Intervistë me poeten Dorina Behari

115

Intervistoi: Armida Plumbi

Dorina Behari

Dorina Behari u lind në Fier. Shkollën fillore e kreu pranë shkollës “Shyqyri Behari” të fshatit Kraps, kurse të mesmen e mbaroi pranë shkollës jo publike “Alen” në Fier. Ka kryer studimet e larta në sistemin Bachelor për Inxhinieri Matematike pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.

Momentalisht jeton jashtë Shqipërisë, në Itali së bashku me familjen e saj të re, bashkëshortin dhe vajzën e sapo lindur. Krijimtaria e saj letrare është hasur e botuar në revistën “Familja” për disa herë. Ajo zotëron një faqe personale në Facebook ku ndan me ndjekësit e saj copëza të krijimeve të saj.

Thënia që e frymëzon: “E di! Ndoshta bota nuk do të bëhet kurrë ashtu siç dua të jetë, por unë do të vdes duke punuar çdo ditë që ajo të bëhet e tillë.” Romani “Behado”, Dorina Behari

-Çdo të thotë të qenit poete për Dorina Beharin?

– Në ditët e sotme është shumë e lehtë të bëhesh poet, mjaftojnë vetëm të dish të rimosh fjalët në fund të vargjeve. Por për mua nuk është ky një poet. Një poet është dikush që gjen frymëzim dhe tek një pikë uji kur bie në tokë, edhe tek një lule e tharë dhe me frymëzimin e marrë arrin të krijoj një lojë fjalësh e cila ngre peshë zemrat e njerëzve.  Fusha e poezisë është e gjerë, por mua më pëlqejnë poetët real. Ata që me fjalë të thjeshta krijojnë fjali të mëdha, por shumë lehtë të kuptueshme prej të tjerëve. Ky është dhe synimi im, i cili shpresoj të më sjellë sukses në të ardhmen.

– Kur keni filluar ta zbuloni këtë pasion të fshehtë?

E mbaj mend shumë mirë poezinë time të parë, momentin kur e kam shkruar, ku kam qenë, çfarë moshe dhe si jam ndier. Kam qenë në klasën e gjashtë. Kisha dy vite që isha regjistruar në bibliotekën e shkollës dhe i dashuroja librat. Merrja nga tre libra çdo javë dhe i mbaroja së lexuari brenda javës. Kjo më ndihmonte të krijoja një fjalor të pasur brenda meje. Lindi krejt natyrshëm të shkruaja. Poezia e parë ka qenë kushtuar vëllait tim, i cili kishte dy vite në emigrim. Ka qenë pranverë dhe bari përballë shtëpisë sime ishte tepër i gjelbër dhe plot aromë. Jam ulur aty dhe fillova ta shkruaja. Pasi e mbarova, nuk mund ta besoja që e kisha shkruar unë. Vrapova ia tregova motrës dhe mamit dhe ato e pëlqyen shumë. E kështu u pasuan poezitë njëra pas tjetrës. Pata një periudhë mosbesimi në vete dhe kjo ndodhi në universitet. Nuk shkruaja më, ose shkruaja rrallë. Nuk kisha më dëshirë, ndoshta dhe kohë të lirë nuk gjeja shumë. Derisa pas universitetit e gjeta veten duke shkruar pafund. Sot kam krijuar faqen time në facebook ku ndaj me ndjekësit e mi copëza të krijimeve të mia.

– Çfarë ka ndikuar në formimin tuaj letrar? Po frymëzimin nga e merrni?

fb_img_1473842350912

Siç e përmenda dhe më lart, kam lexuar shumë libra. Ato më ndihmuan të krijoj një fjalor të pasur. Pa një fjalor të pasur nuk mundet askush të shkruaj. Është tepër e vështirë të shkruash diçka të bukur. Por shtysa ime më e madhe ka qenë ime motër, një studente e ekselencës në Fakultetin e Filologjikut, dega Gjuhë-Letërsi. Sa herë shkruaja diçka, ajo ka qenë çekiç mbi kokën time. Kam patur tepër probleme në drejtshkrimin e fjalëve, kam qenë një ngrenëse “ë”-shë e pamëshirshme. Por pak nga pak ia kam dal. Nuk jam perfeksionuar, madje ende bëj gabime, por deri diku për syrin e lirë dukem sikur shkruaj mirë. Frymëzimi im është rastësia. Dëgjoj një histori reale, frymëzohem. Shoh diçka në rrugë, frymëzohem. Janë të paktat poezitë që kanë të bëjnë me mua personalisht. Unë e gjej frymëzimin tek të tjerët, tek ngjarjet e momentit, tek një film, ndërsa tek vetja gjej shumë pak frymëzim. Nuk e di pse më ndodh kështu. Jam në tentativë për ta zbuluar.

–  Cilat janë sfidat e të qenit muslimane në Shqipëri?

Kam kohë që nuk jetoj në Shqipëri, por sa herë kthehem vështrimet e njerëzve më bëjnë të ndihem e huaj, ndryshe. Por mua më pëlqen të punoj me këtë pjesë.  Është normale të dukesh ndryshe tek disa njerëz të cilët nuk kanë të njëjtin stil jetese sikurse apo që nuk vishen si ti. Është normale dhe të të paragjykojnë. E kam marr me sportivitet. Ata që më njohin e dinë kush jam, si jam dhe si veproj. Të tjerët s’kanë rëndësi. Nuk do e kaloj jetën time duke bindur të tjerët për atë që jam. Kam fituar siguri në vetvete. Nuk më pëlqen të ankohem për përçmimin që ka një pjesë e shqiptarëve ndaj muslimaneve. Është normale kur media shpërfytyron me ngulm Islamin. Sa per pjesën e frikës, se a do kem sukses në fushën që kam zgjedhur të ecë, jo nuk kam. Jam e sigurt që diçka kur nuk ndodh do të thotë që ishte më mirë ashtu, të mos ndodhte. Nuk mbulohet dielli me shoshë thonë disa. E pra, nëse puna ime do jetë diell, s’do ketë shoshë që ta mbulojë.

 – Sipas mendimit tuaj, si gërshetohet krijimtaria letrare me Islamin?

Kam shkruar edhe para se të pranoja Islamin si fenë time. Por krijimet e mia pas përqafimit të Islamit ndryshojnë shumë. Dikujt do t’i dukej budallallëk. Egzistojnë poetë jomuslimanë të cilët shkruajnë shumë bukur. Njerëz të ndryshëm e gjejnë qetësinë në bindje të ndryshme. Mua personalisht Islami më ka dhuruar meditimin. Dhe për mua ky është çelësi i suksesit. Meditimi sjell frymëzim. Më parë i kisha përballë krijime kaq të bukura, por nuk meditoja në to. Tani duke medituar arrij të gjej frymëzim dhe tek krijimet gati të padukshme, sikur dhe tek një grimcë rëre. Islami më ka bërë të kuptoj më tepër vlerën e nënës, babait, familjes, shoqërisë. Dhe ja pse poezitë më të vlerësuara nga njerëzit janë ato, të cilat unë i kam shkruar pikërisht për këtë kategori.

– Mesazhi juaj për rininë shqiptare?

Mesazhi im për rininë shqiptare është vetëm një fjalë: Optimizëm. E di, është e vështirë që në një vend si Shqipëria të arrihet optimizmi. Dhe ashtu siç më thonë disa: “optimizmi nuk të mbush barkun”, do u thoja që shpirtin me siguri e mbush plot. Një shpirt optimist qetëson mendjen, një mendje e qetë sjell ide dhe idetë sjellin zgjidhje.

10552544_331380903698228_745845083513179373_n

Më lejoni!

Më lejoni t’i jap kësaj bote pak kënaqësi,
nga vetja ime të shkëpus një copë,
një copë Dorine plot me dashuri,
që merr veç pak sekonda nga çdo jetë në botë!

Më lejoni të jem unë pjesë e jetës suaj, 
me ca fjalë të thjeshta por të rimuara bukur!
Unë s’i përkas kësaj bote kur me fjalët luaj,
marrë frymë në botë të tjera, në to jam e zhdukur.

Më lini, që për ‘muzë’ t’ju marr ju kalimtar!
T’ju bëj mbretër e mbretëresha në çdo poezi!
Trishtimeve në fytyra të lodhura shuar,
t’ju vizatoj me fjalë shumë lumturi.

Më lejoni, më lini të jem mes jush gjithmonë,
në biblioteka të pluhurosem edhe unë,
mes çdo miku, që si unë tenton,
t’i jap kësaj bote dhe diçka më shumë! (Dorina Behari)

 

 Revista “Familja”, tetor 2016