këtë program për të mbështetur të rinjtë, me dr. Mansufi dhe Universitetin Abdul Aziz, në fakultetin e ekonomisë, ku kam dhënë leksione. Pastaj kam punuar me grupin e të rinjve biznesmenë, 30 veta të cilët më vizitojnë në shtëpi, më telefonojnë për të marr mendimin tim vazhdimisht në lidhje me problemet e biznesit në fushat ku ata operojnë.

Gazetari:  A mendon se çdo biznesmen duhet të kontribuojë në përgatitjen e biznesmenëve të rinj duke grumbulluar rreth vetes të rinj për këtë fushë?

Batterjee: Po, unë kam marr një grup dhe i takoj qoftë edhe një herë në muaj dhe i mësoj si të bëjnë tregti, si të ndërtojnë biznes etj.

Gazetari: Fëmijët e tu, Rimi, Sultani e të tjerët, a do punojnë me ju?

Batterjee: Jo, fëmijët tanë nuk janë të përfshirë në biznesin tim dhe të vëllait tim Halidit. Brezit të ri do t’i mundësojmë të hapë bizneset e veta. Ata duhet të zhvillojnë punën e tyre. Unë s’kam pse i marr të punojnë tek unë, pasi punën e tyre mund të ma realizojë dikush tjetër dhe shumë më mirë se fëmijët tanë. Ata duhet të zhvillohen dhe të nxjerrin shpenzimet e tyre me djersën e vet. S’kanë pse të më vijnë e të më kërkojnë t`u ndërtoj shtëpi e t`u blej këtë apo atë. Le të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre me të mos ankohen se pse unë ndihmoj nevojtarët, fëmijët e mi s’janë të tillë. Ata duhet të përpiqen.  Në familjen tonë ne këmi një dokument familjar si kushtetutë e brendshme në bazë të së cilës funksionon familja dhe secili mund t’i referohet këtij dokumenti në sjelljet e veta. Kur do të bësh biznes me dikë, gjithmonë interesimi bie mbi gjendjen financiare të asaj kompanie ose gamën e aktiviteteve por më e rëndësishme se këto është të shikohet ndikimi i anëtarëve të familjes mbi kompaninë. Pasi ajo që është e sukseshme sot mund të dështojë nesër si rezultat i mosmarrëveshjeve të brendshme. Kush është kryetari i ardhshëm i biznesit, si bëhet ndarja e fitimeve etj. Këto e të tjera në një biznes familjar duhet të rregullohen me rregullore të brendshme.

Gazetari:  Si ka mundësi? Në familjen tuaj ka një dokument të varur mbi derë që të gjithë e dinë përmendësh, ku të gjithë mund ta lexojnë, si ju ka shkuar mendja për diçka të tillë?

Batterjee: Po, aty thuhet: Të punosh për hatër të Allahut. Të jesh i ndershëm dhe të qëndrosh në krye, të respektosh brezin e ri si dhe të punosh në fushën mjekësore. Kështu e shohim se pse jemi krijuar ne si familje. Në punën tonë të përditshme dhe në jetën tonë ky është fokusi. Në punën tonë të përditshme dhe në jetën tonë ky është fokusi. Po e respektojmë këtë dokument. Ashtu siç shkojmë në Amerikë çdo vit për pushime për t’u kujdesur për trupin, po ashtu shkojmë në Mekë për ushqim shpirtëror të gjithë bashkë.

Gazetari: I nderuar, më thonë që ju nuk keni një zyrë të posaçme tuajën…

Batterjee: Jo, kam hequr dorë nga zyra. Përdor Blackberry për çdo takim, zhvilloj video konferenca nëse ka nevojë të takohem me dikë, takimet i zhvilloj jashtë qendrave spitalore. Ja sa jemi tani bashkë më vijnë thirrje nga Egjipti, Jemeni etj. por unë u përgjigjem të gjithëve sa të mbaroj dhe e përcjell çdo ankesë që vjen tek përgjegjësi i asaj fushe. Po ta vini re askush s`thërret për herë të dytë.

Gazetari: Cila është këshilla më e vlefshme që keni marrë ju?

Batterjee: Këshilla më e mirë. Nëse kthehemi para dyzet vitesh kur isha i ri. Kishim një të afërm Shejh Hamza Axhaxh, më tha një ditë, kur më pa të mërzitur, po të këshilloj me disa fjalë t’i thuash sa herë që del nga shtëpia: “Në emër të Allahut, i besoj Allahut, Atij i mbështetem. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe s’ka ndryshim as forcë përvec nëpërmjet Allahut”. U bënë dyzet vjet dhe unë e them çdo ditë këtë. Pasha Allahun s’ka çfarë të dëmton po i the këto fjalë. Nuk ka kthim mbrapa në asnjë çështje do njohësh vetëm arritje. Ky është shkaku. Unë lexoj Kuranin vazhdimisht.

Gazetari: E lamë për në fund. Të kujtojmë nënën tënde e cila të thirri të bëje një projekt spitalor për vëllain tënd Halidin. Ti mendove se do ia ndërtoje në një vit ose dy vjet e do i ktheheshe punës tënde, ndërsa vazhdove në këtë fushë. Tek nëna shkoje çdo ditë në një distancë 6 orë, vetëm për të parë nënën tënde? Ka djalë sot që e bën këtë për nënën e vet?

Batterjee: Shumë bëjnë shumë e më shumë. Në WhatsApp më erdhi sot një foto ku tregonte një kinez që punonte çdo ditë me biçikletë dhe merrte nënën e tij invalide me vete në punë se mos kishte nevojë për gjë. Pasi nëna e tij pa këmbë nuk ishte në gjëndje të kryente nevojat e veta dhe ai e barte gjithë ditën rrugëve të qytetit ngado që e çonte puna e tij me biçikletë. Unë jam gati të shkoj në fund të botës për nënën. Na ka mësuar Muhamedi (a.s.) kur ka thënë që të duam më së shumti në këtë botë “nënën… nënën… nënën… pastaj babain…”.

Gazetari: Shohim se individët në familjet biznesmene janë si të shpërndarë ndërsa juve ju shohim të bashkuar…

Batterjee: Nëse kam një familje të mirë, e gjitha shkon për bashkëshorten time. Pasi unë dal në sabah e kthehem natën vonë gjithmonë. Asnjëherë s’i kam edukuar drejtëpërdrejtë fëmijët e mi, as i kam rrahur, as qortuar, as kam kërkuar ndonjëherë të falen apo mësojnë. Unë jam përpjekur t’i efukoj duke dhënë shembullin tim personal, duke qenë i pari në të gjitha punët dhe ata më kanë ndjekur. Çdo familje ka metodën e vet edhe për martesat e fëmijve. Unë jam kundër martesës në mënyrë të detyruar. Unë mendoj se fëmijët duhet të kenë mundësi të njihen përmes takimeve në shtëpi dhe të komunikojnë për një periudhë një vjeçare fejese, para se të vendosin të martohen. Gazetari: Pyetjet flash në fund… jeni njeri nervoz?

Batterjee: Varet kush qëndron para meje…

Gazetari: Autoritar?

Batterjee: Jo aspak

Gazetari: A shpenzon tepër?

Batterjee: Jo, në muaj thjesht 200 rijalë benzene

Gazetari: Sistematik?

Batterjee: Shumë

Gazetari: Aventurier?

Batterjee: Me masë

Gazetari: Koprac?

Batterjee: Jo.

Gazetari: Pyetja e fundit, emri im është Hilmi (ëndrra ime) cila është ëndrra jote?

Batterjee: Të hyj në Xhenet dhe të punoj në këtë botë për këtë…

Synoj të hap një spital enkas për të varfërit dhe nëse dikush ka një copë tokë le të vijë e ta hapim së bashku.

Përktheu: Ilir Curri

Korrik -gusht, 2014