Intervistë me teologen, Znj. HFZ. Enisa Bekteshi Bahtiri

23

 

Nga: MSc. Ardela Hyka

A.H.: Ju lutem një prezantim të shkurtër për lexuesit.

E.B.: Të nderuar lexues, unë jam Enisa Bekteshi Bahtiri, nga qyteti i minareve të bukura, nga Prizreni historik, ku edhe mbarova shkollën fillore. Shkollën e mesme e kam mbaruar në filialin e medresesë «Alauddin» në Prizren. Periudhën më të rëndësishme të jetës, gjegjësisht studimet vendosa t’i bëj në «Fakultetin e Studimeve Islame», në Prishtinë, në vitin 2020 mbarova studimet bachelor dhe po në të njëjtin vit u regjistrova në Master, pranë të njëjtit fakultet, në drejtimin Teologji Islame në Kontekstin Europian, ku tani jam në proces të përgatitjes së punimit tim të diplomës.Viti 2020 për mua ishte disi më i ngarkuar ngase krahas studimeve master u regjistrova për një fakultet të dytë në «Shkenca Kompjuterike», ku tani jam duke studiuar në vitin e dytë. Jetoj në Prizren, ndërsa veprimtarinë time të studimeve dhe aktiviteteve kryesisht e kam në Prishtinë dhe Prizren. Jam e fejuar dhe kam përkrah një bashkëshort, bashkëudhëtar me mua në studimet fetare.

 

A.H.: Cili është background-i juaj akademik?

 

E.B.: Nga ajo që iu tregova vlen të përmend që në të gjitha nivelet e studimeve kam qenë prej nxënëseve të dalluara, në shkollën fillore jam zgjedhur kryetare e shkollës edhe pse asokohe isha thjeshtë në klasën e pestë, dhe në përgjegjësinë e udhëheqjes kisha të gjithë nxënësit deri në klasën e nëntë. Për të vazhduar pastaj si kryetare e «Grupit Letrar», në shkollën «Abdyl Frashëri». Kam pasur pjesëmarrje të shumta në konkurse në nivel lokal dhe vendor ku gjithmonë fitoja. Në Medrese, gjithashtu, kam qenë e zgjedhur si nxënëse e dalluar gjatë tre viteve të mia të shkollimit, dhe kam marrë mirënjohje për të gjitha organizimet dhe aktivitetet në kuadër të shkollës. Në Fakultetin e Studimeve Islame kam qenë kryetare e studentëve për gjatë gjithë studimeve. Ndërsa, në vitin e fundit të studimeve kam qenë kryetare e «Unionit Studentor»; kryeredaktore e revistës «Zgjimi Islam»; si dhe kryetare e grupit kërkimor shkencor në kuadër të Fakultetit të Studimeve Islame. Gjatë studimeve të mia, në Fakultetin e Studimeve Islame, krahas studimeve kam mbaruar edhe hifzin; në muajin tetor të vitit 2018 e kam filluar mësimin e Kur’anit përmendësh dhe e kam mbaruar në shtator të vitit 2019, falë mundit dhe përkushtimit të profesorit tim të Kur’anit, HFZ. Dr. Safet Hoxha, i cili krahas mësimeve ka qenë edhe motivim për mua që të vazhdoj me mësimin e Kur’anit përmendësh në një periudhë të shkurtër. Edhe gjatë studimeve të mia Master përsëri më është besuar përgjegjësia e udhëheqjes së studentëve. Mendoj se ia vlen ta theksoj se gjatë gjithë studimeve të mia si bachelor ashtu edhe master kam pasur mesataren 10.0, gjë për të cilën së pari i jam falenderuese Allahut që më ka dhënë mundësinë, aftësinë dhe vullnetin. Më pas, jam falenderuese ndaj prindërve të mi, të cilët janë motivimi im më i madh në jetë, jo vetëm për studime, por për çdo veprim të jetës sime ata kanë qenë përkrahja ime më e madhe dhe nuk kanë kursyer nga koha, jeta, dashuria, mundi e pasuria e tyre që unë të përparoj në nivel akademik. Aktualisht studioj Shkenca Kompjuterike në drejtimin e Programimit në vitin e dytë të studimeve, ku për dy vite studioj me bursë nga suksesi i treguar. Uroj që edhe studimet e mia të mëtejshme të vazhdojnë me të njëjtin sukses dhe arritje të tjera.

 

A.H.: Përmendët më sipër që keni pasur notë mesatare 10.0 si dhe keni përfunduar hifzin. Po ashtu, je regjistruar në dy fakultete njëkohësisht. Si arrin ta menaxhosh kohën dhe dhe si erdhi suksesi?

E.B.: Ata që më njohin e dinë edhe përkushtimin tim, ndërsa ata që nuk më njohin habiten se si mund t’ia dal të mbaj mend oraret e ligjëratave/ provimeve, por ja që ndodh. E gjithë kjo është me ndihmën e Allahut dhe gjithë falenderimet i takojnë Atij. Nuk e ndjej veten superiore dhe as që e ndjej se unë ia kam dalë dhe se unë jam e zonja, por e di që e gjitha ka ndodh me dëshirën dhe vullnetin e Allahut. Pastaj, normale është që për punë të shumta duhet që të kemi një planifikim të mirë të orarit të ditës, edhe duhet të jemi shumë të përpiktë dhe aspak të mëshirshëm ndaj vetes. Pastaj, çështja e hifzit të Kur’anit kërkon përkushtim të madh, gjë të cilën e kam bërë zakonisht gjatë orëve të natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, e që i bie se duhet të flesh më pak dhe të përkushtohesh më shumë. Pastaj, të mos harrojmë që ndihma e Allahut është me të gjithë nxënësit e në veçanti me nxënësit e Kur’anit. Madje, nga mësimi përmendësh i Kur’anit, të cilin do ia kisha këshilluar secilit prej jush, do ta keni më të lehtë të mbani mend më shumë edhe për gjërat e tjera, gjë për të cilën jam edhe dëshmitare. Studimeve i kam kushtuar kohën gjatë ditës dhe jam munduar të përfitoj shumë gjatë ligjëratave. Ndërsa të kesh mesatare të lartë është diçka që vjen vetvetiu, mjafton të punosh dhe të tjerat do të vijnë vetë. Mund të them që sfiduese ka qenë pjesa që më është dashur të studioj master dhe bachelor njëkohësisht. Brenga ime e vetme ishte që të mos kem dy provime në të njëjtën kohë, ndërsa të tjerat më dukeshin lehtësisht të menaxhueshme. Mendoj që mjafton vetëm vullneti e vendosmëria sepse suksesi vjen nga nuk e pret dhe do të çuditesh sesi Allahu rregullon punët e tua, oraret dhe çdo gjë tjetër në mënyrë aq të përpiktë, që vetëm Ai di. Prandaj, dua të përmend një thënje të Albert Einstein i cili ka thënë: «Mos u përpiq të bëhesh një njeri i suksesit, por përpiqu të bëhesh një njeri me vlera».

 

A.H.: Na thuaj diçka më shumë rreth fushës suaj të studimit. Si ndikon kjo gjë në jetën apo personalitetin tuaj?

 

E.B.: Të studiosh Islamin është një prej vendimeve më të rëndësishme, më të bukura, por edhe një prej veprimeve më me përgjegjësi në jetë. Për këtë arsye, në momentin kur unë vendosa që të studioj për Islamin, unë vendosa që të jetoj me Islamin përgjithmonë, gjatë ditës sime, gjatë kohës sime të lirë, gjatë natës dhe kurdo e kudo herë që mua do të më kërkohej. Profesioni im është pa orar. Ka prej besimtarëve të cilët kërkojnë ndihmë edhe në orë të hershme të mëngjesit, duke pyetur për gjëra që ata i preukupojnë, siç ka edhe prej tyre që pyesin në orët e vona të natës. Sa është profesion, aq mund ta quajmë se është edhe mision; ku duhet që të kumtosh fjalën e Allahut dhe të jesh i drejtë e i sinqertë në atë që e thua, duhet që po ashtu të jesh i përgatitur dhe të jesh koherent me ngjarjet të cilat ndodhin dhe janë të përditshme. Pra, unë ditën dhe jetën time e kam të planifikuar me Islam, dhe kjo më ka bërë që të përfitoj, pasi profesioni dhe dita ime janë të bashkëdyzuara dhe është e lehtë për mua çdo planifikim.

 

A.H.: Përgjatë viteve të shkollimit e deri tani, çfarë mund të veçoni nga aktivitetet/ puna juaj dhe sa kanë ndikuar ato në formimin e personalitetit tuaj?

 

E.B.: Kryesisht kam punuar në mënyrë vullnetare në xhami kurdo kur ka pasur nevojë si dhe me ftesë kam mbajtur edhe ligjërata pranë xhamive ku më kanë ftuar. Po ashtu, kam mbajtur ligjërata online edhe gjatë kohës së pandemisë me gra të grupmoshave të ndryshme. Gjatë studimeve kam qenë shumë aktive në organizimin e veprimtarive të ndryshme së bashku me kolegët e fakultetit. Posti i kryetares më ka bërë që të kem një përvojë shumë të mirë në organizime dhe menaxhime të veprimtarive të ndryshme me karakter fetar e human. Kam qenë organizatore e shumë ligjëratave me vajza e gra të reja, pastaj kam qenë edhe moderatore në kuadër në organizimet që janë mbajtur në fakultet për nder të ditëve të shënuara. Janë organizuar në fakultet aktivitete si dhurimi i gjakut, ndihma ndaj familjeve në nevojë, ndaj studentëve-kolegëve tanë që kanë pasur nevojë, apo përgatitja e revistës. Kam marrë pjesë në disa trajnime që kanë të bëjnë me shkenca kompjuterike. Ndërsa kam marrë pjesë si dëgjuese në të gjitha konferencat, të cilat janë mbajtur në Fakultetin e Studimeve Islame si dhe në konferencën e mbajtur me datë 27.11.2019 me titull: ”Jeta e Pejgamberit a.s., prej lindjes e deri në shpallje”, ku kam prezantuar një kumtesë shkencore. Në kuadër të grupit kërkimor shkencor kemi nxjerrë një hulumtim që është pritur mjaft mirë me temë: «Ndikimi i rrjeteve sociale tek të rinjtë». Gjithashtu, kemi gati edhe kërkimin shkencor të fundit me temë: «Ta njohim Muhamedin a.s.».  Unë mundohem që të marr pjesë kudo nëpër aktivitete në një mënyrë apo tjetër.

 

A.H.: Cilat janë planet e tua për të ardhmen? Çfarë objektivi doni të arrini?

 

E.B.: Krahas studimeve, të cilat i kam filluar dhe synoj t’i mbaroj, mendoj që jeta do të më gjejë të gatshme për të qenë aty ku do të jetë e nevojshme prezenca dhe kontributi im. Jam një person që më pëlqen që të planifikoj, por jam po ashtu shumë e gatshme të veproj edhe me gjëra të paplanifikuara. Thjeshtë mendoj që gjërat e veçanta ndodhin shpejt, papritur dhe bukur. Për këtë arsye, pres që me ndihmën e Allahut planet e mia të realizohen. Synimi im është që të mos ketë pushim. Dituria është ajo që nuk ka nevojë për relaksim, përkundrazi dituria na jep shembullin më të mirë që pasiviteti dhe pushimet janë të panevojshme sepse ato zbehin njohuritë. Ne duhet të jemi në aktivitet të vazhdueshëm, në mënyrë që gjithmonë të jemi koherent me zhvillimet.

 

A.H.: Si e kaloni kohën e lirë? Në çfarë aktivitetesh ju pëlqen të angazhoheni?

 

E.B.: Mua më pëlqen që në secilën ditë të ekzistonin pak më shumë orë, e sidomos në fundjavë të ekzistonte edhe ndonjë ditë shtesë, pasi më pëlqen që të ndaj kohën për çdo gjë dhe më duket se është e pamjaftueshme koha të cilën e kam në dispozicion. Krahas angazhimeve të mia të shumta, është paksa e pamundur që të ndaj kohë të lirë. Madje mund të kaloj kohë tepër të gjatë e që të mos e dëgjoj veten duke e përmendur këtë term, mirëpo gjithsesi, ndonjëherë kur gjej kohë për t’u relaksuar zgjedh që të shëtis në natyrë dhe të jem pranë librave, kryesisht me kësaj romane të bazuara në ngjarje të vërteta dhe Best Sellers. Krahas kësaj më pëlqen të argëtohem me probleme matematikore, që të zhvillojnë logjikën. Nëse unë do të kisha një mundësi tjetër studimesh do të ishte edhe fusha e matematikës. E ndjej veten si në botën time, në çdo libër matematike.

 

A.H.: Në fund, çfarë mesazhi ke për lexuesit e Revistës “Familja”?

 

E.B.: Të nderuar lexues të revistës «Familja», ju keni zgjedhur një burim të duhur informacioni dhe për këtë ju përgëzoj. Duke pasur parasysh që leximi si obligim, është një obligim hyjnor nga Krijuesi i Gjithësisë, i Cili na është drejtuar në Kur’anin Famëlartë me «Ikra», atëherë ta kemi parasysh që leximi është një formë prej formave të ibadetit. Të mundohemi që çdo ditë të mësojmë gjëra të reja dhe të mos e lejojmë që dita jonë të mbushet me aktivitete boshe dhe pa lexim. E di nganjëherë do të lodheni, do të keni nevojë për pushim, madje edhe mund të dështoni, por pikërisht në ato momente është koha për të mos hequr dorë, pasi nuk është dështim që nuk arrini atë që ju synoni. Dështim është nëse ju nuk e provoni përsëri. Juve thjesht ju duhet të vendosni se çfarë doni dhe pastaj të vazhdoni në realizimin e qëllimeve tuaja, dhe kurrë mos e mendoni atë që e keni humbur, pasi do të humbni edhe atë që po e jetoni. Prandaj, mos e besoni që gruaja duhet të jetë e rrethuar nga punët e shtëpisë dhe që gruaja duhet të mendojë e veprojë vetëm për amvisë. Besoni fuqishëm që një grua është aq e fortë sa mund t’ia dalë të gjithave, ashtu siç edhe e ka përmendur Sami Frashëri, në një thënie të tij: «Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën, kurse në dorën e majtë librin!». Gruaja është ajo e cila mund t’ia dalë të mbajë punët e botës mbi supe dhe në fund të ditës të jetë e suksesshme, e lavdëruar për punën e saj. Mos harroni që gruaja mund t’ia dalë edhe nëse askush nuk e përkrah. Ajo është e fortë, mjafton të mos e pengoni, nëse nuk i ofroni mbështetje. Ne jemi gjysma e botës, dhe prej nesh lind gjysma tjetër. Neve na zgjedhi Allahu, që prej nesh të varet edhe Xhenneti. Sa shumë të begatuara që jemi!

Ju falënderoj për intervistën, ju dëshiroj punë të mbarë dhe gjithë të mirat Ardela!

A.H.: Ju falenderoj edhe unë për këtë intervistë kaq të bukur!