Kolana e librave të xhepit – Dr. Sana Abid

59

Biblioteka e Shoqatës Kulturore “Gruaja” pasurohet me serinë e pesë librave të xhepit me autore dr.Sana Abid, seri në të cilën çdo njeri mund të gjejë vetveten. Të çmuar e të thjeshtë, të vegjël por me vlerë të madhe, të lehtë në lexim por të rëndë në mesazhin që përcjellin.

Në këtë seri të çmuar vlerash të transmetuara nga dr. Sana Abid, ju mund të lexoni rreth marëdhënies së njeriut me prindërit e tij dhe me Zotin, si gur themeli i krijimit të vlerave e personalitetit njerëzor në librin “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe ndaj prindërve të tu”.

Kopertina 1Në librin “Përgjegjësia dhe kujdesi”, renditen hapat kryesorë për një edukim të shëndoshë të fëmijëve dhe familjes duke filluar me zgjedhjen e bashkëshortit ose bashkëshortes, duke vazhduar me ngjizjen e foshnjës në barkun e nënës dhe duke e mbyllur me mbërritjen e moshës së pubertetit të fëmijës, pasi fëmija në këtë moshë konsiderohet i rritur dhe i përgjegjshëm për veprimet që bën.

kopertinaNë libërthin e vogël “Silluni mirë me gratë” gjejmë të përshkruar bukur pozitën e femrës tek Allahu i Lartësuar, nëpërmjet ajetit kuranor: “Dhe Zoti i tyre i’u përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim)” (Ali-Imran, 195). Islami ka mbështetur dhe vlerësuar rolet e shumta të gruas, fillimisht si bazë e ndërtimit të shoqërisë e shtimit të brezave. Duke mos lënë pas rolin e saj si edukatore dhe mësuese, për formimin e individëve të denjë për shoqërinë, me besim e shpirt të pastër, adhurues të mirë, si dhe me dituri dhe kulturë të gjerë.

kopertina3Në librin “Profetët”,  nga vetë titulli  kuptojmë se autorja ka bërë një përmbledhje të jetës së profetëve, të veprave, cilësive, karaktereve dhe karakteristikave të tyre fizike. Ajo ka zgjedhur të shkruajë mbi disa nga profetët më të njohur në historinë e fesë islame. Libri “Profetët” shërben si një udhëzues për ne në jetën dhe veprimtarinë tonë, pasi në këtë libër është bërë përmbledhja e historive të njerëzve më të urtë në historinë e islamit dhe vetë njerëzimit.

kopertina3Në librin “Amaneti, Njeriu e mbarti Atë” mund të lexoni rreth amanetit i cili trajtohet si një  obligim madhor, virtyt i lartë fetar dhe si një prej bazave më të rëndësishme të islamit. Përmbushja e amanetit është edhe treguesi i besimit të një individi, gjë e cila vihet re dhe në thënien e profetit Muhamed (a.s.), ku thuhet: “S’ka besim ai që nuk ruan amanetin”.

Bazuar në shumë hadithe dhe ajete kuranore, shpjegohet se përmbushja e amanetit është edhe një domosdoshmëri për shoqërinë njerëzore, sekreti i suksesit dhe çelësi i përparimit të saj. Amaneti shihet si shkaku i lumturisë. Planet dhe shpresat qëndrojnë drejt me jetësimin e tij.

Suksesin e parë kjo kolanë e librave të xhepit e shënoi në Panairin e 16-të të Librit “Tirana 2013”, ku u vu re interesi i një numri të madh lexuesish. Shitjet e këtyre botimeve ishin mjaft të kënaqshme. Urojmë që secili nga ju që do ketë mundësi t’i lexojë e të gjejë vetveten dhe udhëzimin drejt rrugës së drejtë dhe të vërtetë.

Mars -Prill, 2014