Liria e shpirtit tim

262

Jasmina Hoxha

Nuk dua as keqardhje, as mëshirë, e aq më pak urrejtje!

Sepse ndryshe nga ç’mendojnë disa, unë nuk përjetoj më pak kënaqësi nga vajzat e tjera. Më lini t’jua shpjegoj.

Ne, pasi vendosim shaminë, nuk e zhdukim ekzistencën e flokëve tona. Disa i presin, disa i zgjasin më shumë, siç bën çdo vajzë. I bëjmë gërsheta, i drejtojmë, i bëjmë kaçurrela, madje edhe i lyejmë. Është qejf t’i lyesh siç do dhe të mos e vrasësh mendjen nëse ngjyra ka dalë kot, i lajmë dhe shpenzojmë kohë për t’i tharë e krehur. Uji i kripur i detit na i përshkon nëse ne duam. Era na i shpupuris, na i përkëdhel flokët dhe dielli na i shkëlqen. Kjo mund të ndodhë në ballkonin apo oborrin e shtëpisë, në dritaren e dhomës, apo diku larg prej njerëzve. Nëna na i përkëdhel, pasqyra na i admiron, bashkëshorti mrekullohet me to duke parë nurin që i japin bashkëshortes së tij, e duke qenë i qetë që një mashkull tjetër nuk do mrekullohet njësoj e të ndodhë diçka e pakëndshme. E nëse dikush do të replikojë se përse duhet të fshihem unë kur t’i bëj këto, më lini t’ju them se mua më pëlqen t’i shijoj të gjitha për vete kënaqësitë që marr nga natyra. D.m.th, kur era të më shpupurisë flokët dua ta bëjë për kënaqësinë time e jo për kënaqësinë e syve të të tjerëve. A nuk ndihemi të gjithë ne në paqe me natyrën kur jemi në vetmi, duke i shijuar kënaqësitë që ajo na dhuron, pa u ç’fokusuar në mendime se a dukemi bukur tani me flokë të lagur nga shiu në sytë e atij djalit që po na sheh???

Prandaj nuk dua keqardhjen tuaj. Jam aq e lumtur, sepse kam arritur paqen shpirtërore, lirinë që shkon përtej shikimeve të kujtdo në rrugë, modestinë që më bën të ndihem më e lehte, sikur këmbët e mia do shkëputen nga toka një moment dhe do fluturoj si një zog i lirë. Çfarë ndjenje tjetër ju bën kaq të lirë? Oh saktë, dashuria! Po mirë, po nëse dashuria largohet papritur një ditë, ju pret krahët, sa e rëndë do ishte përplasja sërish në tokë? Ndërsa unë jam e sigurtë, nuk bie, por në rastin më të keq, kur urrejtja e turmës më rrëzon, nuk lëndohem. Sepse këtë liri edhe unë e kam fituar nga dashuria, por një dashuri që nuk shteron kurrë, së cilës i besoj verbërisht pa frikën se do të më lëndojë, dashuria për Krijuesin Tim. Prandaj, ju them sërish, mos ndieni keqardhje për mua ose vajzat e tjera me shami, pasi unë kam gjetur lirinë e shpirtit tim!

Revista “Familja”, tetor 2016