Koha jote, jeta jote!

62

A e dini se sa vlerë ka koha? Dijetarët muslimanë e kanë vlerësuar kohën shumë më herët se perëndimorët. Fjalët dhe veprat e tyre e dëshmojnë këtë. Ebu Jusufi, një student i shquar tregon: “Ebu Hanifja ishte në shtratin e vdekjes kur kërkoi një copë letër dhe një laps për të zgjidhur një problem në fushën e jurisprudencës islame dhe tha: ‘Nëse kam edhe një çast të vetëm për të jetuar, do ta shpenzoj duke bërë diçka që kënaq Allahun’”.

Në Kuranin Famëlarte thuhet: “Pasha kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrin të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”.

Një dijetar tjetër mysliman udhëzon me fjalët e tij: “Çdo ditë që lind na thërret: O njerëz! Unë jam një ditë e re, unë jam vëzhguese e veprave tuaja. Përfitoni prej meje sepse unë nuk do të kthehem më deri në Ditën e Gjykimit. O bir i Ademit, ti nuk je gjë tjetër veçse disa frymëmarrje! Kur ti nxjerr frymën, bashkë me të ikën edhe një pjesë e jotja. Ashtu si të iku një pjesë, së shpejti do të shkojë e tëra”. Me sa duket nuk ka asgjë të gabuar në fjalët e mësipërme të Hasan el Basri.

Ne mund të humbim shumë kohë, qoftë duke fjetur, duke ngrënë apo duke u argëtuar, por vetëm me kaq?! Jo, nuk mund të çohet dëm koha vetëm me të mësipërmet. Paramendoni dikë që hedh një shumë të madhe parash në det. Ai do të konsiderohej si një person jo normal dhe do të ishte i nevojshëm kujdesi i mjekëve ndaj tij në këtë rast. Por, gjithashtu, edhe ju jeni duke bërë të njëjtën gjë kur harxhoni kot kohën tuaj. A dëshironi të përmirësoheni? Nëse me të vërtetë jeni gati, le të pajtohemi për detajet që do t’ju ndihmojnë të organizoni kohën tuaj:

1. Çdo ditë shkruani në një bllok planin e së nesërmes.

2. Fokusohuni me ndihmën e Allahut në punën tuaj dhe mos u ndalni për asnjë arsye tjetër veç Tij. Ndërprerjet ju humbasin shumë kohë. Vazhdoni dhe do të shihni një rritje të madhe të prodhimtarisë tuaj.

3. Shkurtoni orët e gjumit, qoftë edhe një orë për çdo ditë do t’ju shtojë 365 orë në vit. Ju mund ta përdorni këtë kohë për të studiuar ose mësuar Kuranin e Shenjtë.

4. Qëndroni larg njerëzve dembelë dhe të pafuqishëm, por tregohuni të kujdesshëm të mos i përbuzni ata.

5. Bëjini gjërat paralelisht. Për shembull, teksa prisni radhën tuaj për të hyrë tek mjeku ose jeni duke udhëtuar, lexoni një libër. Një shembull tipik dhe i shkëlqyer është Imam Ibn-al-Kajimi, i cili e shkroi librin e tij të famshëm Zad-al-Mad gjatë udhëtimit të tij për në Mekë për të bërë haxhin.

6. Jini të kujdesshëm ndaj kohës së lirë gjatë verës.

7. Çdo natë pyeteni veten se çfarë keni arritur atë ditë dhe së shpejti do të vëreni që do të ngazëlleheni nga rezultatet.

8. Vlerësoni se sa keni qenë në gjendje ta plotësoni planin tuaj javor. Mund të filloni të përdorni përqindjet. Edhe pse mund të nisni me përqindje të ulta, synoni t’i rrisni ato në ditët në vazhdim.

9. Mos dilni kurrë nga shtëpia pa axhendën tuaj. Mos harroni kurrë se nuk do të mund ta përdorni kohën me mençuri, nëse nuk keni një qëllim të mirë në jetë. Kur ta keni një qëllim, ju do të jeni më vigjilentë ndaj kohës tuaj dhe do të jeni në gjendje ta ndani si duhet atë.

Për mbyllje, disa thënie të famshme në lidhje me kohën, na bëjnë të kuptojmë më shumë rreth kohës dhe vlerës së saj. Ibn Mesudi shprehet: “Nuk kam ndier keqardhje për asgjë, me përjashtim të asaj dite që më ka kaluar pa ia shtuar veprat e mia”. Një tjetër dijetar, Ibn-al-Kajimi, thotë: “Çdo gulçim ajri që del për një çështje tjetër përveç asaj në rrugë të Allahut, në Ditën e Gjykimit do të kthehet në hidhërim dhe keqardhje”.

MAJ-QERSHOR 2013