Kush nuk vjen në shtëpinë tënde, nuk të do në shtëpinë e vet

12

Shoqëria shqiptare ka kaluar vite të gjata tranzicioni politik, ekonomik dhe shoqëror. Tashmë individi, shoqëria, familja, marrëdhëniet familjare dhe sociale kanë ndryshuar. Raporti që kanë njerëzit me veten dhe tjetrin nuk është më si më parë. Çdo ditë e më shumë njohim njerëz të cilët kanë ndërtuar një personalitet të prirur drejt individualizmit.

Individualizmi ka sjellë konkurrencë; liri personale; ka hapur portat e të menduarit në mënyrë të ndryshme. Të gjitha këto drejt rrugës së pashmangshme të një epoke të re jetese. Ndikimet nga kulturat e huaja kanë sjellë prishjen e disa traditave dhe zakoneve shqiptare. Jo vetëm kaq, por edhe kërkesat e jetesës kanë ndryshuar. Për shkak të zhvillimeve dhe rikonceptimeve të shumë dukurive jetësore, njerëzit kanë zmadhuar hapësirën ndarëse të lidhjeve farefisnore dhe shoqërore.

Njeriu është një qenie që gjithmonë është në kërkim të më të mirave. Ka kërkesa të pafundme dhe të vazhdueshme. Dëshira për të pasur mobilje moderne në shtëpinë e tyre dhe orendi të çmuara, ka bërë që njerëzve të mos iu interesojë më se ҫfarë ndodh jashtë saj. Nevoja për tjetrin duket se sa vjen e po zbehet, koha që i kushtohet tjetrit apo shoqërisë sa vjen e zvogëlohet. Marrëdhëniet mes anëtarëve të familjes po hasin problematika nga më të ndryshmet. Marrëdhëniet e gjakut nuk kanë më rëndësinë e mëparshme. Marrëdhëniet fqinjësore që dikur kanë qenë të rëndësishme, sot kanë një tjetër kuptim. Fqinji sot është thjesht dikush që banon afër nesh. Njerëzit kanë më pak vetëdije dhe përgjegjshmëri për hapësirën publike; më pak vullnet për solidaritet dhe zbehje të dëshirës për të ndihmuar tjetrin. Frazat e shpeshta që dëgjohen sot janë nga më të ndryshmet; “nuk kam pse të prish zonën time të rehatisë për të tjerët”; “nuk dua të më japin, sepse do detyrohem të kthej”; “nuk dua të shkoj në shtëpinë e dikujt, sepse ata me pas vijnë në shtëpinë time”; “nuk kam pse të bëj mirë, askush nuk më ka bërë mirë mua”; “le t’ia dalin vetë mbanë të gjithë”; etj.

Si ndikon vetmia emocionale dhe izolimi social te njerëzit?

Sipas një studimi të kryer nga psikologët në Birgham Young University, në Utah, izolimi social rrit me 30 përqind shanset për të vdekur. “Efekti i vetmisë është i krahasueshëm me atë të obezitetit, gjë që shëndeti publik po e trajton me seriozitet”, deklaron autorja e studimit, Julianne Holt Lunstad. Studiuesit kanë analizuar të dhënat nga 70 teste të kryera në periudhën 1980-2014, me një total prej më shumë se 3 milionë pjesëmarrës. Dhe nga këto kanë arritur në përfundimin se vetmia dhe izolimi social janë të dëmshëm po aq sa obeziteti, apo konsumimi i 15 cigareve në ditë. Vetmia është një ndjesi e cila ndikon në dëmtimin e organizmit të njeriut njësoj si alkooli, duhani dhe obeziteti. Gjithashtu psikologët e këtij studimi nënvizojnë se është e nevojshme që marrëdhëniet sociale të çdo individi të merren më seriozisht në konsideratë nga ekspertët dhe mjekët.

Ndërkohë që çdo ditë e më shumë njerëzit, të mëdhenj e të vegjël, bëhen më të varur nga teknologjia; nga postimet në rrjetet sociale të arritjeve personale; nga nevoja për t’u dukur bukur dhe gjithmonë më mirë se të tjerët. Depresioni, ankthi, vetmia dhe izolimi po ulen këmbëkryq gjithnjë e më shpesh brenda shtëpive. Gra, burra ose fëmijë referojnë gjendje ankthi, frikë, panik, ndjesi lëndimi, mosvullnet, mosdëshirë për të jetuar, pasiguri, vështirësi në marrje vendimesh, mërzi, etj.

Çfarë i mungon sot familjes shqiptare?

 

Pa njeri s’ka as familje as shoqëri!  Formimi i personalitetit dhe identitetit personal, është parakusht për marrëdhënie të suksesshme ndërpersonale. Ndërkohë stili i prindërimit, mënyra se si ndërveproni dhe mënyra se si disiplinoni fëmijën tuaj ndikon në rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm për pjesën tjetër të jetës së tyre. Disa fëmijë mund të mos marrin shumë udhëzim, edukim dhe vëmendje prindërore. Fëmijëve që i mungon edukimi për liri dhe për përgjegjësi, për vlera dhe virtyte, shfaqin më shumë probleme të sjelljes, pasi nuk vlerësojnë autoritetin dhe rregullat. Ata shpesh kanë vetëvlerësim të ulët dhe mund të raportojnë trishtim dhe ankth kur rriten, pasi nuk ndajnë dot të gabuarën nga e drejta.

Fëmijët me lidhje të dobëta familjare si dhe problemet social-kulturore përgatisin një terren të favorshëm për shfaqjen e depresionit në formën e traumave dhe çrregullimeve psiko-fizike.
Por depresioni më tepër i atribuohet kushteve të jashtme dhe situatave traumatike në jetë si: braktisja, dhuna në familje, problemet kronike në shkollë ose pune, vetmia, divorci, etj. se sa gjeneve. Edukimi për komunikim, për angazhime sociale, dialog dhe të qenurit gjithnjë në kërkim dhe në zbatim të të mirës së përbashkët, sjell jetë produktive në çdo aspekt.

Zgjidh të bësh mirë, në vend që të bësh keq.

Pse sjelljet e mira vlejnë dhe sjelljet negative dëmtojnë?

Ne mund të kemi një qëndrim të përgjithshëm pozitiv mendor dhe të merremi direkt me sfidat tona të brendshme duke krijuar kështu një mënyrë jetesë të shëndetshme, ose mund të kemi një qëndrim negativ, mendime vetëshkatërruese, duke krijuar një mënyrë jetese të sëmurë. Molekulat që lëshohen gjatë mendimeve dhe emocioneve si: zemërimi, urrejtja, zilia, dyshimi dhe xhelozia përmbajnë toksina. Studiuesit kanë eksperimentuar dëmet e rrezikshme që shkaktojnë emocionet negative në shëndet. Ata kanë treguar se stresi e dobëson trurin dhe zemrën; zemërimi i tepërt e dobëson mëlçinë; brenga dobëson mushkëritë; shqetësimi shpretkën; dhe frika e tepërt dobëson veshkat. Studiuesit rendisin si emocionet negative që shkaktojnë dëmet më të rrezikshme në trup, zemërimin dhe frikën, të cilat e dërrmojnë trupin për shkak të aciditetit të madh që prodhohet në trup. Shumë studime të publikuara tregojnë se mbi 80 përqind e atakeve kardiake kanë bazë emocionet.

Sugjerimet për një jetë të shëndetshme sjellin mjaft benefite në çdo aspekt psiko-fizik, individual dhe jo vetëm. Ato janë stabilizues për mbarë shoqërinë. Të jeni të buzëqeshur, mirënjohës, social, mikpritës, empatik, të dashur, pranues dhe mendjehapur shkakton një mori reaksionesh positive në organizmin tonë.

*Kur qëndrojmë pranë njerëzve që duam shumë truri lëshon nivele të larta të dopaminës, adrenalinës dhe endorfinës. Gjatë prodhimit të substancës së dopaminës truri përcjell ndjesi të mira positive, kurse endorfina shkakton një ndjenjë euforie. Këto hormone shkaktojnë optimizëm, energji dhe ndjenjën e mirëqenies.

*Kur përqafojmë dikë rritet niveli i oksoticinës në gjak. Përqafimet mund të ndalojnë depresionin.

* Kur jemi në një marrëdhënie angazhuese dhe të përkushtuar, jemi më pak të rrezikuar nga vdekshmëria. Pra, jetojmë më gjatë.

*Sipas studimeve të Dr. Jay Breëer, doktor i shëndetit fiziologjik, në 1995, zemra jonë rreh në mënyrë metronomike, si një orë e kurdisur. Duke u fokusuar në mendime pozitive të tilla si: vlerësimi dhe dashuria për një objekt, vend apo person, rrahjet e zemrës rriten në çast, presioni i gjakut ulet kurse sistemi imunitar dhe ai i tretjes përmirësohet.

* Ndihmoni të tjerët!

Psikiatri dhe psikologu i madh Alfred Adler, e orientoi Shkencën e Psikologjisë drejt vlerave njerëzore, aftësisë sonë për bashkëpunim dhe mundësisë për vetërealizim, nëse ne jetojmë së bashku duke përmirësuar njëri-tjetrin. Ja se si i këshillonte ai pacientët e tij të sëmurë me depresion: ‘Ju mund të shëroheni brenda 14 ditëve nëse çdo ditë përpiqeni të mendoni se si të kënaqni dikë!’

Ndërkohë që fokusojmë vëmendjen te dikush tjetër, në mënyrë të pavetëdijshme, i japim hapësirën trupit tonë të relaksohet; të çlirohen hormone që vrasin dhimbjet tona. Lejojmë qelizat e dëmtuara të ripërtërihen. Lejojmë sistemin imunitar të riforcohet. Marrim më shumë sasi ajri në mushkëri. Rregullojmë tensionin e gjakut dhe qetësojmë rrahjet e zemrës.

‘Nuk mund të ndihmojmë çdo njeri, por çdo njeri mund të ndihmojë dikë.’
[ Ronald Regan ]

Përveç kësaj, largimi nga gjendja e stresuar na ruan nga ekspozimi i zakoneve jo të shëndetshme si: mbingrënia, konsumi i alkoolit, duhanit, drogave, braktisja e vetvetes, të cilat janë faktorë risku për shumë sëmundje dhe aksidente. Njeriu është dy herë përgjegjës për veprimet e tij ndaj vetes, po aq dhe ndaj të tjerëve, të cilët mund ta pësojnë pa shkak. Kjo do të thotë se njeriu është një qenie sociale që ka nevojë për socializim dhe njëkohësisht i duhet të japë kontributin e tij shoqërisë. Njeriu nuk mund të jetojë si një qenie e izoluar apo e vetmuar. Ai ka nevojë të ofrojë e të kërkojë. Pra, të shkëmbejë me të tjerët.

 

  • Revista “Familja”, maj 2022 – Ermonda Mema