Jetë mbi proteza, të fillosh nga e para…

60

Nga Oriola Sula

Në vendin tonë numërohen mbi 165 mijë persona me aftësi të kufizuara nga të cilët 1340 janë të gjymtuar. Një prej tyre është edhe Izet Onuzi i cili ka humbur të 4 gjymtyrët në një aksident të rëndë hekurudhor, e megjithatë shpresa për të vazhduar jetën, i dha atij kurajon që brenda 4 muajve pas aksidentit, të ngrihej në këmbë me anë të protezave.

Ai është baba i dy fëmijëve dhe është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale në degën Psikologji. Askush nuk do ta besonte se ky njeri, me kaq shumë energji dhe dëshirë për jetën, prej mëse 20 vitesh jeton pa duar dhe pa këmbë. E megjithatë, ai bën një jetë aktive duke plotësuar të gjitha nevojat personale.  Tragjedia e tij personale i shërbeu Izetit si një shtysë për tʼi ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë që si ai, kishin humbur gjymtyrët, për arsye të ndryshme. Ai u bë nismëtar i ngritjes së Shoqatës kombëtare të personave me aftësi të kufizuara “Shpresë për jetën” ku trajtohen të sëmurë para dhe tetraplegjikë, të gjymtuar, të aksidentuar apo invalidë.  Një vit më parë, me ndihmën e Bashkisë dhe donatorëve, ai hapi Qendrën sociale të rehabilitimit që ofron shërbime të ndryshme për këta persona si pajisjen e tyre me proteza dhe orteza, karroca invaliditeti, paterica apo ndihma ushqimore.

Një ndihmesë mjaft të madhe për funksionimin e kësaj qendre ka dhënë edhe shoqata kulturore “Gruaja” e cila pjesë të aktiviteteve të saj ka edhe departamentin social ku u vjen në ndihmë njerëzve në nevojë. Ky është një nga projektet më të rëndësishme të SHKG-së, e cila ka konsistuar në dhurimin e bazës materiale për protezat dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për të kthyer tek këta njerëz shpresën për një jetë më të mirë.

Historia e Izetit ka shërbyer si një shembull mjaft i mirë për shumë bashkëvuajtës të tij të cilët kanë nevojë për më shumë kurajo dhe këmbëngulje për të vazhduar jetën. Migen Guda, sot 38 vjeç, ishte vetëm 12 vjeç kur një bombë e mbetur pas Luftës së Dytë Botërore shpërtheu duke i marrë të dy duart. Që atëherë jeta e tij ndryshoi plotësisht por me ndihmën e familjarëve, Migeni arriti ta kalojë traumën dhe të vazhdojë jetën. Ndërsa Bardhyl Dibra ka humbur këmbën në një aksident të ndodhur 20 vjet më parë. Ai thotë se jo vetëm ndihma për vendosjen e protezës por edhe mbështetja morale dhe psikologjike që i ofron Izeti në këtë qendër janë shumë të rëndësishme për të.

Dikur kjo godinë ishte një magazinë e rrënuar dhe e braktisur, ndërsa sot në të janë kryer mjaft investime për tu kthyer në një qendër multifunksionale rehabilitimi. Ajo është e pajisur me laborator për riparimin e protezave, shërbim psikologjik dhe sallën e fizioterapisë. Puna e përditshme e Izetit fillon në dhomën e provës së protezës ku ne takojmë Gëzim Hotin i cili ka humbur këmbën në një aksident në punë. Ai shprehet mjaft i kënaqur me shërbimet që ofron Izeti, megjithatë kërkon më shumë vëmëndje nga Bashkia e Tiranës dhe shteti për rehabilitimin e personave me aftësi të kufizuara. Por puna me një person të gjymtuar nuk përfundon me vënien e protezës pasi ai ka nevojë edhe për fizioterapi.

Duket se këtu çalon puna pasi edhe pse ekziston salla e fizioterapisë dhe një vullnetar për realizimin e seancave terapeutike, kjo qendër nuk i disponon pajisjet e duhura, ndaj Izeti i bën apel donatorëve që të mundësojnë kompletimin e kësaj salle me aparaturat e nevojshme. Janë 780 persona të gjymtuar që janë vendosur në listën e pritjes për t’u pajisur me proteza por momentalisht janë përzgjedhur vetëm 20 prej tyre për t’u futur në proçes protezimi pasi janë vlerësuar si rastet më urgjente dhe me probleme të rënda ekonomike. Por ai shpreh shqetësimin se funksionimi i kësaj qendre po vihet në pikëpyetje pasi mund tʼi largojnë nga kjo godinë nga momenti në moment. Ai i bën thirrje shtetit që të gjejë një zgjidhje duke i ofruar një tjetër ambient për transferimin e qendrës rehabilituese.

Puna e palodhur e Izetit për tʼi ardhur në ndihmë personave të gjymtuar është një gjest nga i cili duhet të marrim shembull të gjithë. Akte të tilla humane rrisin tek këta njerëz vetëvlerësimin dhe dëshirën për të vazhduar jetën, duke i treguar se mungesa e gjymtyrëve nuk duhet të jetë pengesë për ta por një motivim për të ecur përpara dhe për të kuptuar rëndësinë e jetës.

Rev. familja, prill 2015