Këshilla javore për prindërit

184

Java e parë

Përpiquni të vini në dukje sa më shumë cilësi të mira tek fëmijët që të jetë e mundur.  Sapo fëmija juaj të kryejë diçka të mirë komentojeni atë (jini specifik se çfarë veproi mirë) dhe lavdërojeni atë që veproi ashtu. Shembull: Vajza juaj më e vogël bie vret gjurin dhe fillon të qajë. Vëllai pasi e sheh motrën i afrohet, e ndihmon të ngrihet dhe e qetëson atë. Ju si prind, pasi e keni vënë re këtë që ndodhi, shkoni tek djali menjëherë dhe i thoni diçka të ngjashme me:

“Të pashë që e ndihmove motrën pasi u rrëzua dhe u përpoqe ta qetësoje. Shumë mirë. Sa e gëzuar jam që kam një djalë që e do motrën kaq shumë”.

Gjithashtu thuajini djalit tuaj: “Allahu Subhanehu ue Te’ala është kënaqur me ty që e ndihmove motrën.”

Pika për t’u patur parasysh:

  • Lavdëroni menjëherë pasi kryhet diçka e mirë.
  • Specifikojeni se cila ishte ajo vepër e mirë.
  • Lavdëroni në mënyrë të sinqertë dhe me dashuri.
  • Lavdërimi ka variacion, mos thuani gjithmonë të njëjtat fjalë kur lavdëroni.

VINI RE! Vëreni se si në shembullin më lart lavdërimi i dhënë përbëhet nga tre pjesë. Në fillim, nëna i tregoi djalit të saj se ajo që bëri ai ishte një vepër e mirë. Së dyti, ajo i tha se sa shumë e gëzoi mamin dhe, së treti, ajo shfrytëzoi rastin për ta bërë atë ta kuptojë sa shumë e do motrën e tij të vogël.

Java e dytë

4459846Mos i ndëshkoni fëmijët tuaj shumë shpesh apo shumë ashpër.

Ndëshkimi është gjithmonë i dëmshëm për fëmijën edhe nëse duket se plotëson qëllimin e prindit. Është e pamundur ta ndëshkosh fëmijën pa e lënduar atë. Studimet shkencore në zhvillimin e fëmijës kanë treguar vazhdimisht se disa nga pasojat që lë pas ndëshkimi janë:

  • Fëmija do të përpiqet të shpëtojë nga situata ndëshkimore ose do të hakmerret.
  • Fëmija gjithmonë ka ndienja negative ndaj atij ose asaj që e ndëshkon.
  • Ndëshkimi zakonisht bëhet i efektshëm vetëm kur është qartas prezente mundësia për ndëshkim.

Dhe ajo që është më e rëndësishmja është se përdorimi i ndëshkimit i mëson fëmijës se është mënyra më e mirë për të edukuar një fëmijë. Kështu ka të ngjarë që ata ta përdorin atë mënyrë me fëmijët e tyre, dhe kështu i kanë hapur rrugën përdorimit të vazhdueshëm të ndëshkimit në shoqëri. Alternativa për ndëshkimin nuk duhet të jetë lejimi (ta lejosh fëmijën të bëjë çfarë të dojë) e nëse ka diçka të dëmshme se ndëshkimi për zhvillimin e fëmijës ajo është lejimi për të bërë ç’të dojë. Alternativa e drejtë kundrejt ndëshkimit në edukimin e fëmijës quhet “ndikim pozitiv i udhëhequr”. Ndikim pozitiv i udhëhequr do të thotë ta shpërblesh (me lavdërim apo ndonjëherë me ndonjë dhuratë të vogël) fëmijën, pasi ata bëjnë diçka që është e mirë dhe e drejtë, në një kohë që i korrigjoni në mënyrë të sjellshme dhe të kujdesshme kur bëjnë gabime.

Në Islam, nëse bëhet i domosdoshëm korrigjimi i fëmijës, kjo bëhet sipas disa rregullave:

Në radhë të parë, kur fëmija bën gabim ju duhet t’ia shpjegoni me butësi se si ata e kanë kaluar pak kufirin nga e drejta drejt së gabuarës. Shpjegoni se si sjellja e tyre nuk pajtohet me vullnetin e Allahut dhe i udhëzoni ata se çfarë na ka mësuar Allahu, cila është mënyra më e mirë për t’u sjellë. Së dyti, nëse korrigjimi me fjalë nuk jep rezultat për ndryshimi e sjelljes, ju duhet të tregoni përsëri mosaprovimin tuaj për atë sjellje duke mbajtur qëndrim (për shembull: mos i buzëqeshni, mos i përqafoni apo t’i thoni fjalë të mira dhe të buta).

Së treti, dhe si zgjidhje e fundit, fëmija mund të ndëshkohet fizikisht nëse nuk e korrigjon sjelljen.

Meqenëse është fakt i ligjeve të të mësuarit që nuk mund ta ndëshkoni një fëmijë pa e lënduar atë, ndëshkimi mund të bëhet i domosdoshëm vetëm atëherë kur nuk keni alternativë tjetër pozitive dhe e mira që do të vijë prej ndëshkimit të tij do ta tejkalojë dëmin që do t’i shkaktoni fëmijës.

PËRKUJTONI: Profeti Muhamed (s.a.v.s.) kurrë në jetën e tij nuk goditi ndonjë fëmijë, grua apo shërbëtor.

Java e tretë

Gjithmonë kur lavdëroni apo ndëshkoni bëjeni atë mënjëherë pas veprës.

Edhe shpërblimi, edhe ndëshkimi funksionojnë më mirë atëherë kur jepen menjeherë pas veprimit të fëmijës, të cilin ju doni ta shtoni apo ta pakësoni. Kërkimet kanë treguar se ideale është që ato të përdoren menjëherë pas veprimit të fëmijës. Sigurisht që kjo jo gjithmonë është praktikisht e mundur për shumë arsye. Arsyeja që shpërblimi dhe ndëshkimi duhet të kryhen menjëherë pas veprimit të fëmijës është sepse edhe shpërblimi edhe ndëshkimi kanë ndikim në veprimin që ndodhi menjëherë para tyre, pavarësisht se çfarë vepre keni për qëllim të shpërbleni apo ndëshkoni. Për shembull, nëse e patë se djali juaj qëlloi motrën e tij, pastaj gjysmë ore më vonë vendosni ta ndëshkoni për këtë veprim të gabuar, por deri atëherë ai është ulur i qetë me të dhe po i mëson të lexojë Kuranin, kjo do të thotë se ju po jepni një përgjigje ndihme ndaj motrës që u godit, dhe jo vetë aktit të goditjes. Kështu në të ardhmen, ka të ngjarë që ai të vazhdojë po njëlloj ta godasë motrën e tij dhe ta ndihmojë më rrallë të mësojë Kuranin. Kjo është pikërisht ajo që ju nuk dëshironi. Fatmirësisht, shumë pak nga ne e përdorin shpërblimin apo ndëshkimin kaq keq, por ky është vetëm një shembull për të treguar pse është e rëndësishme përgjigja e menjëhershme.

Nëse, për arsye të ndryshme, nuk keni mundësi të shpërbleni apo ndëshkoni menjëherë, ju mund ta bëni atë shpërblim apo ndëshkim shumë të efektshëm nëse e bëni fëmijën të përsëritë mendërisht rrethanat e plota të sjelljes që po shpërblehet apo ndëshkohet. Kur veproni kështu, duhet ta specifikoni cili veprim po ndëshkohet dhe përpiquni të sillni një skenë të plotë të tij në mendjen e fëmijës. Në shembullin e dhënë më lart dialogu do të ishte diçka e tillë:

“Rreth gjysmë ore më parë kur po luanit në oborr të pashë që e godite motën në krah aq shumë sa e bëre të qajë. Ky veprim është i keq. Allahu do që ne të sillemi me dashuri dhe me mirësi ndaj të tjerëve sidomos në familje. Kështu që duhet të të ndëshkoj (në këtë rast vetëm duke e këshilluar butësisht për atë që gaboi) që e godite atë dhe mësoje se të godasësh njerëzit që duhet t’i duash është gabim dhe është kundër vullnetit të Allahut. Të qortova për atë që bëre pak më parë, por dua të të them gjithashtu se ajo që po bën tani, që po i mëson motrës Kuranin është një gjë e mrekullueshme. Jam e sigurt se Allahu është shumë i kënaqur që ti po vepron kështu dhe unë jam shumë e lumtur kur të shoh se je një vëlla i mirë.”

Vini re! Kur jepni këshilla (dënime) fëmijëve tuaj është mirë që tonin e zërit ta mbani neutral, as të ashpër, as të butë, por kur lavdëroni (shpërbleni) ai duhet të jepet me një zë të butë dhe në mënyrë të këndshme, i shoqëruar me shfaqje dashurie.