Intervistë me Margarita Xhepën – “Nëna më ka mbetur ëndërr brenda syve të mi”

227

Kur hidhni sytë mbrapa si do ta përshkruanit jetën tuaj?

Kujtimet mbeten brenda qenies tënde, nuk harrohen kurrë, janë shumë të bukura dhe të paharruara. Sigurisht janë dhe të dhimbshme, sepse unë vij nga një familje tepër e varfër, por varfëria ime ishte dyfish, sepse më mungonte dhe nëna që është më kryesorja. Pastaj kënaqësi e madhe ka qenë kur unë nga poezia mora duartrokitjet e para në vendlindjen time, erdha në Tiranë dhe bëra Liceun Artistik. Ishte tepër e domosdoshme sepse unë nuk dija Migjenin dhe jo të dija Shekspirin, që do kisha mundësi ta luaja më vonë, ishte gjë e madhe. Kështu që i kujtoj këto në stadin ku jam tani, i kujtoj me kënaqësi, por jam e emocionuar sigurisht, jam e lumturuar në këtë moment që jam këtu dhe kjo falë dashurisë që kam pas dhe kam për artin.

DSC_0003Cili ka qenë faktori kryesor që ka ndikuar në drejtimin tuaj si aktore?

Unë e desha artin kur nuk dija ta kuptoja se ç’ishte arti, por thjeshtë më pëlqente një varg, një poezi, më dukej fjalë shumë e bukur, por që nuk isha në gjendje ta thoja bukur, por nga dashuria që kisha unë pikërisht pa e kuptuar sa gjë e bukur është kjo, unë e mësoja me dëshirë të madhe. Nënën e kisha shumë sëmurë dhe ajo më thoshte: “Hë me çupë, thuaje dhe njëherë vjershën, se këto (për motrat e mija) nuk e thonë aq mirë sa e thua ti”. Unë aty vura re dhe më emocionioi ai fakt, sepse qe si juria ime e parë, që unë sikur i thokam më mirë një çik vargjet. Atëherë në atë kohë ne kemi pasur një grup amator dhe jam angazhuar aty dhe kam bërë një rol, e kam luajtur pjesë me një akt dhe me dy akte. Nuk e harroj rolin e parë në Lushnjë. Duke mos qenë fare aktore dhe duke mos bërë Liceun Artistik, kam luajtur rolin e parë të një vajzë ruse, Katjusha. Këto kanë qenë shtysa dhe stimul për mua.

Cili ka qënë raporti me nënën tuaj?

Ajo më ka lënë jetime që 9 vjeç dhe ka qenë një boshllëk i jashtëzakonshëm. Nëna ka mbetur brenda meje si një pasuri. Unë nuk e mbaj mend a flinte gjumë nëna ime, sepse ajo na vinte ne në gjumë në darkë dhe vetë flinte e fundit. Në mëngjes çohej e para për të na bërë mëngjesin dhe unë e mbaj mend atë në këmbë, vetëm në këmbë. Ajo ka mbetur si ëndërr brenda syve të mi, ajo ka mbetur zemër brenda zemrës time dhe kurrë nuk më ka lodhur malli për ta kujtuar dhe do ta kujtoj vazhdimisht, sepse siç e thashë është një pasuri e madhe brenda shpirtit tim. Nuk ka gjë më të bukur se raporti i nënës me fëmijët, në veçanti me vajzën edhe unë këtë e kam plagë, e kam peng që në jetën time nuk kam një vajzë. Vajza merr shumë nga nëna, është pasqyra e nënës edhe unë jam mirënjohës nënës time për virtytet e saj pa shkollë, por njerëzore, të mençurisë, të genit të saj. Kishte virtyte aq të mrekullueshme, saqë unë tani shumë plakë i kam si xhevahire brenda qenies, si pasuri të madhe porositë e saj. Pra atë që bën nëna, në veçanti nëna shqiptare, për shumë gjëra, për shumë kushte, për shumë rrethana, për shumë mungesa, privime, nuk e bën asnjë nënë tjetër në botë.

A e keni arritur ta ndërtoni jetën ashtu siç keni ëndërruar?

Gjithmonë njeriu ëndërron për të bukurën, për më të mirën, për atë të paarritshmen, por mua më ka ikur më shumë ai parashikimi im. Këtë ia dedikoj në radhë të parë punës sime, familjes që ndërtova, bashkëshortit tim të paharruar të mrekullueshëm Xhavit Xhepa, që ishte artist, sepse ndihmesa e tij ka qenë e jashtëzakonshme për mua. Arrita me përkrahjen morale të dashurisë njerëzore, por në radhë prej punës dhe kolegëve që unë kam punuar.

DSC_0008Ju keni një nip të vogël. Çfarë raporti keni me nipin tuaj?

Dashuria e gjyshes nuk është më e paktë nga e nënës. Shqiptarët i thonë “mjalti i mjaltit”. Thonë që gjyshja i do fëmijët më shumë se fëmijët e vet, sepse gjyshja ka durim të madh. Ajo nuk duron që t’ia prekin nipin, ta kritikojnë, apo t’i pikojë loti. Unë jam shumë krenare, sepse kam tre nipër dhe është kënaqësi shumë e madhe për prindërit që të arrijnë të rrisin fëmijët e fëmijëve, t’i falin dashuri, sepse gjyshërit falin shumë dashuri. Çdo shtëpi që ka një gjyshe, ka brenda mençuri, ka zgjuarsi, ka urtësi. Fjala e gjyshes është nga përvoja e jetës, që i ka bërë dhe më të mençura se ç’janë. Raportet e mia me nipin, janë të paharrueshme. Ai më shton jetën, më gëzon, më jep kënaqësi të jashtëzakonshme.

Si ka ndryshuar perceptimi për artin në këto dy periudha?

Populli ynë e ka dashur dhe e do shumë artin dhe ka ditur ta çmojë atë. Kudo që jemi në rrugë, në një festë, në një mbrëmje, e shohim mirënjohjen që kanë për artistët. Na kanë çmuar dhe figurat tona kanë mbetur në memoriet e tyre. Gjithmonë ngelem borxhlie te publiku dhe shpesh them, se kur do vijë edhe një rol tjetër që unë të plotësoj ndoshta dhe më shumë nga ato që kam bërë.

A janë artistët e sotëm shembull i shëndetshëm për shoqërinë tonë?

Është e vërtet, figura e artistit është figurë publike, e ndjek nëpërmjet artit, nëpërmjet personazheve, sepse çdo rol, çdo pjesë ka një mesazh të fuqishëm. Mendoj që në kohën e monizmit është bërë art, por demokracia solli hapësira të mrekullueshme, sepse arti do liri në krijimin e një personazhi, të një kënge, nuk duhet ta privosh nga krijimi i tij artistik, nuk duhet ta trembësh.

Ju keni arritur të ruani një bukuri natyrale, cili është sekreti juaj?

Kam marrë diçka nga prindërit, por sekreti është jeta e rregullt nga çdo pikëpamje. Mbi të gjitha është puna, lëvizja është shëndet, është kënaqësi. Kur merrja një rol dhe shkoja në shtëpi im shoq e kuptonte që unë kisha marrë një rol të ri. Unë nuk di të rri me orë tëra në kafe dhe as nuk pi cigare. Po iki nga kjo botë pa mësuar biçikletën. Nuk kam mësuar të notoj mirë, sepse kur kam qenë e vogël nuk shkonim në det dhe t’i jepje biçikletës ishte turp. Më vjen shumë keq që vajzat e reja pinë cigare, sepse nuk i bën aspak mirë shëndetit. Sekreti për një bukuri natyrale është një jetë e rregullt, puna dhe sigurisht një dietë ushqimore e ekuilibruar.

A ka diçka që ju nuk mund t’i rezistoni?

Unë kam qenë dhe do vdes modeste. Unë jam rritur me dy-tre veshje, kam menduar për tim shoq më shumë dhe për djemtë e mi. Nuk kam pretenduar kurrë për gjëra të shtrenjta, jam veshur gjithmonë në mënyrë shumë modeste, por nga ana tjetër më pëlqen shumë të kombinohem.

Cili është raporti juaj me Zotin?

Besoj dhe jo vetëm tani, por edhe në kohën e monizmit besoja. Unë kam marrë një burrë musliman. Vjehrri im falej në kohën e monizmit, gjë që ishte e ndaluar. Kam besuar që në moshë të vogël dhe vazhdoj të besoj. Po them vetëm tre vargje: “Lotët nuk të sjellin dhimbje, por dhimbja sjell lot. Mos thuaj: o Zot unë kam një dhimbje, por thuaj: O dhimbje kam një Zot”.

A keni ndonjë mesazh për lexuesit tanë?

Ta duan dhe ta ndjekin artin, mos t’i pengojnë fëmijët në qoftë se e duan atë. Arti ka hapësira të mëdha; të fisnikëron, të kulturon, të bën t’i kuptosh gjërat më bukur. Ta duan poezinë, tani ka shumë libra të bukura. I këshilloj të lexojnë, leximi është shok i mirë dhe ka përfitime të mëdha. Kultura është gjëja e domosdoshme për njeriun, sepse nuk i kuptoja gjërat siç i kuptoj tani, më bëri kultura t’i kuptoj. Të studiojmë, të kulturohemi, sepse i shërbejmë jo vetëm vetes, por edhe shoqërisë.