Kryerja e haxhit apo shpenzime për martesë?

140

Pyetje: Një burrë ka rezervuar lekë për të shkuar në haxh për herë të parë për të kryer detyrimin (farzin) para Allahut (xh.xh.), por ky person ka një djalë, i cili është në moshë të rritur dhe dëshiron të martohet. Ky djalë ka nevojë për para që të bëjë martesën. Cila vepër është më parësore për burrin të shpenzojë paratë: për të kryer haxhin që është obligim para Allahut apo që t’i shpenzojë lekët për martesën e djalit të tij?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar, paqja dhe begatia qofshin mbi njeriun më të nderuar të njerëzimit, mbi të dërguarin e Allahut Pejgamerin Muhamed, mbi familjen, shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin udhën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Me të vërtetë pyetja është interesante, sepse në këtë rast njeriu e vendos veten para dy çështjeve themelore të tij, çështje që e vendosin atë në një pozitë të vështirë për të vepruar. Ai ndodhet përballë një krize ekonomike dhe shoqërore, që në rastin e parë dëshiron të përmbushë deryrimet ndaj Allahut, duke plotësuar shtyllën e fundit të islamit dhe gjithashtu dëshiron të plotësojë një boshllëk shoqëror,..

i cili është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për jetën e atij djaloshi të ri, i cili dëshiron të realizojë një nga ëndrrat e tij, që është të krijojë familjen e tij, të ketë fëmijët e tij dhe të plotësojë një komponent të rëndësishëm, që është shkak që të ruajë nderin e tij.

3Prandaj dijetarët e islamit këtë çështje e kanë klasifikuar sipas rastit dhe kanë marrë parasysh gjendjen shpirtërore, shoqërore dhe fetare për të dy personat, si për djalin, ashtu edhe për babain e tij, që dëshiron të kryejë haxhin. Kështu që janë shprehur si vijon:

Më primarë është që ky person me paratë që posedon të martojë djalin e tij, nëse djalit i nevojitet martesa e shpejtë dhe vetë djali e ka të pamundur që të përballojë shpenzimet e martesës.

Dijetarët e argumentojnë këtë rast duke thënë se nevoja për martesë nuk ka më pak vlerë se nevoja për ushqim, për të ngënë dhe për të pirë. Prandaj, në këtë rast, martesa futet në kategorinë e shpenzimeve që prindi e ka të detyrueshme të shpenzojë për fëmijët e tij. Dijetarët thonë: “Duhet që ai që kujdeset për një person ta martojë atë, nëse pasuria e tij i mbulon këto shpenzime. Kështu që babai duhet të kryejë martesën e djalit të tij në rast se ai e ka të nevojshme martesën dhe nuk ka mundësi financiare për të përballuar atë me shpenzimet e veta”.

Ka shumë njerëz dhe prindër që u thonë fëmijëve të tyre, që nëse ata duan të martohen, të martohen me fitimet e djersës së tyre. Këta prindër harrojnë moshën e tyre rinore. Kjo sjellje e këtyre prindërve në islam është e papranueshme dhe nuk i lejohet babait të komunikojë me këtë gjuhë me djalin e tij. Gjithashtu ky prind e ka haram nëse ka mundësi financiare që të kryejë shpenzimet martesore të djalit të tij dhe nuk e kryen atë. Ky person Ditën e Kiametit do ta ketë armik djalin e tij. Prindit do t’i kërkojë djali llogari, se përse nuk e ka martuar atë, ndërkohë që ai ka pasur mundësi financiare për ta bërë këtë.

Së dyti, nëse babai që dëshiron të kryejë haxhin, por konstaton se djali i tij e ka të nevojshme që të martohet, por paratë arrijnë të mbulojnë vetëm njërën prej dy çështjeve, atëherë babai duhet të financojë me këtë pasuri shpenzimet e martesës së djalit të tij, sepse martesa bëhet shkak për ruajtjen e nderit të djalit të tij. Ruajtja e nderit është obligim për çdo mysliman, prandaj në islam preferohet dhe pëlqehet të mos vonohet martesa, ndërsa haxhi mund të shtyhet dhe të kryhet më vonë, derisa Allahu ta lehtësojë dhe ta mundësojë kryerjen e këtij obligimi, që është prej shtyllave të islamit. Muslimani në këtë rast nuk është i obliguar për të kryer haxhin sepse nuk plotësohen kriteret që nevojiten për të kryer haxhin. Njëri nga kriteret është mundësia ekonomike. Allahu (xh.xh.) në Kur’anin Fisnik thotë: “Haxhi është obligim ndaj Allahut për njerëzit që kanë mundësi” (Al Imran, 97). E në rastin tonë ky musliman nuk e ka mundësinë e kryerjes së haxhit, se shuma e parave që kishte rezervuar po shpenzohet në kujdesje të familjes, gjë e cila është gjithashtu obligim ndaj çdo muslimani. Madje Allahu (xh.xh.) në Kur’anin Fisnik nxit që t’u japim mundësi dhe t’i ndihmojmë të rinjtë për t’u martuar. Në Kur’anin Fisnik Allahu (xh.xh.) urdhëron dhe thotë: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm. Nëse jeni të varfër Allahu do t’i begatojë ata me dhuntitë e Tij” (En-Nur, 32). Ibn Kethiri në komentin e këtij ajeti thotë: “Ky është urdhër për martesë. Disa dijetarë janë të mendimit se ky është obligim që urdhëron çdonjërin që ka mundësi të martohet”. Ndërsa Imam El-Kurtubij në komentin e këtij ajeti thotë: “Ky ajet flet, bashkëbisedon dhe përmbledh ruajtjen e nderit dhe dëlirësisë. Që do të thotë, martoni beqarët (ata që janë të pamartuar) sepse kjo është mënyra që ata të ruajnë nderin e tyre dhe dëlirësinë. Ky urdhër është për prindërit dhe kujdestarët e tyre dhe thuhet për bashkëshortët, por thënia e parë është më e saktë, sepse po të ishte qëllimi për bashkëshortët nuk do të ishte folja kalimtare (elifi me hemze) në fillim”.

Duket qartë që nëse djali nuk mund ta ruajë nderin e tij, veçse duke u martuar, është obligim dhe është më primare që të shpenzohen për të kryer martesën paratë e grumbulluara për haxh. Dhe siç e pamë edhe më sipër, dijetarët i kanë dhënë shumë rëndësi ruajtjes së dëlirësisë dhe pastërtisë shoqërore sesa asaj personale, sepse kryerja e haxhit është adhurim personal, ndërsa ruajtja e nderit është ibadet që lartëson shoqërinë dhe mjedisin që të rrethon. Gjithashtu vonesa e haxhit lejohet, ndërsa rënia në mëkat dhe kryerja e imoralitetit nuk lejohet për asnjë çast të vetëm.

Ndërsa nëse djali që ka arritur moshën për martesë, por nuk e ka të domosdoshme shpejtimin e martesës, pra nuk ka frikë se ai mund të degradohet dhe të bie në haram, por e ruan veten e tij, atëherë dijetarët kanë thënë se në këtë rast babai mund të vonojë martesën duke e shtyrë për më vonë dhe të kryejë obligimi para Allahut duke shpenzuar pasurinë e tij për të shkuar në haxh. Dhe ky është kuptimi më i qartë i ajetit Kur’anor ku Allahu (xh.xh.) thotë: “Haxhi është obligim ndaj Allahut për njerëzit që kanë mundësi” (Al Imran, 97). Dhe se kur është e sigurt qetësia dhe ndershmëria në familje dhe në shoqëri, atëherë duhet të shpejtojnë për të kryer haxhin, që është obligim dhe me të përmbushim shtyllën e fundit të islamit. Imam Ahmedi transmeton nga Abdullah bin Abasi, i cili thotë se Pejgameri Muhamed (paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Shpejtoni për të kryer haxhin sepse anjëri prej jush nuk e di çdo t’i ndodhë më vonë”. Allahu e di më së miri.