Letër motrës

76

E dashur motër A, sa do doja të ishe udhëzuar…!

Pikërisht kjo fjali është ajo që dua t’ia them shpesh një njeriu të afërt. Pse? Çfarë më shtyn për këtë?

Ajo që qëndron në thelb të kësaj dëshire është karakteri i saj i mirë. Çfarë mund të duash për një person që ka moralin e mirë, thjeshtësinë, sjelljen e mirë me të tjerët, butësinë, durimin edhe kur e lëndojnë. Dorën e shtrirë për të varfërit, zemrën me dashuri për familjen e të afërmit, respektin për çdo njeri, përuljen për prindërit, buzëqeshjen për të gjithë… Jo shpesh mund t’i kemi pranë njerëz të tillë. Atyre Zoti u ka dhënë shumë, u ka dhënë karakterin e vyer. Sa mirë do të ishte nëse ata do të kërkonin udhëzimin! Sa shpërblime do të kishin për sjelljen e tyre, dashurinë për njerëzit, butësinë e çdo gjë tjetër! Por të gjitha këto shpejt humbasin kur njeriut i mungon esenca, adhurimi ndaj Krijuesit, Atij që ia dhuroi këto mirësi.

Kur qëllimi është arritja e kënaqësisë së Allahut, çdo veprim i yni mbart më shumë vlerë. Nuk i duam dhe i respektojmë të tjerët vetëm për t’ua bërë qejfin atyre apo sepse e meritojnë respektin tonë por edhe sepse me anë të kësaj kërkojmë atë që e duam më së shumti: kënaqësinë e Allahut. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Më të dashurit dhe më të afërmit tek unë në Ditën e Ringjalljes, janë ata që janë më të moralshmit (më të sjellshmit). (Tirmidhiu) Një ditë ai i tha një sahabi: “Ti ke dy cilësi, të cilat Allahu dhe i dërguari i Tij i duan.” Cilat janë ato dy cilësi? Namazi i natës? Agjërimi gjatë ditës? Sahabi u gëzua shumë dhe i tha: “Cilat janë ato dy cilësi, o i dërguari i Allahut? I Dërguari i Allahut (a.s.) tha: “Butësia dhe durimi” (Ahmedi dhe Muslimi). Njëherë  u pyet mbi devotshmërinë dhe u përgjigj:

“Devotshmëria është sjellja e mirë ndaj njerëzve” (Muslimi) “Njerëzit më të plotë në fe janë ata që kanë karakter më të mirë, ata që është e lehtë të shoqërohesh me ta dhe ata që kalojnë mirë me të tjerët dhe të tjerët kalojnë mirë me ta. S’ka dobi në atë i cili nuk kalon mirë me të tjerët dhe të tjerët nuk kalojnë mirë me të.” (Tirmidhiu) “Personi që ka karakterin e mirë e arrin gradën e atij që falet natën dhe atij që agjëron ditën.” (Tirmidhiu)

“Karakteri i mirë e bën personin të sukseshëm në këtë botë dhe në tjetrën!” – na thotë, më besniku, me i besueshmi, më trimi, më durimtari dhe shembulli më i mirë në çdo aspekt, profeti Muhamed (a.s.). Po, në të dyja botët, njeriu arrin gjërat më të vlefshme. Në këtë botë fiton dashurinë e njerëzve që e rrethojnë ndërsa shpërblimin e madh në botën tjetër. Pa marrë parasysh çfarë veprash të mira bën, ato do të dëmtohen nga karakteri i keq. Ashtu si ajo gruaja, e cila falej, agjëronte, jepte sadaka, bënte shumë vepra të mira, por i shqetësonte fqinjët e saj me fjalë (ishte e pasjellshme). Kur profeti u pyet për të, ai u përgjigj: “Ajo do të jetë në Xhehennem” – Subhanallah!

Më ka mbetur në mendje një lutje e të dashurit të Allahut, mësuesit dhe profetit tonë, i cili ka thënë: “O Allah, më udhëzo mua në sjelljet më të mira, pasi askush nuk udhëzon në to përveç Teje dhe më mbro nga sjelljet e këqija, pasi askush nuk më mbron nga ato përveç Teje.”

Vërtet kur Allahu e do një njeri bën që atë ta duan edhe njerëzit. E dashur motër, e dua udhëzimin tënd pasi të dua për hir të Allahut dhe për karakterin tënd të mirë. Ndaj kërkoje shpëtimin e shpirtit. Lutju Krijuesit tënd që të të begatojë me besimin dhe dritën e tij!

Me dashuri F.

Mars- prill, 2014