Koha për të ndryshuar

61

Nga Albana Muja

Pas dekadash lirie dhe ndryshimi, pas kalimit nga një stad në tjetrin, nuk jemi më ata që kemi qenë. Vitet që mbartim nuk janë gjë tjetër veçse stade të shumta jete të mbledhura së bashku, e që vijnë të tilla për të na bërë më të mirë.

Kur dikush kërkon ndryshimin, secili prej nesh pritshmëritë i ka tek ndryshimet madhore, tek ata që bëjnë bujë e për të cilët ia vlen të shkruash.

Mirëpo në shoqërinë tonë, disa cilësi janë fshehur thellë, ndërkohë që shumë prej veseve të rëndomta janë shfaqur dukshëm.

Po të flitej për realitetin e nisjeve të tilla pa krye nga fillimi i viteve të demokracisë, këto sjellje e ndryshime do të kishin disi kuptim por në vitet tona ku janë plot 24 vite që kërkojmë të ngrihemi, sërish gjendemi rrëzë rrënajës e buzë greminave.

Pas kaq e kaq viteve, ku mendohet se dihen shumë prej gjërave negative që sjell tranzicioni, shoqëria shqiptare tronditet nga klubet e natës.

Siç edhe emri e tregon, klubet e natës diheshin se ishin shumë pak pasi vetë një shoqëri me probleme në të ngriturit ekonomik e social duhet t`i ketë të pakta angazhimet pa përftime sociale. Por në fakt, pas tronditjes së të enjtes së shqiptarëve nga ajo çfarë ndodhi në një prej  klubeve u shtua një listë e madhe e tyre, një listë e gjatë lokalesh si të ishin lista e arritjeve  dhe bëmave të ndërmarrjeve të ndryshme të shoqërisë sonë.

Është për të ardhur keq, kur  ulesh  dhe klikon  me qëllim  për të dëgjuar  lajmet, për të parë parashikimet meterologjike, mëson se sa jetë shuhen brenda një kornize të errët të një nate të ndaluar.

Por nuk është e thënë, kronika si ato që përjetuam, me një rëndesë të madhe terri, dhimbjeje e humbjeje, na shoqërojnë sot kudo, sapo fillon të bjerë nata.

Jemi përpjekur për t`u ngritur, jemi rrëzuar shpesh herë, jemi ngritur e sërish rrëzohemi dita ditës, ndoshta deri në atë gradë sa të mos ngrihemi më.

Kur nis e përjetoj atë çfarë do të duhej të na sillte nata, me kujtohet fjala e Profetit tim të nderuar kur thotë: “ me të ardhur  muzgu  mblidhini fëmijët, gëzoni në shtëpitë tuaja, sepse dita ka qënë për jashtë shtëpisë dhe nata duhet të na bashkojë pranë strehës familjare.”

Jeta islame i ka dhënë mirësi si ditës ashtu edhe natës. Dita është agimi i jetës dhe nata është pushimi nën çati. Përgjatë natës gjejmë në një të tretën e saj një kohë të vyer, ku lutja që artikulohet në atë moment pranohet tek Zoti. Përgjatë natës kemi thirrjen për t`u ngritur për namaz, për të kujtuar Zotin kur të tjerët flenë, për t`u përmirësuar kur të tjerët keqveprojnë, e për të rikujtuar kur të tjerët harrojnë.

Në Islam, nata nuk është vetëm e zezë, por ka plot ngjyra të tjera nëse di t`ia japësh secilës efektin dallues. Por në shoqërinë pa besim, nata është keqkuptuar si momenti për t`u larguar nga shumë sy e veshë, e për t`u gjendur diku i fshehur ku të paktë janë ata që të shohin dhe më të shumtë ata që të qeshin.

Në këtë vazhdë, stili islam i jetës dhe i të konceptuarit të mënyrës së jetësës brenda ditës dhe natës shpreh rezerva dhe sqaron prerazi ndalesën e klubeve të natës dhe ndalesën e çdo gjëje që ndodh brenda dhe rreth tyre. Ndaj edhe kur ndodh diçka që shoqëria e ka liçensuar e duartrokitur, por që më pas trronditet prej saj, i gjen këta njerëz vlerësues të asaj me çfarë ka ardhur Islami.

Profeti (a.s.) kur ka folur për vlerat e njeriut dhe të njerëzisë ka folur aq qartë dhe shumë, sa  të gjithë e njohim thënien e tij: “Kush vret një njeri është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin.”

Çfarë mund të themi për vrasjet 4-5-fishe që kryhen brenda një nate, ku çdo gjë ndodh nën efekte pijesh të ndaluara dhe për më tepër kjo, jo se iu bë dikujt e padrejtë në tokë, pasuri apo fëmijë, por ku çdo gjë ndodh si vazhdim i serialit të ndërtuar keq e në mënyrë të ndaluar të bërjes së një jetë të shfrenuar e larg këshillës së Profetit (a.s.), larg shpalljes së Zotit.

Humbjet e asaj nate janë prehëra bosh të nënave, janë rrëfime të patreguara bijsh, janë pendesa baballarësh, janë këshilla motrash të mbetura në tentativë, janë konfidenca vëllezërish që nuk ditën të jepeshin në kohën e duhur, janë shumë e më shumë se kaq.

E gjitha kjo ka lidhje zinxhirore deri në ashtin tonë.

Familja dhe të gjithë anëtarët e saj duhet të jenë të tillë, si hallkat e zinxhirit ku secila duhet të jetë në vendin e saj e vendosur mirë që të mbyllet zinxhiri i jetës sonë sa më mirë dhe të ketë një përfundim sa më të lumtur, dhe jo siç njihemi sot me përfundime të hidhura e me pendesa varur në harresë e papërgjegjësi.

 

Rev. Familja, janar 2015