Kur skamja e varfëria mposht dëshirën për shkollim

114

Orjola Sula

Më ka ndodhur shpesh të kaloj me familjen time pranë urës së madhe të Lanës. Jam ndeshur me vështrimin lutës të fëmijëve jo më shumë se dhjetë vjeç që zgjasin dorën për lëmoshë. Diku më poshtë një bashkëmoshatar i tyre mundohet ta fitojë me djersë lëmoshën duke u përpjekur të lajë xhamin e makinës sime. Më i dhembshëm për mua është çasti kur djali im 3- vjeçar më pyet: “Mami po këta shokët e mi pse rrinë te rruga dhe nuk vijnë te kopshti”? Si t’i përgjigjem? Si mund t’ia shpjegoj atij këtë pabarazi sociale, këtë padrejtësi që i detyron fëmijët të rriten para kohe dhe të mos i shijojnë lojërat me bashkëmoshatarët e tyre apo ta këmbejnë çantën dhe librat e shkollës me një sfungjer e një larës xhamash?

Ndonjëherë ndihem sadopak përgjegjëse që këta fëmijë nuk kanë as minimumin e kushteve që unë i ofroj djalit tim për veshmbathje, ushqim apo shkollim. Ëndrra ime është që ai të bëhet dikush në jetë. Por për këtë i duhet të punojë shumë, të mësojë e të shkollohet. Disa thonë se arsimi është treguesi kryesor i nivelit kulturor të një kombi. Në botë fondet e shpenzuara për edukimin e popullatës janë kolosale. Kjo pasi shumë shtete i japin një rëndësi të veçantë arsimit, duke menduar kështu për një të ardhme më të ndritur. Për fat të keq në Shqipëri ndodh e kundërta. Buxheti i vënë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit vjen duke u rrudhur çdo vit. Nga ana tjetër reformat e njëpasnjëshme në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë kanë krijuar një amulli që ka çuar në mjaft pakënaqësi dhe humbje të besimit të qytetarëve tek sistemi ynë arsimor. Por, çka mbetet më shqetësues, është niveli ende i konsiderueshëm i analfabetizmit në vendin tonë. Sipas statistikave të pranuara nga vetë Ministria e Arsimit, rreth 13 % e fëmijëve të moshës shkollore në gjithë vendin, rezultojnë të jenë analfabetë ku numrin më të madh e përbëjnë fëmijët e komunitetit rom dhe ata të zonave të thella malore. Është për të ardhur keq që akoma në kohët moderne ka njerëz që nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre. Nga ana tjetër studimet tregojnë se 60 % e nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar në rang vendi kanë një nivel minimal të dijeve dhe vetëm 90 % e fëmijëve arrijnë deri në klasën e 5-të. E këtu nis një tjetër fenomen shqetësues që është braktisja e bankave të shkollës nga fëmijët. Janë të paktën mbi 5 000 fëmijë në vit që braktisin shkollën. Ky fenomen paraqitet më shqetësues në zonat e thella rurale por është mjaft i pranishëm edhe në kryeqytet, ku ndryshimet e mëdha demografike bënë që shumë familje të ardhura në metropol, të mos kenë mënyrë tjetër jetese përveç punës në rrugë apo lypjes. E sikur të mos mjaftonte kjo, skamja nuk kursen as fëmijët. Shumë prej tyre për të ndihmuar familjen, kanë lënë bankat e shkollës dhe i janë drejtuar rrugës për të lypur apo për të shitur duke rrezikuar kështu të bëhen pre e trafikut njerëzor por edhe mjaft veseve denigruese të shoqërisë. Kështu, e ardhmja e fëmijëve tanë nuk duket fort optimiste. Askush nuk po kërkon që këta fëmijë të shkollohen jashtë vendit pasi këtë mundësi e kanë vetëm fëmijët e atyre që trumbetojnë me të madhe se sistemi ynë arsimor funksionon. Ata që për ironi të fatit nuk janë të zotët të bëjnë politika gjithëpërfshirëse në arsim e nga ana tjetër zgjedhin institucionet arsimore më të famshme të botës për fëmijët e tyre, çka tregon se vetë nuk kanë besim aspak tek e ardhmja që ofron arsimi shqiptar. Këta fëmijë nuk kërkojë asgjë më shumë sesa të drejtat e tyre më minimale, ushqim, veshmbathje e shkollim. Nëse familjet e tyre nuk nxjerrin dot as bukën e gojës, atëherë si mund të mendojnë për t’i çuar fëmijët në shkollë? Në anën tjetër të medaljes, politikat e Ministrisë së Arsimit nuk janë aspak favorizuese për shtresat në nevojë. Rradhët e gjata në dyert e librarive edhe këtë vit shkollor për të blerë tekstet, treguan edhe njëherë paaftësinë e instancave përkatëse për të mirëmenaxhuar situatën. Pavarësisht problemeve të thella ekonomike e sociale, dëshira e shqiptarëve për të shkolluar fëmijët e tyre është shumë e madhe. Por a nuk duhej të shpërblehej kjo me krijimin e një fondi të veçantë për të dhuruar librat falas për këta fëmijë duke ua bërë edhe më tërheqës arsimin? Dihet tashmë se mënyrat e subvencionimit dhe rimbursimit të teksteve shkollore nuk kanë rezultuar aspak të suksesshme. Gjithnjë kanë përfituar pa të drejtë ata që nuk e kanë merituar. Nga ana tjetër, sipas një logjike të thejshtë, rimbursimi bëhet pas muajit nëntor. A është interesuar ndonjëherë Ministria e Arsimit të bëjë pyetjen se ku do t’i gjejnë fillimisht paratë për t’i blerë librat ato familje që nuk kanë bukë për të ngrënë? Përsa kohë që arsimi 9-vjeçar konsiderohet i detyrueshëm, atëherë edhe librat shkollorë duhet të jenë falas. Por në fakt kjo gjë nuk ndodh. Çmimet e kripura të teksteve, të vendosura nga shtëpitë botuese janë të papërballueshme për xhepin e një nëne me fëmijë jetimë apo për një baba që endet rrugëve çdo ditë dhe nuk gjen dot punë për të ushqyer fëmijët. Kjo i detyron ata që as të mos e mendojnë të çojnë fëmijët në shkollë. Askush nuk tregohet dashamirës ndaj këtyre njërëzve. Ne të parët… Në këto kohë moderne ku çdokush sheh interesin e vet dhe nuk vë dorën në zemër për të afërmin apo fqinjin, gjithnjë do të ketë një hendek të madh mes të varfërve dhe të pasurve. Do të ketë gjithnjë familje që luftojnë për bukën e gojës dhe nuk e njohin se cfarë është arsimi apo emancipimi, ndryshe nga të tjerë që jeta u ka dhënë mundësinë të investojnë për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Këto ndasi janë të padrejta por ja që ky është realiteti i hidhur në të cilin jetojmë. Përsa kohë kjo situatë nuk do të ndryshojë, fëmijët tanë do të luajnë së bashku në vegjëli me sinqeritetin dhe pafajësinë e moshës, por kur të rriten e ardhmja e tyre nuk do të jetë e njëjtë. Dikush do të ndjekë shkallët e suksesit dhe karrierës e dikush tjetër do të vazhdojë të punojë në rrugë për të mbijetuar.

Revista “Familja”, tetor 2016