Koha e Liceut

14

Nga: Matilda Myftari

Mu kujtua sot ajo kohë, ajo ditë,

rruga e Liceut Artistik,

aty ku kitara s’resht, aty ku fort të hapen sytë.

Në ato banga druri, me bojë të zezë lyer

kaluam vite, jetuam bukur.

Bërtisnim, mësonim, flisnim e ëndërronim.

Aty, ku filloi një epokë.

Aty, ku jeta mori drejtim.

Aty, ku buzëqeshja fytyrën ndriçon.

Aty, ku rruga ka veç fillim.

I kam të paharruara vitet, ditët, orët e asaj kohe.

I kam “ndjenjat” e paprekura të adoleshencës,

ku çdo gjë kërkonte kujdes,

ku çdo hap në krahët e pëllumbit fluturon,

ku çdo mendim e ide

edhe mjerimit ia kalon.

Aty, çdo lule çel ndryshe.

Aty, çdo pemë jeshilon më bukur.

Aty, çdo bordurë ishte e mbushur

si vagonat e një treni pa timon.

E sot, kanë kaluar 25 vite

e thinjat kokën seç ma kanë mbuluar,

por sytë e kanë akoma shkëlqimin

për t’i thënë kujtimeve

ej, unë këtu kam ecur, kam qeshur e qarë.

Unë këtu kam jetuar.

 

Revista “Familja”, qershor 2022