Intervistë me të talentuarën, Znj. Brixhilda Cirraga

11

Nga: MSc. Ardela Hyka

Nga pasioni, në profesion!

Intervistë me duarartën nga qyteti i bukur i Elbasanit, për të na prezantuar me pasionin, dëshirat, arritjet, aspiratat e së ardhmes si edhe me jetën e saj personale.

 

“Qendisja, art i cili i reziston kohës.

Copa për qendisje, fije shumëngjyrëshe, një gjilpërë në dorë dhe

pastaj i gjithë procesi vijon hap pas hapi. Është kjo mënyra se si unë e

kalova atë periudhë të vështirë karantine. Për të mësuar se si mund të

risjellim në përditshmërinë tonë pak nga kultura artizanale shqiptare do

t’ju rrëfej diçka nga ky passion.”

 

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

B.C.: Quhem Brixhilda Cirraga. Jetoj në qytetin e Elbasanit. Jam nënë e 3 fëmijëve të mrekullueshëm, një djali dhe dy vajzave. Kam mbaruar 2 fakultete në universitetin “Aleksander Xhuvani”. Aktualisht punoj si mësuese në një shkollë jo-publike në qytetin e Elbasanit.

A.H.: Si lindi nisma juaj artistike? Është ky një pasion i hershëm yti?

B.C.: Atëherë Ardela, për mua @ _art_needle ka ardhur shumë natyrshëm. Që kur isha e vogël kam ndjekur me ëndje mënyrën se si gjyshja ime bënte shtiza, grep e qendisje, të cilat me shumë durim arrita t’i mësoja dhe t’i përvetësoja. Në kohën e karantinës dhe me ardhjen në jetë të vajzës sime të vogël Mia, koha për të qëndruar në shtëpi ishte pak më e gjatë se në ditët e zakonshme. Kjo solli dhe fillimin e punimeve të mia si: punë me kryq, dhe më së shumti punime në gjergjef me teknika të ndryshme të qendisjes, të cilat aq sa me lodhin aq edhe më japin kënaqësi. Në fillim punimet e mia i ndaja me mikeshat në formën e dhuratave të personalizuara. Më pas përmes profileve sociale këto punime i ndaja me të tjerë, të cilët filluan t’i vlerësonin dhe të bënin porosi të ndryshme.

A.H.: Nga ku buron frymëzimi për ty?

B.C.: Në fakt ky pasion për mua është mënyra më efektive, çlodhëse dhe inspiruese për të kaluar atë pak kohë të lirë që kam në dispozicion, pas shumë orëve të lodhshme në punë e impenjimeve të ditës. Qendisja më jep qetësi shpirtërore dhe duke e kthyer në një biznes të vogël, pse jo edhe të ardhura.

A.H.: Jeni e kënaqur me ecurinë tuaj deri më tani?

B.C.: @_art_needle për pak kohë bën gati 2 vite. Punimet kanë qenë të shumta, të personalizuara dhe të temave të ndryshme si për shembull: certifikata lindjeje, pema e familjes, logo të qendisura, ornamente të bredhit, skica të qendisura bazuar mbi foto reale, në pritje të ëmbël, urime ditlindjeje, ndërthurja e qendrisjes me bojrat në gjergjef, etj. Realisht jam e kënaqur me ecurinë dhe më së shumti kënaqësia më e madhe është kur merr mesazhe të shumta vlerësimi për punimet. Megjithatë, ka gjithmonë diçka të re për të mësuar e përmirësuar.

A.H.: Cilat janë planet e tua për të ardhmen? Çfarë objektivi doni të arrini me këtë nismë?

B.C.: Në fakt sa më shumë punoj dhe realizoj punimë të ndryshme aq më shume ide dhe dëshira më vijnë në mendje. Pasionin për qendisjen dua ta vazhdoj sa më gjatë për të personalizuar data, kujtime e çdo detaj që i reziston kohës. Natyrshëm, gjatë punës e gjatë mesazheve e bisedave të realizuara para apo pas përfundimit të punimeve kam hasur shpesh edhe në pyetje të llojit: “A mundeni ta transmetoni pasionin tuaj duke mësuar edhe ato që kanë dëshirë për këtë art?” Këtu kam marrë indicien që duhet të punoj me vendosmëri dhe seriozitet, që në të ardhmen të realizoj kurse me grupe të vogla në mësimin e teknikave të ndryshme të artit të qendisjes në gjergjef dhe më e rëndësishmja, jo vetëm me zonja, por edhe me vajza të reja. Realisht një miniprojekt të vogël e kam realizuar me disa vajza të klasës së 9-të të shkollës jo-publike ku unë punoj. Kurioziteti dhe përkushtimi i vajzave bëri që ky miniprojekt të realizohet në mënyrën më të bukur të mundshme. Vajzat realizuan disa qendisje në gjergjefë të vegjël për në panairin e përvitshëm që shkolla organizon, të ardhurat e të cilit shkojnë për bamirësi.

A.H.: Të përgëzoj për iniciativën për t’iu bashkuar panairit me punime tuat dhe të nxënëseve tuat. Të uroj shumë suksese në realizimin e dëshirave dhe aspiratave tjera të tua. Më thoni si e menaxhoni kohën me gjithë angazhimet që keni?

B.C.: Faleminderit! Ah, si e menaxhoj kohën. Të them të drejten e kam pak të vështirë sepse e vogla do vëmendje dhe përkushtim, por më lehtëson vajza e madhe, e cila më ndihmon me prezantimin e punimeve në rrjetet sociale.

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e revistës “Familja”?

B.C.: Ëndrrat dhe pasionet nuk duhen mbajtur të ndrydhura, por t’i ndajmë me të tjerët, që të japim e të marrim kënaqësi. Ëndërroni, punoni fort dhe kënaqësia do të jetë e pamasë dhe frytdhënëse.

A.H.: Të falenderoj për këtë intervistë të bukur.

B.C.: Faleminderit ju për punën e bukur që realizoni dhe për suportin që i jepni artit të bukur të qendisjes me gjergjef, biznesit të vogël dhe artizanëve të rinj!