KRIZA MORALE E NJERIUT BASHKËKOHOR DHE EDUKATA FETARE

50

Pse ka problem moral?

Sepse ka kontradikta midis:

  • Prirjeve të ndryshme të njeriut
  • Prirjeve dhe arsyes

Morali nuk edukohet në një kohë apo periudhë të caktuar. Ai ndërtohet, plotësohet, respektohet dhe edukohet gjatë gjithë jetës. Sado që kanë ndryshuar qytetërimet, bazat e moralit në thelb u kanë rezistuar kohërave, baza të tilla si: familja e shëndoshë, paqja, toleranca, e vërteta, dashuria, dija. Mund të jetë moral i mbështetur nën ndienja, detyrë apo interes, por mbetet shtyllë në formimin e njeriut.

Ndërsa edukata fetare ndriçon mendjen, harmonizohet me moralin dhe gjithashtu edukohet  gjatë gjithë jetës. Asnjë parim dhe këshillë fetare nuk del kundër moralit të shoqërisë. P.sh.:

  • – Një shoqëri e shëndoshë mbetet e tillë nëse ka familje të shëndoshë. Këtë kërkon edhe feja.
  • – Një shoqëri e mbështetur në të vërtetën mbetet e pastër. Këtë kërkon edhe feja.
  • – Një shoqëri e mbështetur në dije përparon vazhdimisht. Këtë kërkon edhe feja.

Largimi prej fesë ka provuar rënien e shoqërisë në llumin e degjenerimit ose të depresionit. Njeriu ka jetën individuale dhe sociale. Në secilën prej tyre nuk shkëputet nga morali: individi herë paraqitet ai që është dhe herë ai që duhet të jetë. Qëllimi është të sundojë dija, urtësia, dashuria dhe butësia. Por këto nuk vijnë vetvetiu, nëse nuk merret vazhdimisht edukata morale, jo si leksion, por me veprimtari praktike. Harmonizimi i saj me edukatën fetare e përgatisin njeriun të aftë për rolet e tij shumëpërmasorë. E. From ka pohuar se “Përkundër përparimit material, lirisë politike dhe seksuale, bota kah mesi i shekullit XX mentalisht është më e sëmurë se në shekullin XIX”.

Kriza e identitetit është kriza më e madhe e njeriut bashkëkohor

Përparimi i shkencës ka sjellë përmirësimin e jetesës së njerëzve, por shoqëria ka bashkudhëtare një shfrenim dhe rënie shpirtërore morale më të lartë. Shkaku i kësaj gjendjeje është ndikim i të ashtuquajturave liri që po ofrohen dhe infiltrohen në thellësinë e shpirtit të njeriut dhe shpesh shpie në dehumanizimin e personalitetit, humbjen e vlerave etike, mungesën e kritereve normale për vlerësim objektiv të njëmendësisë etj.

Nga ana tjetër, tjetërsimi i njeriut nga vetvetja, tjetërsimi nga vlerat e veta autentike, tjetërsimi nga Zoti e të tjera, e privon njeriun nga baraspesha shpirtërore dhe mundësia e perceptimit dhe qëndrimit korrekt të lirisë autentike vetjake.

Tranzicioni moral i shoqërisë shqiptare po vërteton më së miri se morali me një “lëvizje drejtvizore të njëtrajtshme”të së kaluarës, po i jep frytet e veta edhe tani, pas kaq vitesh. Prishja e stukturave shoqërore e shpirtërore, nën presionin e vjetër të largimit nga feja, solli një shoqëri hibride që nuk di ku t’i kërkojë më thellë rrënjët e së keqes.

Pra, largimi nga feja është një faktor i rëndësishëm i krizës morale. Gjendja aktuale, sipas studiuesve, tregon se ne “kemi nevojë për të rindërtuar aksionin moral kombëtar, që të bëjmë të ndërgjegjshëm njerëzit tanë se në kushtet e lirisë dhe individualizmit, ata të kuptojnë thelbin e lirisë morale, si mënyrë që ndihmon që vetë njeriu bëhet zotërues i natyrës njerëzore. Nuk mund të ketë progres moral nëse nuk përpiqemi të rregullojmë me të gjithë mjetet e qytetëruara natyrën e njeriut, e cila për fat të mirë në shoqërinë tonë nuk është vlerë e pamundur. Rregullimi i jetës morale nuk mund të bëhet nëse familja, shkolla, shoqëria, media dhe institucionet fetare nuk nisen nga bindja se“Njeriu është vetëm dhe jo vetëm ashtu si konceptohet, por dhe ashtu si dëshiron ai vetë të jetë” (Zhan Pol Sartri).

Mars-Prill 2013