Mësoje o njeri!
Allahu na ka thirrur tek më e mira, më e dobishmja, më e vlefshmja për ne, për jetën tonë e Ahiretin tonë. Ja si na nxit për dhënien e sadakasë (lëmoshës), duke na mësuar për dobinë që sjell dhënia e saj.
Në një ajet kuranor Zoti yt të çon fjalë: “Thuaju robërve të Mi ta falin namazin dhe të japin nga ajo që Ne i kemi furnizuar me të, fshehtas dhe haptas, para se të vijë një ditë ku nuk ka më shitblerje dhe as lidhje të ngushta” (Ibrahim, 31).
Sadakaja e shuan zemërimin e Allahut, siç thotë Profeti (a.s.): “Sadakaja e dhënë fshehurazi e shuan zemërimin e Zotit të Lartësuar” (Transmeton Taberaniu dhe hadithin e ka konsideruar hasen Albani në Sahihu et-Tergib 1275).
Profeti Muhamed (a.s.) na tregon një trajtim mjekësor qe nuk shkruhet në librat e mjekësisë edhe pse efekti i saj është madhështor: “Shërojini të sëmurët tuaj me sadaka.” (Sahihu Et-Tergib 1087)
Thotë Ibn Kajjimi (Zoti e mëshiroftë!): “Sadakaja ka një ndikim të fortë në shtytjen dhe largimin e sprovave. Edhe kur sadakaja edhe kur jepet nga gjynahqari apo zullumqari, madje efekti nuk i humbet edhe kur jepet nga pabesimtari. Allahu i heq njeriut nëpërmjet sadakasë që jep nga të këqijat që kanë goditur. Kjo çështje është e njohur për të gjithë njerëzit.”
Sadakaja është zgjidhje, nuk është varfërim!
Sadakaja është ilaçi i lënë pasdore i njerëzimit!
Sadakaja është shpëtim nga brengat e dy botëve!
Ilir Curri
Revista “Familja”, janar 2017