Kohë për meditim

64

Rotacioni kohor, hapësinor, social deri edhe politik përtej çdo subjektiviteti të mundshëm na bën të mendojmë se nëse realisht ka rotacion në çdo aspekt të lartpërmendur nga ana tjetër nuk ka rotacion jetik njerëzor me vetet tona. Shpesh mundohemi të kthehemi tek vetet tona por në një gjysëm hapi e shikojmë se nuk kthehemi dot si më parë. Kemi kaluar qoftë edhe një minutë të vetëm dhe jemi bërë më të mëdhenj më afër ikjes për… se sa kthimit për tek

Në këtë kontekst nisemi shpesh me rotacionin kohor, me ditët dhe netët që na mbështjellin, me muajt dhe gjendemi në ikje por pa një busull, së cilës shpesh i duhet fshirë pluhuri.

Kështu kur vera vjen, ajo zë vëndin e vet ashtu siç e ka krijuar Zoti por ne kërkojmë të na bëjë të ndjehemi ndryshe, të përtërirë, të diellëzuar ashtu siç ajo tipar të sajin ka diellin, dritën, shkëlqimin, harenë etj. Por ajo që ndodh është se edhe në këtë rotacion kohor ripërtëritës ne mjaftohemi me diellin e dritën e tij dhe nuk mendojmë më tej se ai djeg dhe djersin.

Sa prej nesh e presin këtë stinë me shumë plane për të bërë, me shumë dëshira për t`u plotësuar përveç se për të pasur më shumë pushime?

Vërtet kjo stinë, e kjo kohë duhet të na kujtojë vetëm pushimet?! Pushimet e mëdha kryesisht vijnë pas punëve të mëdha. Vërtet ne jemi aq të sigurtë t`i themi vetes se do pushojmë shumë pasi jemi lodhur mjaft? Çdokush prej nesh në një pyetje që nuk e kapërcen as edhe qafën e vet, do kthehej i mërzitur me veten. Koha duhet të na thërrasë drejt punëve të mëdha, drejt përpjekjeve të shumta drejt proçeseve që na ripërtërijnë, në bëjnë më të gjallë e më të mirë. Bota reale sot e njeh rotacioin kohor si hapësirë të saj që duhet jetuar ashtu siç vjen, por në fakt kjo kohë e cila vjen e na viziton çdo herë duhet të jetë në garë me planet, projektet, detyrat tona për t`u “bërë”.

Sa prej nesh do shkruanin në axhendën e tyre: things to do…shpesh herë këtë fjali e përmbyllin shumë pikëpyetje edhe shumë pika boshe, ashtu siç në fakt mendjet tona mund të gjënden aq të shkujdesura dhe boshe dhe nuk kanë se si ndryshe t‟i kryejnë e përmbushin këto projekte. Kjo lëngatë është e hershme dhe të flasësh për të më gjatë, mund të kthehej në një leksion të bezdishëm, por fuqia e Islamit, na shtyn që çdo aspekti kohor e jetik t`i thurim mirësitë me të cilat vjen çdo moment i jetës sonë.

Sërish nëse do mendonim se çdo t`i dhuronim sivjet kësaj vere që do trokasë do i hapnim derën duke i thënë të paktën do jemi adhurues të atyre adhuriemve të lehta në Islam por me shumë peshë në peshoren e Zotit, siç edhe është në fakt një prej adhurimeve të braktisura prej nesh adhurimi i të menduarit dhe medituarit. Kryesisht në verë njerëzit i gjen më shumë meditativë e reflektues nisur ndoshta dhe nga fakti i ringjalljes së natyrës që na rrethon e të tjera proçeseve jetike.

Adhurimet për njerëzimin kanë ardhur si lehtësime për të dhe përmbushje të krijimit të tyre. Adhurimet kanë lehtësuar çdo gjë që dukej përtej njerëzores, kanë afruar me vete njeriun mëshirën e gjetur përmes vargjesh kuranore e thëniesh profetike, kanë zbutur egërsitë e dynjasë, e realitetti njerëzor, kanë çliruar vargonjtë e unit, e egoizmit, e vetekënaqësisë dhe të vetëmjaftueshmërisë. Adhurimet janë ato që e bënë njeriun të dijë se është dikush i cili është i panevojshëm për ta, dhe se vetë ai, ka shumë nevojë për ta. Adhurimet janë ato stacione ku vetë ai, njeriu i çdo kohe të shkuar apo kohës së tashme e kohës që do vijë ndalon e mediton mbi veten dhe mbi githësinë. Këto stacione e rrisin dhe e burrërojnë e bëjnë “njeri”. Duke pasur gjithë këtë pasqyrë realitetesh lidhur me adhurimet edhe pse ngjan term tejet abstrakt, një njeri që mediton e bën atë term konkret të cilin e mbrum me dashuri e përkujdesje, me respekt e përkushtim në mënyrë që ai adhurim të realizohet si duhet nga ana e njeriut e të pranohet më pas nga Zoti i Gjithësisë si i tillë, që sjell shpërblime, pastrim e shpëtim në të dy botët.

Të menduarit (medituarit), është një prej adhurimeve të cilën e kanë braktisur shumë prej nesh. E nëse ne do t‟a dinim çfarë të mirash e dobish ai ka, nuk do ta braktiste atë asnjë…

Mbi rëndësinë e saj të madhe flet edhe Kurani i shenjtë: “Me të vërtetë në krijimin e qiejve dhe të tokës, dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka argumenta për ata që janë të mënçur, dhe për ata të cilët përmëndin Allahun në këmbë, ulur apo edhe mbështetur dhe mendojnë (meditojnë) thellë për krijim të qiejve dhe tokës. O Zoti ynë, Ti nuk i ke krijuar kot këto, Ti je më i Lartësuari, ruana nga dënimet e zjarrit” (Al‟Imran 190-191)

Njerëzit e sotëm, duket qartazi se janë dhënë pas adhurimeve të përcipta, atyre që në fakt nuk mbartin mirësinë e të qënit adhurim nga vetë fakti se i tillë është rrugëtimi i tyre në përmbushje të misionit që ka adhurimi. Të dhënë gjithnjë pas një bote që po ikën shpejt e pa kuptuar edhe njeriu harrohet pas gjërave që mbarojnë shpejt, pas materies e cila nuk premton shumë, pas kësaj bote e cila në fakt veçse mashtron dhe dekurajon njeriun e shkujdesur, e shkujdesur sidomos ndaj një adhurimi i cili është shumë i lehtë në pamje të parë, në mendimin e parë që na krijohet në vetvete, – tek meditimi.

Shpeshherë e kemi dëgjuar nëpër thënie profetike dhe ajete kuranore: dhe meditoni mbi ajetet tona, dhe ky libër nuk erdhi për tjetër… veçse të meditoni në të, e të tjera ajete që mbartin mrekullisht këtë term ndaj të cilit shumë kush nuk ka menduar “gjatë”.

Në këtë drejtim kemi dëgjuar dhe na ka ardhur mirë kur kemi mësuar se një orë meditim mund të jetë i vlerfshëm sa 70-100 namaze. A jemi ne të gatshëm t`i bëjmë llogaritë e kësaj mirësie?

Nëse namazi kërkon kushte të tjera e më së shumti ‘kohë të begatë’ për ta kryer atë, durim, e pastrim, meditimi a nuk është prej adhurimeve që realizohet më lehtë, më shpejt dhe pa kuptuar mund të korresh suksese me veten dhe për veten duke mos e quajtur atë aspak aktivitet fizik, por aktivitet mendor e intelektual.

Gjithashtu Allahu i Madhëruar i mbyll 13 ajete nga Kur‟ani i shenjtë me këtë fjalë “ të mendosh”(meditosh), si dhe ndeshemi me shumë shprehje të tilla si “…a nuk do t’i kushtoni vëmëndje?…”, “…ka një shenjë për njerëzit që mendojnë…” e gjithashtu janë përmëndur në më shumë se 250 ajete nga Kurani, ilustrime të ndryshme mbi gjithësinë që na rrethon, për qiejt, tokën, malet, detërat, lumenjtë, për krijesat si ato xhind apo njerëz, zogj apo kafshë, mbi erërat, retë, shirat, etj, për të kuptuar rëndësinë e të menduarit rreth shenjave të Allahut, për të menduar Madhështinë e Fuqinë e të Madhërishmit dhe kështu do të bindemi edhe më tepër për ekzistencën e Krijuesit të Plotfuqishëm dhe veprën e Tij të pashembullt të krijimit. Por ka edhe nga ata njerëz që nuk e kuptojnë këtë fakt, duke thënë se nuk kanë aftësi të “shohin” këtë qëllim hyjnor, por besimtarët janë të ndryshëm nga kjo kategori “e verbër”, ata e kuptojnë dhe e pranojnë, se e tërë gjithësia është krijuar nga Allahu me një qëllim të caktuar dhe me mënçuri. Dhe kur besimi dhe mënçuria rriten paralelisht me njëra-tjetrën, ato janë në gjendje të përcaktojnë çdo detaj të krijimit të Allahut.

Por vetëm një besimtar i mirë thellohet në mendime rreth krijimit të qiejve dhe tokës, e nëse dëshiron që të njohësh Zotin, mendo rreth krijesave të tij, pra si janë krijuar, kush dhe pse… Në një thënie të Omer bin Abdul Aziz (r.a) thuhet për këtë çështje: “Të menduarit (meditimi) në mirësitë e Allahut, është lloji më i mirë i adhurimit”.

Edhe profeti (a.s) na nxit në këtë adhurim me anë të fjalëve të tij: “Mendoni rreth krijesave të Zotit dhe mos mendoni për natyrën e Tij, sepse ju nuk dini t‟i jepni Atij vlerën që ka‟.

E për çdo gjë që Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar, në të ka dobi që janë për të mirën tonë…

Por cilat janë dobitë e këtij adhurimi “të menduarit (medituarit)” :

1- Ripërtëritja e besimit dhe shtimi i tij. Sepse nëpërmjet të menduarit zbulohen të vërtetat e gjërave dhe dallohet e mira nga e keqja e kështu me anë të të menduarit shtohet besimi më shumë, se sa me anë të punës.

2- Të menduarit është prej punëve të zemrës… e nëpërmjet kësaj vihen në punë edhe gjymtyrët e tjera për të kryer adhurimin ashtu siç duhet.

3- Të menduarit, të bën që të kërkosh thjeshtësinë karshi madhështisë së të Madhërishmit.

4- Të menduarit të bën që të punosh me ajetet e Kur‟anit të shenjtë dhe me thëniet e profetit (a.s).

5- Të menduarit të hap horizontet e dijes së besimit, mbi ato që nuk ke patur njohuri më parë.

6- A nuk ishte islami i Ibrahimit (a.s) i mbështetur në rrugën e të menduarit mbi shenjat e Zotit, e këtë e gjejmë të konkretizuar në Kuranin Famëlartë: “Kështu, Ne i treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të tokës, në mënyrë që ai të ishte prej besimtarëve të bindur.”(En‟am 75).

Pra ky adhurim është pasqyrë që të tregon të mirat dhe të këqiat e tua kur je vetëm me veten…

Maj-Qershor, 2014