Kronikë (ç)njerëzore

87

Bota sot po përjeton dramën më të dhimbshme dhe më rrënqethëse, atë të shkatërrimit të familjes. Filozofi i madh Sofokliu thotë në një nga citatet e tij: “Kush është i mirë në familje është edhe një qytetar i mirë”. Por a mund të flitet sot për një familje të shëndoshë, ndërkohë që mediat po pushtohen nga lajmet kobdhënëse të krimit në familje?! Ç’qytetar mund të quhet ai që fyen nënën dhe babanë, ai që vret vëllanë për një copë tokë, që i merr tjetrit gjënë më të shtrenjtë – jetën – pa u menduar dy herë?! Ç’qytetar mund të jetë ai që dhunon të mitur e masakron pleq, apo ai që braktis familjen?! Sot edhe personi me të cilin ke ndarë momentet më të bukura të jetës, nesër mund të bëhet xhelati yt. Dëgjojmë e shohim edhe raste kur logjika njerëzore pushon së ekzistuari, kur babai hedh foshnjen 5-ditëshe nga kati i katërt i maternitetit…
Për çfarë qytetarie mund të flasim, kur stërgjyshi në moshë dhunon seksualisht dhe mban nën presion për katër vite rrjesht vajzën e komshiut?! Por brutaliteti çnjerëzor  nuk mbaron me kaq, me gjak të ftohtë dhe mendje të kthjellët arrinë ta vrasë dhe t’i presë kokën. Dhe pa pikën e pendesës rrëfen krimin makabër të vrasjes dhe gjymtimit të kufomës. Arsyeja njerëzore po fundoset dhe po bëhet shumë pak për ta shpëtuar.

Kanë thënë se të vetmet gëzime të pastra, shumë herë të përziera edhe me hidhërim, që shijojnë njerëzit në këtë botë janë gëzimet familjare. Për fat të keq ata që i përjetojnë sot këto janë të paktë. Të ndodhur në situata të tilla, duke mos pasur ngrohtësinë, mbështetjen familjare, të rinjtë po e lidhin jetën e tyre me kazinotë apo lojrat e ndryshme të fatit. Të tjerë bien pre e lëndëve narkotike apo e alkoolit. Për femrat çështja shkon akoma më keq, duke u parë si qenie të pambrojtura, ato konsiderohen si “gjah” i lehtë për t’u shfrytëzuar në të gjitha format më jonjerëzore të mundshme, nga ata që synojnë vetëm plotësimin e epsheve dhe dëshirave të kësaj bote. Të ndodhura në situata pa prespektivë për të çarë përpara, të dërrmuara shpirtërisht dhe moralisht, ato e shohin jetën si një kërcënim që po i tret dita-ditës dhe zgjedhin të vetëdënohen, duke rënë në mëkatin më të pafalshëm, atë të vetëvrasjes. Sa e sa raste po mbushin edicionet informative dhe faqet e gazetave, secili ndoshta për një arsye të ndryshme, por që çon në të njëjtin përfundim, të dhënit fund jetës, asaj që ta jep vetëm Zoti, dhe askush veç Atij s’ka të drejtën ta marrë, madje as ti vetë. Siç thotë edhe Allahu i Madhërishëm në Kuranin Fisnik: “Ai ua dha jetën, u bën të vdisni, dhe pastaj ju ringjall. Vërtet njeriu është përbuzës.”(Haxh, 66).

Dikush hidhet nga lartësia e një pallati sepse ka mbetur i papunë dhe s’ka me çfarë të ushqejë familjen, dikush është mbytur në borxhe, dikush nga depresioni, një tjetër ka përqafuar një ideologji absurde, e cila iu “profetizon” se do të shkojnë në parajsë nëse i japin fund jetës. S’kanë fund arsyet e joarsyes që prodhon çdo ditë jeta e jetuar pa qëllim. Allahu ka dijeni dhe fuqi të pakufi. Ai është Zotëruesi i çdo gjëje në tërë gjithësinë. Çdo gjallesë, çdo gjë, prej sa duket njerëzve më të fuqishëm deri te ata më të dobët, prej njerëzve më të varfër deri te njerëzit më të pasur, prej trupave madhështor qiellor e deri te streha e shtazës më të imët në tokë, të gjitha i takojnë Allahut dhe të gjitha janë nën kontrollin dhe dëshirën e Tij. Allahu thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.”(Nahl, 97). Dhe ne duhet t’ia tregojmë gjithkujt thënien e mrekullueshme kuranore: “ …të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: ‘Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm te Ai kthehemi!’” (Bekare:156).

Të ekzistosh në këtë botë, të jetosh, është dhurata më e bukur që na ka bërë Zoti. Ne, si qeniet më të përkryera të krijimit të Tij, duhet të përpiqemi ta ndërtojmë jetën tonë në formën më të shëndetshme, më të bukur dhe të marrim më të mirën prej saj. Duhet të përpiqemi që çdo ditë ta shohim me optimizëm dhe plot ngjyra, pavarësisht sfidave të saj. Jeta është e bukur nëse di ta jetosh!