Intervistë me poeten Besarta Shatri

394

Intervistoi: Armida Plumbi

Besarta Shatri u lind në fshatin Drejë të komunës së Istogut. Shkollën fillore “Avni Rustemi” e mbaroi në Zallq, kurse të mesmen “Mithat Frashëri” në Gurrakoc, si dhe me korrespodencë i vijoi mësimet në Medresenë “Alaudin”.

Momentalisht ajo vijon studimet në Fakultetin e Studimeve Islame dhe në fakultetin e Shkencave Sociale “Përkujdesja dhe mirëqenia e fëmijëve” në Universitetin AAB.

Besarta merret me shkrime, të cilat i ka botuar në shtypin islam, përkatësisht në revistën “Edukata Islame”, po ashtu ka të botuara disa prej krijimtarive të saj në revistën “Familja”.  Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve.

Thënia që e frymëzon: “Lexo në emër të Zotit tënd i cili krijoi çdo gjë!”

-Çdo të thotë të qenit poete për Besarta Shatrin?

 Që e vogël kam menduar se të jesh poet do të thotë të kesh aftësi për të krijuar rima.

Tani e kuptoj që të qenit poet do të thotë të kesh një paraqitje dinjitoze në sjellje, mendime estetike, të kesh shpirt të dhembshur, të kesh parime të bazuara në altruizëm dhe të jesh i aftë të fisnikërohesh bashkë me realitetin.

Më saktë, të jesh poet nuk do të thotë të vetë-shprehesh por të vetë-eksplorohesh.

 –  Kur keni filluar ta zbuloni këtë pasion të fshehtë?

Krijimet e mia të para kanë qenë që në shkollën fillore në hartime dhe ndonjëherë edhe përpjekje për poezi të shkurtëra. Unë kam pasur fatin të kem një mësuese e cila vazhdimisht na inkurajonte të shkruajmë dhe një përparësi tjetër është që kemi pasur një arsimtar poet Maxhun Osmanaj, i cili gjatë orëve letrare na fliste me shumë dashuri për poezinë dhe bukuritë e saj të pafundme.

Pra, që në moshë të vogël krijimtaria është bërë pjesë e pandashme e jetës time.

11947609_1617747571840899_2792702540027923018_n

-Çfarë ka ndikuar në formimin tuaj letrar? Po frymëzimin nga e merrni?

Dijet e para në rrugën time drejt krijimtarisë i mora në shkollën fillore, aty fillova ta doja letersinë dhe poezinë. Më vonë e kam ndierë veten të lidhur me poezinë në njëfarë mënyre, që i përkas dhe me përket.

Edhe pse çdo person ka mënyrat dhe motivet e veta nga ku e gjen frymëzimin, unë konsideroj që inspirimi vjen nga lidhja jonë me Universin.

Kryesisht, inspirimi më vjen nga njerëzit, pothuajse çdo përjetim me ta mund të zbërthehet në krijimtari (art).

-Sipas mendimit tuaj, si gërshetohet krijimtaria letrare me Islamin?

Përderisa arti në përgjithësi, përfshirë këtu edhe krijimtarinë letrare, është shfaqje e mirësisë dhe bukurisë njerëzore, atëherë domosdoshmërisht që gërshetimi i saj me Islamin si fe bëhet në mënyrë racionale dhe koherente.

Besoj që Islami në esencë është i ndërtuar mbi bazat e së bukurës i cili gjithmonë e ka theksuar ndërlidhjen ndërmjet artit dhe diturisë.

– Cilat jane sfidat e të qenit muslimane në Kosovë?

Mendoj se të qenit musliman sot, si në Kosovë po ashtu edhe në mbarë botën, është një sfidë jo edhe aq e lehtë. E tërë kjo ka ardhur si pasojë e propagandave mediatike të cilat kanë krijuar konfuzion kudo në botë, rreth asaj se çka konkretisht do të thotë t’i takosh besimit islam. Kjo sfidë sa vjen e rëndohet sidomos kur është fjala te integrimi i femrës muslimane me mbulesë në shoqërinë tonë, gjë që nuk është e lehtë për shkak të stigmatizimit dhe paragjykimit që i bëhet asaj. E tërë kjo rëndohet edhe më shumë për shkak të keqkuptimeve dhe opinioneve tërësisht terse që janë ngritur në shoqërinë tonë duke arritur që të bindin njerëzit se të jesh femër muslimane me mbulesë do të thotë të jesh një person inekzistent në kuptimin e ndjenjave, emocioneve, ëndrrave, dëshirave dhe të anës së brendshme të saj, e që pikërisht kjo është bota krijuese e çdo njeriu. E padyshim se një botë e tillë është ajo që shfaqet dhe manifestohet me forma të ndryshme artistike, andaj mos ekzistenca e saj do të thotë të gjykuarit e femrës në formë primitive duke e marrë atë vetëm si një objekt riprodhues dhe asgjë më shumë.

– Mesazhi juaj për rininë shqiptare?

Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë është që të këmbëngulin në arritjen e ëndrrave të tyre, të kenë besim në vetvete dhe ta bëjnë leximin pjesë të pandashme të jetës së tyre, sepse është e vetmja mënyrë që çon drejt një të ardhmeje të ndritur.


Nëse një ditë,

do ta ndjesh dhimbjen e butësisë së tepërt

dhe ndihesh mjaftueshëm i fortë për t’u thyer,

m’u atëherë kur këmbët s’të mbajnë

por besimi s’të lë të rrëzohesh,

atë ditë, ti ke fituar!

Nëse një ditë,

shfaqesh por jo për t’u dukur,

dashuron por jo për t’u dashuruar,

fal edhe pse është kafshatë që ngec në fyt,

qëndron kur gjithçka brenda teje do të arratiset,

atë ditë, më beso… ti ke rilindur! (Besarta Shatri)

 

 Revista “Familja”, tetor 2016