Ju ka ardhur Ramazani!

163
  • Është e natyrshme që njeriu ta shprehë gëzimin në momente të veçanta; disa gëzohen për çështjet
    e kësaj bote të përkohshme, disa gëzohen kur u jepet rasti për të shpalosur adhurimin ndaj
    Allahut përmes asaj që Ai ka urdhëruar.
    Pa dyshim, besimtari i përkushtuar gëzohet kur thërret mysafiri dhe troket në derë, kështu me
    nderimet më të larta, shprehjet më të bukura dhe me respektin më të sinqertë i uron
    mirëseardhjen.
    Ky hadith është bazë për urimin dhe përgëzimin e njëri-tjetrit me rastin e fillimit të muajit të
    bekuar të Ramazanit.
    Po vjen Ramazani me bereqete, atëherë duhet t’i kemi në konsideratë mysafirin e nderuar me
    begatë. I Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.), i përgëzonte shokët me këtë rast të veçantë duke i
    thënë: “Ju ka ardhur Ramazani, muaj i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në
    këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Xhehenemit, lidhen në pranga shejtanët. Allahu
    në këtë muaj ka (veçuar) një natë, e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Ai që privohet nga të
    mirat e kësaj nate, është privuar nga çdo e mirë.” (Transmeton Ahmedi)
    Pse mos të gëzohet besimtari me muajin e bereqetit, dhuratave, namazit, durimit, faljes,
    pendimit, devotshmërisë, mëshirës, pastërtisë, bamirësisë, fitores dhe ngadhënjimit?
    Mirësevjen mysafir i nderuar dhe ne gëzohemi inshaAllah me Ramazanin, muajin më të nderuar
    ndër muajt dhe ditët më të ëmbla.
    Mirësevjen pas një pritjeje të gjatë e të përmallueshme.
    Mirësevjen i nderuari mik, me erën tënde të këndshme do të kënaqen zemrat tona, me vizitën
    tënde do të na pastrosh nga gjynahet dhe do të na mbulosh të metat tona.
    Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Vetëm Mirësisë së Allahut dhe Mëshirës së Tij le t’i
    gëzohen. Kjo është më e mirë se ajo (pasuri) që ata grumbullojnë.” (Junus, 58)
    Ç’pret, pra? Lidhe kontratën (marrëveshjen) për ripërtëritjen e imanit, duke kryer veprime që e
    kënaqin Allahun, duke e rifreskuar shpirtin me adhurim dhe duke stopuar veten nga çdo ndalim.
    Kthehuni te Allahu i Lartësuar me pendim.
    Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Natën e parë të muajit Ramazan prangosen shejtanët dhe
    xhinët, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe nuk hapet asnjë derë. Hapen dyert e Xhenetit dhe nuk
    mbyllet asnjë derë. Thërret një thirrës: “O kërkues i së mirës, urdhëro, kurse ti o kërkues i së
    keqes ngurro. Allahu në çdo natë liron njerëz nga zjarri i Xhehenemit.” (Tirmidhiu)
    Agjëruesi është i përkushtuar për të garuar në devotshmëri, nëse rreh të përjetojë dhe shijojë
    gëzimin dhe lumturinë. Gëzohet shpirti i muslimanit sepse aktiviteti i tij do të jetë përpjekja dhe
    gara për të fituar një mbiemër cilësor, një shprehje të bukur artistike, me karakteristika lavdërimi,
    pra epitetin “i devotshëm”.

 

Ata të cilët dëshirojnë të cilësohen “të devotshëm”, le të urdhërojnë dhe të rreshtohen mos ta
humbin rastin.
Ulvi Fejzullahu
Revista Familja, qershor 2016