Konfliktet, të luftojmë apo të dorëzohemi?

62

Nga Orjola Sula

Jetojmë në një botë ku kryefjala e mbijetesës është konflikti. Sot më shumë se kurrë, ky fenomen është bërë pjesë e jetës njerëzore, aq sa ka degraduar në luftëra të përgjakshme që marrin jetë njerëzish të pafajshëm. Konfliktet dita ditës po i degradojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore. Kudo dhe në çdo kohë, kushdo mund të rrezikojë të përfshihet në një konflikt, i madh apo i vogël qoftë. Zgjidhja e këtyre konflikteve varet nga mënyra e perceptimit, niveli i tolerancës dhe mirëkuptimit të gjithësecilit.  Na pëlqen apo jo, konflikti është pjesë e pandashme e jetës, që në rastin më të keq mund të shkaktojë stres ndërsa në rastin më të mirë mund të shërbejë si zgjidhje e një situate të caktuar. Kjo e fundit shpjegohet me faktin se duke qenë se konflikti në vetvete tregon prezencën e pikëpamjeve të ndryshme, tek disa njerëz ai mund të jetë tejet produktiv pasi sjell sqarimin e situatave të papritura.

Pra, lind pyetja: A duhet të dorëzohemi para një konflikti apo duhet të luftojmë deri në zgjidhjen e tij? Larg çdo paniku, duhet të vendosim në punë arsyen dhe të jemi sa më të qetë për një zgjidhje sa më efektive në mënyrë që të dyja palët të mbeten të kënaqura. Ju këshilloj ta provoni! Gjithsesi, është më mirë të dilni të fituar pas çdo situate, sesa të pranoni humbjen. Por çfarë janë konfliktet konstruktive? Ato shfaqen si pasojë e keqkuptimeve në vendin e punës, mes shokësh e miqsh apo me familjarët. Në këtë rast është mëse e kuptueshme që konfliktet duhen zgjidhur, në funksion të mbarëvajtjes së punës, forcimit të shoqërisë dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira në familje. Shumica e konflikteve zgjidhjen përmes bisedimeve dhe diskutimeve por për fat të keq ka konflikte që zgjidhen vetëm në rrugë ligjore ku palët i drejtohen gjykatës. Megjithatë, në vendin tonë ndodh edhe ndryshe. Vendimet e gjykatave shpërfillen dhe palët mundohen t’i japin vetë zgjidhje konfliktit duke ushtruar dhunë fizike e psikologjike, madje edhe kërcënime me jetë. Ndaj duhet që sa më shpejt shoqeria jonë të ndërgjegjësohet se konfliktet sjanë gjë tjetër veçse shkëmbim idesh dhe pikëpamjesh që secili i sheh nga këndvështrimi i tij, por që në fakt duhet të shërbejnë që gjithësecili nga ne të nxjerrë më të mirën nga vetja për të zgjidhur sa më mirë situatat. A ju ka ndodhur ndonjëherë të konfliktoheni me prindërit tuaj pasi këta të fundit kërkojnë të ndërhyjnë në çdo gjë që ju bëni? Kjo ndodh pasi prindërit, edhe për shkak të moshës dhe eksperiencës, kanë një tjetër këndvështrim për jetën. Në të shumtën e rasteve mendimet e tyre nuk përputhen me tonat, por kur prindërit janë të aftë të jenë sa më bindës, atëherë edhe zgjidhja e konfliktit mes brezave është më e lehtë. Por ndodh që edhe fëmijët të fitojnë këtë minibetejë, kur bëhet fjalë për çështje të kohëve “moderne”, për të cilat prindërit janë më pak të painformuar.

Por më të pranishme në jetën tonë janë konfliktet në vendin e punës. Ato lindin si pasojë e mospërputhjes së ideve mes palëve, konkurrencës, dëshirës për të qenë nënpunës të “dalluar” apo gabimeve njerëzojë a të qëllimshme që pengojnë mbarëvajtjen e punës. Në të gjitha këto raste zgjidhja e konfliktit në vendin e punës rezulton të jetë më e vështirë sesa konflikti brenda familjes ku toleranca është gjithnjë më e madhe për shkak të dashurisë së sinqertë dhe reciproke mes tyre. Në vendin e punës, edhe pse të gjithë bashkëpunojnë për të njëjtin qëllim, mënyra e këndvështrimit të gjërave është krejt e ndryshme. Ka nga ata që karrierën e tyre e ngrenë në kurriz të të tjerëve, por edhe nga ata që thurin intriga për të mbajtur vendin e punës. Për pasojë në këtë ambient ku secili sheh interesin e tij personal, është paksa e vështirë të mendosh për qëllimin e përbashkët, mbarëvajtjen e punës. Kjo bëhet shkak për konflikte të herë pas hershme që në të shumtën e rasteve zgjidhen vetëm me ndërhyrjen e eprorëve. Megjithatë kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar. Përballë çdo vështirësie apo konflikti duhet të tregohemi sa më bindës dhe të mbrojmë mendimet tona përmes argumentave. Në të kundërt do të dukemi fajtorë dhe me karakter të dobët përpara kolegëve. Por shpesh ndodh që këmbëngulja gjatë një konflikti, sidomos me eprorët tanë, të na rrezikojë edhe vendin e punës. Nuk thonë kot: Shefi ka gjithnjë të drejtë. I drejtë apo i gabuar, mendimi i tij duhet respektuar gjithnjë.

Për fat të keq në Shqipëri ky fenomen është edhe më i dukshëm. Në një vend kaq të vogël, ku çdo gjë shkon mbrapsht, janë bërë “shefa” dhe drejtues njerëz pa formimin e duhur kulturor dhe intelektual, çka e vështirëson edhe më shumë punën e një nënpunësi profesionist. Por kjo ndikon negativisht edhe në mbarëvajtjen e punës, e kështu bëhen gabime të parikuperueshme. Duhet më shumë se guxim për të mos u dorëzuar në një konflikt në vendin e punës. Por do të shihni se kur fjala juaj të rezultojë e vërtetë, atëherë ju e keni fituar luftën për të mbajtur lart personalitetin dhe aftësitë tuaja. Ndërsa në shoqëri sot është edhe më e vështirë të dalësh nga një konflikt. Kjo pasi në 90% të rasteve konflikti “zgjidhet” me ndarjen apo përçarjen e shoqërisë. Fjala e urtë popullore “Më mirë një mik se një thesar”, në këtë rast nuk vlen më pasi vihet në pikëpyetje besimi reciprok mes miqve të mirë. Megjithatë vlen për t’u përmendur se një mik i mirë e kupton gjithnjë nëse ka gabuar dhe i lë pas keqkuptimet duke i dhënë më shumë rëndësi miqësisë së vërtetë. Pavarësisht të gjithave, asnjëherë mos u dorëzoni përballë një konflikti. Tregoni karakterin dhe aftësitë tuaja pasi vetëm kështu do të fitoni respekt në sytë e të tjerëve. Por mos harroni të kërkoni falje nëse bindja juaj është e gabuar pasi të gabosh është njerëzore.

Maj 2017