Libri me poezi: “Zgjodha Islamin fe”

53

Libri “Zgjodha Islamin fe” është buqeta e parë poetike, që përftohet nga pena e autores Pranvera Loci.

Ky libër botohet nga Shoqata Kulturore “Gruaja”, shoqatë e cila vijon të mbështesë krijuesit e rinj dhe t’i inkurajojë ata për të bërë emër në ëndrrën e tyre. Kështu, autorja Pranvera Loci prej kohësh ka dashur të ndajë me të tjerët ndjesitë që përjeton një femër muslimane, si dhe të përhapë njohuri për Islamin në formën e vargjeve dhe tashmë, dëshira e saj kurorëzohet me sukses falë mundësimit të botimit të këtij libri.

Autorja ka përzgjedhur zhanrin e poezisë për të shprehur mendimet, emocionet e ndjesitë e saj, sepse pikërisht përmes poezisë ndjenjat gjallojmë më tepër se në çdolloj arti.

Në poezinë shqipe thuajse mungon lirika religjioze, prandaj duke lexuar vargjet e këtij libri do të përjetoni magjinë e gërshetimit të motiveve dhe asosacioneve ideore, që kanë në thelb përcjelljen e fenomenit të besimit dhe ndërgjegjësimin për të mirat që Zoti ia ka dhuruar njeriut. Kjo tematikë është mbizotëruese në të gjithë vëllimin, por nga pikëpamja formale shfaqet përmes dy llojeve të poezisë: së pari, në trajtën e lirikës religjioze, ose poezisë së përshpirtshme (Poezia “Aromë shpërblimesh”, “Shtyllat e Islamit” dhe “Allahu na krijoi”) dhe së dyti, në formën e poezisë narrative, mënyrë krijuese që mbizotëron në të gjitha poezitë e tjera të librit.

Përmes një gjuhe të thjeshtë e melodike, autorja paraqet jo vetëm botën e brendshme shpirtërore, por edhe rrëfen fakte e histori rreth Islamit, e pikërisht kjo i bën vargjet i saj të marrin trajtën e poemave epike, apo poezive narrative. Teksa lexon vargjet, shpesh, të krijohet përshtypja sikur po dëgjon rrëfenja, për shkak se subjekti ka strukturë drejtvizore dhe trajtohet thjeshtësisht. Kjo ide përforcohet më tej edhe nga gjatësia e vargjeve, e cila më tepër i shkon përshtat zhanrit të epikës, sesa lirikës, kjo për faktin se synohen paraqitje të theksuara realiste, më tepër sesa artistike dhe gjithashtu, ndërtohen karaktere fort të detajizuara. Kjo frymë poetike spikat në poezitë: “Djelmoshat e shpellës”, “Djemtë e Jakubit”, “Flijimi i Ibrahimit”, “I dashuri i Allahut”, “Israja dhe miraxhi”, “Nuhu, paqja qoftë mbi të!” etj.

Tema e krijimeve realizohet përmes ndërtimeve fabulative. Fabula është unike, me një linjë zhvillimi, që priret gjithnjë kah përhapjes së mesazheve moralizuese dhe përmendjes së veprave të lavdërueshme të shenjtëve.

Ky libër mund të konsiderohet pa frikë edhe si një tekst didaktik, ku lexuesit mund të informohen për çështje të ndryshme të fesë islame, duke nisur që nga pesë shtyllat e Islamit, me të cilat hapet libri, e deri tek poezia “Allahu na krijoi”, që i vë vulën e mjeshtërisë poetike dhe njëherësh mesazheve që përcillen nga vargjet.

Libri me poezi “Zgjodha islamin fe” u drejtohet të gjitha grupmoshave për shkak të gjuhës së drejtpërdrejtë, pa ngarkesa stilistikore, prandaj besojmë se do të gjejë mishërim të plotë synimi i autores për të prekur zemrat e të gjithëve. Shpresojmë që ky vëllim të pasohet edhe me shumë të tjerë nga ana e autores Pranvera Loci, e cila hapin e parë në fushën e poezisë e ka hedhur guximshëm, duke u prezantuar me individualitetin dhe origjinalitetin e vet krijues.