Kultura e dialogut, patenta e një kombi

80

Nga Orjola Sula

Kultura është e vetmja hapësirë pa kufij, ku mund të qarkullojmë lirisht pa patur nevojë për lejekalim e ku në vend që të kundërshtojmë, mund të dialogojmë, edhe nëse nuk jemi dakort. Por ne shpesh devijojmë nga konturet e këtij përkufizimi, duke e keqkuptuar nocionin “kulturë e dialogut”.

Komunikimi është dhunti që Zoti ia ka falur vetëm njeriut. Përmes tij popujt shkruajnë historinë e njerëzimit. Ajo qa na dallon nga qeniet e tjera apo objektet, është pikërisht aftësia për të folur individualisht e më pas për të ndërvepruar përmes komunikimit me të tjerët.

Para se të njohësh të tjerët, duhet fillimisht të njohësh dhe të respektosh veten, të përcaktosh kufijtë e tu, pa cënuar lirinë e mendimit të bashkëfolësve. Pas kësaj fillon “detyra e vështirë” e të pranuarit të mendimit të të tjerëve. Kultura e dialogut nënkupton pikërisht këtë, të respektosh dhe tolerosh bashkëfolësin, shokun, kolegun, familjarët me të cilët ti, me dëshirën tënde apo jo, je i detyruar të bashkëjetosh dhe bashkëveprosh çdo ditë.

Kultura e dialogut është një koncept i gjerë, por, për ta kuptuar atë më së miri, duhet në radhë të parë të dimë rregullat bazë të etikës në komunikim. Nuk mund të nisë një dialog mes palëve, qoftë edhe mes dy personave, nëse bashkëbiseduesit nuk i drejtohen njëri-tjetrit me respekt reciprok, me mirësi dhe sinqeritet. Pas këtij prezantimi “të suksesshëm”, pjesëmarrësit në dialog duhet të kenë informacionin e duhur mbi temën e diskutimit, pasi çdo ndërhyrje e pavend, do të sillte keqkuptime mes palëve.

Një aftësi e veçantë në kulturën e dialogut është edhe t’u krijosh bashkëfolësve hapësirën e duhur për të dhënë mendimet e veta, për të ndërhyrë aty ku e shohin të arsyeshme si dhe për të pranuar kundërshtimet apo sugjerimet e tyre. Në këtë kënvështrim, të pranosh kundërshtimet e bashkëfolësve gjatë një dialogu, duket paksa e vështirë, por ajo çka nënkuptohet këtu është fakti se diversitetit në një dialog është mjaft i dobishëm, por sjellja e argumenteve të bazuara në fakte, për të mbrojtur idetë e tua është gjithashtu plotësisht e lejueshme gjatë një dialogu.

Shkëmbimi i projekteve, ideve, traditave, risive e kulturave mes vendeve dhe popujve të ndryshëm, bëhet përmes konferencave ndërkombëtare, ku rolin kryesor e luan sërish kultura e dialogut. Për një shtet është shumë i rëndësishëm një prezantim i denjë në takime ndërkombëtare, gjë që realizohet vetëm përmes një dialogu konstruktiv, ku përfaqësuesit e një shteti duhet të jenë oratorë dhe njohës të mirë të kulturës së vendit të tyre, me qëllim që ta përfaqësojnë atë sa më denjësisht.

Pa kulturë nuk ka zhvillim dhe kultura imponohet nëpërmjet arsimimit. Jo më kot vendet më të zhvilluara sot i kushtojnë një vëmendje të veçantë arsimimit të brezave të rinj, edhe pse tradita e të edukuarit përmes librave ka evoluar. Tashmë edukimi realizohet gjithnjë e më shumë nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë së informacionit.

Sot në shkollat shqiptare i mëshohet fort realizimit të projekteve në grup, ku nxënësit, pasi marrin informacionet e nevojshme në internet, mësojnë të diskutojnë në mënyrë të kulturuar me njëri-tjetrin e më pas idetë dhe mendimet e tyre i paraqesin para klasës, ku i hapet rrugë një dialogu, në të cilin nxënësit mësojnë të ruajnë qetësinë gjatë një debati, të japin argumente, të zbatojnë rregullat e etikës në të folur si dhe të mbrojnë idetë e tyre.

Por nuk mjafton vetëm kaq, pasi kur dalin nga bankat e shkollës, këta nxënës i rikthehen të folurit në zhargonin e përditshëm, duke mos respektuar njëri-tjetrin, madje duke kaluar edhe në ofendime. Kultura e dialogut është një mori vlerash e virtytesh, që çdo njeri i përvetëson gjatë jetës, jo vetëm në shkollë, por fillimisht në familje, në shoqëri, në vendin e punës, si edhe në ambiente publike, ku kontakti me njerëzit është i pashmangshëm.

Mungesa e dialogut është një minus i madh për shoqërinë, pasi bëhet shkak për keqkuptime, ndonjëherë edhe të rënda, duke filluar që nga dhuna në familje mes dy bashkëshortëve, grindjet për motive të dobëta e deri te keqkuptimet mes shteteve. Problemet e rënda sociale nuk janë arsye e fortë për të justifikuar dhunën ndaj grave. Është pikërisht mungesa e kulturës së dialogut mes tyre ajo që çon në degradimin e debatit dhe më pas drejt dhunës së pashmangshme. Po kështu shumë njerëz, në gjaknxehtësi e sipër, i lënë shteg keqkuptimeve mes njëri-tjetrit, për arsye qoftë edhe banale, vetëm sepse nuk dinë të diskutojnë në mënyrë të kulturuar dhe t’i zgjidhin problemet mes tyre përmes dialogut.

Të gjithë jemi dëshmitarë të dhunës së pajustifikueshme në vendet të ndryshme të botës, ku mijëra gra e fëmijë bien prѐ e terrorit, vrasjeve dhe keqtrajtimeve, vetëm sepse drejtuesit e shteteve nuk dinë të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për problemet mes tyre. Mungesa e dialogut edhe në këtë rast sjell pasoja fatale, jo vetëm për individë të caktuar, por për kombe të tëra.

Por le të flasim më konkretisht për vendin tonë. A ekziston kultura e dialogut dhe sa praktikohet ajo në Shqipëri? Duke qenë vend me një të shkuar të errët, ku mbizotëronte koncepti: “Njëri flet dhe të tjerët binden”, shoqërisë shqiptare iu desh një kohë e gjatë për ta kuptuar e më pas për ta vendosur në praktikë kulturën e dialogut.

Për fat të keq duket se akoma jemi të damkosur nga ky lloj mentaliteti, ku fjala e burrit në familje është ligj, ku shefi ka gjithmonë të drejtë dhe ku fatet e një kombi të tërë, varen nga një person i vetëm.

Pavarësisht se pas demokracisë mundësitë e shkëmbimit të eksperiencave me vendet e zhvilluara të Evropës e më tej, kanë qenë të shumta, ende ndryshe flitet e ndryshe bëhet. Megjithatë një punë e mirë po bëhet nga shoqëria civile apo organizata joqeveritare, që po trumbetojnë me forcë se e drejta e dialogut dhe e shkëmbimit të mendimeve, është thelbësore për kulturën e një kombi.

Është kjo arsyeja që vitet e fundit i është dhënë një rëndësi e veçantë kultivimit të aftësive komunikuese. Gjithnjë e më shumë toleranca në komunikim, mbrojtja e ideve individuale, por edhe pranimi i mendimeve të të tjerëve, po kthehet në një nevojë emergjente për zhvillimin e shoqërisë dhe përqafimin e risive. Janë pikërisht brezat e rinj ata që duhet ta kuptojnë, se pa dialog, nuk ka komunikim dhe se kultura e dialogut, nuk është vetëm tregues i formimit intelektual të një personi, por është patenta më e mirë për njohjen e një kombi në arenën ndërkombëtare.

Janar 2018