Kultivo në zemrën tënde dashurinë për Allahun

52

Dashuria e Zotit për robin e Tij është aq e fuqishme sa nuk mund të përshkruhet. Ajo është e pafundme dhe i tejkalon kufijtë e arsyes sonë. Ne mund të fitojmë vetëm një përshtypje të përafërt të kësaj dashurie, nëpërmjet asaj që na është përcjellë në burimet islame dhe nëpërmjet arsyes sonë të kufizuar, sepse dashuria e ka zanafillën tek Zoti. Dashuria e Tij për njeriun është diçka e veçantë, sepse Ai i ka dhuruar njeriut aftësinë për të qenë mëkëmbësi i Tij në Tokë. Njeriun që Zoti xh.sh e do, përmendet Kurani: “Ta keni të ditur se të dashurit e Allahut (evliatë) nuk kanë frikë (në botën tjetër) e as kurrfarë brengosje. (Ata janë ata) Të cilët besuan dhe ishin të ruajtur” (Junus, 62).

Gjithashtu shumë ajete të Kuranit, Zoti xh.sh i mbyll me dashurinë e Tij ndaj njerëzve me cilësi të ndryshme. Por që ta kuptojmë sa i dashur dhe i mëshirshëm është Krijuesi me ne, duhet që të dimë se sa të vegjël dhe të pafuqishëm jemi para Madhështisë së Tij.

Profeti (a.s.) thotë: “Është rënduar qielli dhe ka të drejtë të rëndohet. Nuk ka vend sa dy gishta, veçse ndodhet një melek në ruku ose në sexhde për Zotin. Kur të vijë Dita e Kijametit, do të ngrihen nga namazi dhe do të thonë: ‘I pa të meta je, o Zot, nuk të kemi adhuruar ashtu si e meriton.’”.

Edhe pse jemi të varfër dhe zëmë një hapësirë shumë të vogël në univers, edhe pse Zotin e adhuron një numër i pallogaritshëm melekësh, Ai tregohet i Dashur, i Dhembshur dhe miqësor me ne. Kjo cilësi e Krijuesit shfaqet përgjithësisht në të gjithë universin dhe me të gjithë krijesat, dhe shfaqet veçanërisht me besimtarët dhe njerëzit e mirë. Nëse mendojmë pak rreth shenjave të dashurisë së Allahut ndaj nesh do gjejmë shumë, por ne do të ndalemi tek disa prej tyre:

  • Shtyrja e ndëshkimit për gjynahet që bëjmë me shpresë që të pendohemi. Zoti xh.sh thotë: “Zoti yt është që fal shumë dhe mëshiron shumë, sikur t’i ndëshkonte ata për atë që kanë vepruar, do t’ua shpejtonte atyre dënimi” (Kehf, 58).
  • Pranimi i pendimit. Zoti xh.sh në Kuran thotë: “(Allahu është Ai) I Cili fal mëkatin dhe pranon pendimin…” (Gafir, 3).
  • Një të mirë e shpërblen me dhjetë të mira. Zoti (xh.sh.) në Kuran thotë: “Kush më vjen me një të mirë, Unë ia shumëfishoj me dhjetë të tilla …” (En’am, 160).
  • Na jep shpërblim të madh për gjëra të vogla. Muhamedi (a.s.) thotë:Kush thotë 100 herë “Subhanallahi ve bihamdihi” i falen gjynahet edhe sikur të jenë sa shkuma e detit”.
  • Ai vetë kërkon prej nesh që t’i lutemi. Zoti xh.sh në Kuran thotë: “Zoti juaj ka thënë: Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem …” (Gafir, 60).
  • Kur kritikon, e bën me të butë. Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran: “A nuk ka ardhur koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut.” (El-Hadid, 16).
  • Vendosja e miqësisë dhe dashurisë mes njerëzve. A nuk janë të këndshme bisedat dhe kuvendet me njerëzit e dashur? A nuk është e këndshme kur familja bashkohet dhe gëzon? Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur Zoti i do njerëzit e një shtëpie, u jep atyre butësinë mes tyre.”
  • Fejesa mes dy të rinjve dhe më pas martesa, si dhe dashuria dhe dhembshuria mes dy njerëzve të panjohur më parë. “Nga argumentet e Tij është se krijoi nga vetja juaj bashkëshorte që të preheni dhe vendosi mes jush mëshirë dhe dashuri.” (Er-Rum, 21).
  • Nuk e lejon zemrën e besimtarit të mbushet me dashurinë e kësaj bote. Profeti a.s ka thënë:“Allahu xh.sh.e mbron njeriun që do nga dashuria për këtë bote, ashtu siç e mbroni ju të sëmurin që tëmos hajëushqim kur i bën dëm” .

Pasi e trajtuam dashurinë e Allahut për krijesat, le të ndalemi pak tek dashuria e krijesave për Allahun (xh.sh.)

Sëmundja më e keqe që prek zemrën është kur ajo nuk e kryen funksionin e saj, që është të njohë Zotin, ta dojë Atë dhe të ndiejë mall për Të. Qëllimi kryesor i ekzistencës së njeriut në këtë botë është të arrijë kënaqësinë dhe dashurinë e Zoti (xh.sh.).

Zoti (xh.sh.) ka dashur që jeta në këtë botë pa dashuri të mos ketë vlerë dhe se dashuria është një nga mirësitë e pafundme që na ka dhuruar Allahu i Madhëruar, është ushqim i patjetërsueshëm për zemrën, është gëzim për sytë dhe jetë për shpirtin. Ai që nuk ka dashuri, ai hyn në grupin e të vdekurve. Ajo është dritë, të cilën nëse dikush e humb, atëherë ai shëtit nëpër detin e errësirës. Ajo është ilaç, të cilin nëse dikush nuk e zotëron, atëherë zemrën e tij e sulmojnë sëmundjet. Ajo është ëmbëlsi, të cilën nëse dikush nuk e arrin, atëherë e tërë jeta e tij është me brenga dhe me dhimbje. Dashuria është shkallë për të cilën kanë garuar ata që i duan garimet. Drejt saj janë drejtuar punëtorët, të cilët janë djegur nga dashuria ndaj Allahut (xh.sh.) dhe kjo është ajo dashuri që nuk humbet asnjëherë.

Të gjithë njerëzit po t’i pyesim, a e doni Zotin do të përgjigjeshin njëzëri me “Po”, por Zoti na vendos para një provimi me këtë ajet kuranor të sures Ali Imran: “Thuaj: ‘Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.’” (Ali Imran, 31).

Kështu pra, Allahu i Lartmadhëruar përcaktoi që dashuria e tyre ndaj Tij të kushtëzohet me pasimin e të Dërguarit të Tij (s.a.v.s.), dhe gjithashtu përcaktoi që ajo dashuri të jetë kusht për dashurinë ndaj Tij.

Enes bin Maliku (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ai që ka këto tre cilësi, ai e ka ndierë ëmbëlsinë e imanit: Allahu dhe Pejgamberi i Tij të jenë më të dashur për të se çdo gjë tjetër, ta dojë dikë vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë të kthehet në injorancë, ashtu siç urren t’i ndizet zjarri në të cilin do të hidhet.” (Buhari).

Dashuria për Zotin është besimi dhe bindja jonë. Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Të gjitha veprat fetare të imanit (ibadetet) burojnë vetëm nga dashuria ndaj Allahut (xh.sh.) Allahu nuk pranon asnjë vepër, përveç asaj me të cilën dëshirohet Fytyra e tij.”

Një nga tabiinët ka thënë: “Në këtë botë ndodhet një parajsë. Nëse nuk e shijon atë, nuk do e shijojë as atë të botës tjetër dhe ajo është dashuria jonë për Zotin”. Ashtu siç nuk krahasohen kënaqësitë e Xhenetit me kënaqësitë e kësaj bote, ashtu edhe kënaqësitë e kësaj bote e humbin vlerën para kënaqësisë që të jep dashuria për Zotin.

Dashuria ndaj Allahut (xh.sh.) dhe Pejgamberit (a.s.) duhet të shprehet me vepra e jo të mbetet vetëm në fjalë. Njeriu nuk mund ta dojë Allahu, nëse nuk iu përmbahet urdhërave të Tij, nëse këtë dashuri nuk e praktikon edhe në jetën praktike. Nëse këto i kemi me bindje dhe i praktikojmë në jetën e përditshme, atëherë kuptohet se dashuria jonë ndaj All-llahut është e vërtetë dhe e vlefshme. Allahu (xh.sh.) thotë: “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.” (Enam, 162). Kjo do të thotë se dashuria nuk është e ndarë prej veprave. Veprat e njeriut janë shoku i tij më i mirë.

Abas ibn Abdul Mutalibi (r.a.) në momentet e vdekjes i ka thënë djalit të tij: “O Abdullah, ta lë amanet dashurinë ndaj Allahut të Madhëruar dhe dashurinë për nënshtrimin ndaj Tij dhe frikën ndaj Allahut dhe ndaj mosbindjes ndaj Tij. Nëse bëhesh i tillë nuk do ta përbuzësh vdekjen kurdo që të vijë. Allahu të ruajtë biri im. Pastaj është kthyer nga Kibla dhe ka thënë “La ilahe ila Allah”, e ka fiksuar shikimin dhe ka ndërruar jetë”.

Disa nga mënyrat që mund të na ndihmojnë të arrijmë dashurinë e madhe që ndiejmë ndaj Zotit të Lartëmadhëruar:

  1. Dashuria e një personi ndaj Allahut shprehet përmes dashurisë së tij për namazin, ngase kjo është rruga që shpirti mund të udhëtojë drejt Zotit të vet, pasi namazi është mirazhi i besimtarit. Allahu thotë: “Fal namazin, vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat” (Ankebut, 45).
  2. Duke kërkuar vazhdimisht faljen (Mëshirën) e Tij. Një musliman asnjëherë nuk humb shpresën nga mëshira e Allahut dhe asnjëherë ai nuk i sheh mëkatet e tij më të mëdha se sa mëshira (falja) e Allahut. Vërtetë, Allahu i fal të gjitha mëkatet.
  3. Nuk duhet kurrë të harrojmë lutjen ndaj Zotit. Është një derë e cila është gjithmonë e hapur dhe kurrë nuk mbyllet. Allahu (xh.sh.) thotë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…” (Gafir, 60).
  4. Përmendja gjithmonë e Allahut xh.sh (dhikri) dhe vetëdija për praninë e Tij. Njeriu pandërprerë do ta përmendë Allahun deri kur të regjistrohet në mesin e atyre të cilët e përmendin shumë Allahun dhe të cilët për shkak të kësaj e adhurojnë Allahun sikur e shohin Atë. Kjo është bamirësia dhe ihsani i vërtetë.
  5. Të izoluarit e njeriut, bisedimi me Allahun e Madhëruar dhe të lexuarit e librit të Tij. Andaj njeriu duhet të izolohet sa më shumë, në kohën e natës, kur të tjerët flenë gjumë, të ngrihet dhe të kryej namazin e natës dhe të kënaqet në vetmi me adhurimin e tij.
  6. T’ia qajë hallet që e kanë mbërthyer Zotit të tij. Kur ta zbatosh këtë, do të ndiesh në zemër një ëmbëlsi që nuk e ke provuar më parë. Kur Ejubin (a.s.) e lodhi sëmundja, i qante hallet dhe shqetësimet e tij me Allahun e Madhërishëm. Ai i thoshte: “O Zot! Mua më ka rënë e keqja.Ti je Mëshiruesi më i Madh” (El-Enbija, 83).
  7. Sjellja me dashamirësi dhe butësi me njerëzit. Nëse je bashkëshort, ji dashamirës me fëmijët dhe gruan tënde. Nëse je mësues, ji dashamirës dhe i butë me nxënësit. Nëse je drejtor, sillu mirë me vartësit e tu. Nëse je polic, sillu mirë me njerëzit e tjerë.

Nëse te dikush gjenden të gjitha këto shenja, dashuria e tij është e plotë dhe do të jetë i shpëtuar në këtë botë dhe në botën tjetër. I Lartësuari thotë se për vepra të pastra do të ketë edhe shpërblim të pastër, ndërsa për veprat e këqija do të ketë shpërblim të keq: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë” ( Ez-Zelzele, 8-9).

Kur të arrijmë të realizojmë këto sa u thanë më lart, atëherë do të kemi këto shenja që tregojnë miqësinë dhe dashurinë tonë për Krijuesin. Profeti ynë i nderuar e bënte një dua gjithmonë: “O Zot, më bëj mua ta ndiej mall për takimin me Ty dhe më bëj ta shijoj kënaqësinë e të shikuarit Tënd Ditën e Gjykimit. O Zot më bëj të të dua Ty dhe gjithë ata që të duan Ty. O Zot ma bëj të dashur çdo punë që më afron pranë dashurisë Tënde”.

Mars-Prill 2013